Vaksinat ndonjëherë mund ta bëjnë një fëmijë të ndihet i këputur, me ethe ose i shqetësuar. Ja se çfarë të bëni në lidhje me efektet anësore të vaksinimit.

Në këtë artikull do të lexoni:


- A janë të mundshme efektet anësore prej vaksinave?
- Çfarë duhet të bëj nëse fëmija im ka efekte anësore prej vaksinës?
- A ka përmbajtje mërkuri në vaksina?
- A mund të shkaktojnë vaksinat autizëm?
- Kur duhet të telefononi mjekun mbi efektet anësore të vaksinës?


Ndonjëherë sikleti i një vaksine nuk mbaron menjëherë pasi të jetë bërë. Dhimbje ose ethe të lehta mund të shfaqen më pas - një shenjë kjo, që vaksina po funksionon!

Por sa është e mundur që fëmija juaj të ketë efekte anësore të vaksinës, e sidomos ato serioze? Ja se çfarë duhet të dini për natyrën dhe gjasat që fëmija juaj të ketë një reagim ndaj një vaksine.

A janë të mundshme efektet anësore prej vaksinave?


Vaksinat janë të sigurta, por si çdo mjekim tjetër, ato ndonjëherë shoqërohen me mundësinë e disa efekteve anësore. Në të shumtën e rasteve, këto reagime ndaj vaksinave janë të lehta, të lokalizuara - me një enjtje ose skuqje aty ku realizohet injeksioni dhe të shkurtra, që zgjasin jo më shumë se një ose dy ditë. Një ethe e lehtë mund të jetë gjithashtu e pranishme, por një situatë më serioze është shumë e rrallë.

Të provosh që një vaksinë të jetë e lidhur me një efekt specifik anësor nuk është e lehtë. Bebet dhe të vegjlit kanë tendencë të sëmuren shpesh, kështu që, ka një mundësi që fëmija juaj të jetë duke përjetuar edhe diçka tjetër rreth kohës kur vaksina merret. Kjo është arsyeja pse disa prindër mund të besojnë se vaksina e foshnjës së tyre shkaktoi sëmundjen, kur në të vërtetë janë mikrobet që mund të merren gjatë qëndrimit në çerdhe, në një dyqan ose në këndin e lojërave për t’u fajësuar.

Gjithashtu është e rëndësishme të kuptohet se vaksinat bëhen në një periudhë të jetës kur disa gjëndje të caktuara shëndetësore fillojnë të bëhen të dukshme. Për shembull, vaksina MMR bëhet në një vit deri në 15 muaj, në të njëjtën kohë kur vonesat në zhvillim fillojnë të bëhen të dukshme tek një fëmijë, duke na bërë të mendojmë se këto çrregullime mund të jenë të lidhura me vaksinën.

Çfarë duhet të bëj nëse fëmija im ka efekte anësore prej vaksinës?


Diçka e ftohtë ose pak akull i aplikuar pas injeksionit mund të ndihmojë në zvogëlimin e skuqjes ose ënjtjes, ashtu si lëvizja e krahut ose këmbës në të cilën është dhënë vaksina.

Një qetësues i dhimbjeve jo me përmbajtje aspirine, të tilla si paracetamol (mosha >2 muaj) ose ibuprofen (>6 muaj) mund të ndihmojnë me dhimbjen dhe ethet e shkallës së ulët, prandaj pyesni mjekun për këtë para se të dilni nga zyra.

A ka përmbajtje mërkuri në vaksina?


Sasi shumë të vogla të thimerosal, një përbërës organik ruajtës me bazë merkuri, gjendej në disa vaksina duke filluar prej viteve 1930 për të parandaluar kontaminimin bakterial dhe kërpudhor. Thimerosal aktualisht gjendet në disa medikamente, dhe produkte të përdorimit të zakonshëm, si solucione të lenteve të kontaktit dhe spraj të fytit dhe hundës, megjithëse shumë prodhues kanë riformuluar produktet e tyre pa thimerosal.

Edhe pse shumë studime kanë treguar se nivelet shumë të ulëta të thimerosalit të përdorura dikur në disa vaksina nuk shkaktonin dëme dhe konservanti pastrohej shpejt nga organizmi i një foshnjeje, ekspertët vendosën të kufizohej ekspozimi i fëmijëve ndaj çfarëdo forme ose sasie merkuri.

Shumica e vaksinave të rekomanduara të fëmijërisë (MMR, poliomielitit, variçelës dhe pneumokokut) nuk përmbajnë thimerosal.

Më e rëndësishmja, studime të shumta në shkallë të gjerë nuk kanë mbështetur teorinë se ndonjë përbërës në vaksina mund të shkaktojë vonesa ose çrregullime të zhvillimit.

A mund të shkaktojnë vaksinat autizëm?


Jo, vaksinat nuk shkaktojnë autizëm. Studime të shumta nuk kanë gjetur asnjë lidhje midis vaksinave dhe çrregullimeve të zhvillimit, përfshirë autizmin. Një raport nga Instituti i Mjekësisë bazuar në të dhëna gjithëpërfshirëse dhe prova të mbledhura për një numër vitesh nuk gjeti asnjë lidhje midis thimerosalit ose vaksinës MMR dhe problemeve të zhvillimit.

Në fakt, studimi i bujshëm i vitit 1998 që sugjeroi një lidhje të mundshme midis vaksinës MMR dhe autizmit u tërhoq në 2010 dhe është refuzuar nga të gjitha organizatat kryesore shëndetësore, përfshirë Akademinë Amerikane të Pediatrisë (AAP), Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeveve  (CDC), Instituti Kombëtar i Shëndetit (NIH) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Që atëherë, asnjë studim tjetër nuk ka gjetur një lidhje midis vaksinave dhe autizmit ose çrregullimeve të tjera të zhvillimit, ose midis vaksinave dhe problemeve njohëse dhe të sjelljes.

Kur duhet të telefononi mjekun mbi efektet anësore të vaksinës?


Megjithëse efektet e rënda anësore të vaksinave janë të rralla, duhet të telefononi menjëherë pediatrin nëse fëmija juaj ka ndonjë nga reagimet ose simptomat e mëposhtme brenda dy ditësh nga marrja e një vaksine:

Temperaturë e lartë (38.5 oC ose më e lartë për foshnjat nën 3 muajshe dhe 38.6 ose më e lartë për foshnjat 3 muaj e lart)

Të qara për më shumë se tre orë (të mos ngatërrohet me dhimbje barku) ose një e qarë me klithma që zgjat më shumë se një orë

Të dridhurat ose konvulsionet - të cilat mund të lidhen me një ethe shumë të lartë

Kriza të rënda, të vazhdueshme ose ndryshime të mëdha të vetëdijes

Letargji, mungesë përgjigje, përgjumje e tepruar

Një reaksion alergjik siç është enjtja e gojës, fytyrës ose fytit; vështirësi në frymëmarrje; ose një skuqje të lëkurës - e cila kërkon vëmendje të menjëhershme mjekësore

Ndryshimet e sjelljes - gjithçka që nuk e konsideroni si normale për fëmijën tuaj kërkon një vizitë tek pediatri (vetëm për të qenë të sigurt se çdo gjë po shkon mirë).

Megjithëse këto efekte anësore mund të mos jenë të lidhura me vaksinën dhe mund të jenë shenja të një sëmundjeje tjetër, telefononi menjëherë mjekun tuaj nëse fëmija juaj ka ndonjë nga këto simptoma më serioze (ose të tjera që nuk janë në listë).