Për shkak të pandemisë së koronavirusit (COVID-19) janë lënë disi pas dore procedurat rutinë të kujdesit për shëndetin, pothuaj në të gjithë gamën e tyre, si ato të ndërhyrjeve kirurgjikale minore ashtu edhe vizitat e rikontrollit tek mjeku i familjes. 

Është e qartë që ka shumë pyetje mbi sigurinë e paraqitjes në spital apo në qendrat shëndetësore dhe një nga preokupimet është edhe vaksinimi i fëmijëve të vegjël sipas kalendarit të vaksinimit.

Frika nga COVID-19 bashkë me rregullat e kufizimit nëpër ambientet sociale si dhe mbyllja në shumë shtete, ka çuar në një ulje të ndjekjes së procedurave rutinë shëndetësore për fëmijët si dhe imunizimin bazë.

Në Sh.B.A pediatrit raportojnë se që nga fillimi i pandemisë të dhënat kombëtare tregojnë një rënie nga 42-73% të shkallës së vaksinimit në varësi kjo të burimit të informacionit dhe të llojit të vaksinës.

Humbja e këtyre rutinave të vaksinimit mund të jetë e dëmshme për fëmijët, duke i lënë ata të ekspozuar ndaj një sërë sëmundjesh që paraqesin edhe më shumë rrezik sesa COVID-19 përfshirë këtu edhe fruthin.

Mjekët pediatër rekomandojnë dhënien e informacionit mjekësor për prindërit mbi rëndësinë e ndjekjes së kalendarit të vaksinimit. 

Rëndësia e vaksinimit


Edhe fëmijët janë në rrezik për t’u sëmurur nga COVID-19, fatmirësisht duke patur klinikë të moderuar apo të lehtë madje shpesh fare pa simptoma krahasuar me të rriturit. 

Rekomandimet e pediatërve janë të tilla që tregojnë për rëndësinë e ndjekjes së kalendarit të vaksinimit të fëmijëve pavarësisht ankthit që mund të kenë prindërit lidhur me infeksionin COVID-19.

Sëmundjet që parandalohen nga vaksinat janë të pranishme në komunitet. Është e rëndësishme që të mos humbasim sensin e këtyre kërcënuesve seriozë të shëndetit. Nëse fëmijët nuk vaksinohen ata ekspozohen ndaj riskut të lartë për të zhvilluar sëmundje që mund të ishin parandaluar nga vaksinimi përfshirë fruthin, kollën e mirë, etj.  

Një ambient i sigurt për prindërit


Preokupimi mbi ekspozimin e fëmijëve ndaj COVID-19 është i arsyeshëm kështu duhet t’u sigurohet prindërve frekuentimi i ambienteve të sigurta, të pastra që ata të mund të sjellin fëmijët e tyre.

Rëndësia e ndjekjes së kalendarit të vaksinimit në kohë jo vetëm kufizon rrezikun për infektim tek fëmijët por bën edhe shmangien e kërkesave të shtuara për vaksina të caktuara në të njëjtën kohë.

Çfarë mund të bëhet? Një shembull që duhet ndjekur vjen nga Akademia Amerikane e Pediatrisë që ka nxjerre udhëzime mbi procedurën e vaksinimit të fëmijëve në kushtet e pandemisë COVID-19. Së pari do duhet ndjekur kalendari i vaksinimit strikt për moshat nën 30 muajsh, që të mos krijohet një mungesë në ecurinë e vaksinimit të tyre. Më pas një rëndësi i jepet të gjithë fëmijëve të çdo moshe por që janë më vulnerabël (të sëmurë kronikë) ndaj sëmundjeve duke i siguruar atyre një depistim për simptoma COVID-19 paraprakisht, e më pas duke i riplanifikuar për vaksinim.

Viyitat on-line janë një alternativë e mirë për të parandaluar grumbullimin nëpër ambiente të kujdesit shëndetësor dhe iu krijon fëmijëve dhe prindërve mundësi për të qenë në kontakt me mjekun dhe nuk krijon hapësirë për neglizhim të ndjekjes të fëmijëve dhe të vaksinimit njëkohësisht.

Kështu ndërkohë që bota pret daljen e vaksinës për COVID-19 në duhet të vazhdojmë të mbrojmë fëmijët me vaksinat ekzistuese dhe të mos krijojmë terren për sëmundje të tjera që mund të parandalohen fare mirë.

Dhimbjet e kokës te fëmija me rifillimin e shkollës


Lojërat fizike me baballarët ndihmojnë fëmijët të kontrollojnë emocionet.