Pas ardhjes në jetë të foshnje gjithë prindërit e rinj kanë pyetje të tipit: Sa qumësht duhet të pijë i vogli ? Sa shpesh duhet ushqyer foshnja?

Përgjigjet për këto pyetje dhe të tjera për të cilat mund të jeni të paqartë i gjeni më poshtë.

Sa i madh është stomaku i një të porsalinduri?


Stomaku i foshnjës ditën e parë kur lind është sa madhësia e një qershie dhe mund të përballojnë vetëm 5-7 ml qumësht në ditë. Kjo është arsyeja pse një i porsalindur ushqehet nga pak në mënyrë të vazhdueshme. Stomaku zhvillohet shumë shpejt çdo ditë. Në ditën e tretë stomaku ka madhësinë e një arre. Në këtë moment mund të mbajë 22-27 ml qumësht . Rreth ditës së shtatë stomaku ka madhësinë e një kajsie dhe mund të mbajë 45-60 ml qumësht. Një muaj pas lindjes stomaku i të voglit tuaj është në madhësinë e një veze të  madhe dhe mund të mbajë 80-150 ml qumësht. Ndërsa stomaku i një të rrituri mund të mbajë rreth 1000 ml ushqim.

Sa mililitra qumësht gjiri në ditë duhet të pijë foshnja e porsalindur?


Të gjitha bebet janë unike. Disa prej tyre mësohen menjëherë me qumështin e gjirit dhe ushqehen mirë që ditën e parë. Disa bebe janë shumë gjumashe dhe u duhet më shumë kohë të mësohen me gjirin. Mund të jetë shumë e vështirë të përcaktosh sesa qumësht duhet të pijë foshnja juaj.  Për t’ju ardhur në ndihmë kemi përgatitur për ju një tabelë udhëzuese ku mund të shikoni sasinë që duhet të pijë në ditë foshnja juaj.

Foshnja e porsalindur:

Foshnja e porsalindur vetëm një ditëshe ka stomakun të vogël sa një qershi që mund të mbajë vetëm  një lugë gjelle kulloshtër. Duke qenë se stomaku i bebes është shumë i vogël duhet ta ushqeni vazhdimisht për 24h.

Foshnja 3 ditëshe:


Tashmë stomaku është rreth 4 herë më i madh dhe mund të mbajë 22-27 ml qumësht. Gjatë kësaj kohe fillon edhe prodhimi i qumështit dhe ushqyerja me gji bëhet më e lehtë. Në përgjithësi bebet që kur lindin kanë peshën nga 2-4 kg duhet të 22-27 ml.

Foshnja 1 njëjavëshe:


Madhësia e stomakut është e njëjtë me të një kajsie dhe mund të mbajë 45-60 ml qumësht.  Pas javës së parë të lindjes foshnja fillon të shtojë në peshë dhe ka nevojë për 414-650 ml qumësht në ditë.

Foshnja 1 muajshe:


Stomaku i bebes ka madhësinë e një veze të madhe dhe mund të mbajë 80-150 ml qumësht. Pas 30 ditëve bebja duhet të ketë shtuar në peshë rreth 450 gram dhe do të ketë nevojë për  502-708 ml  qumësht në ditë.

Sa shpesh duhet ta ushqej foshnjën time?


Gjatë ditëve të para një bebe duhet të ushqehet çdo 1.5 deri në 3 orë. Ndërsa stomaku i bebes rritet dhe fillon të shtojë në peshë, intervali i ushqyerjes shkon në çdo 3-4 orë.

Është e rëndësishme të mos harroni se të porsalindurit jo gjithmonë reagojnë për t’ju lënë të kuptoni se janë të uritur gjatë javëve të para prandaj duhet t’i zgjoni për t`i ushqyer. Të porsalindurit preferojnë të qëndrojnë zgjuar gjatë natës dhe të flenë më shumë ditën për këtë arsye cikli i të ushqyerit mund të luhatet bazuar në vigjilencën e foshnjës suaj. Normalisht gjatë javëve të para duhet ta ushqeni fëmijën 8-12 herë në ditë.

Foshnja e porsalindur:


Bebja e porsalindur ka nevojë të ushqehet 8-12 herë gjatë 24 orëve të para. Shumë bebe mund të kenë nevojë për tu ushqyer edhe më shpesh se kaq dhe sërish mund të duket sikur fëmija është i pangopur. Kjo ndodh për shkak se stomaku i tyre është shumë i vogël, sa madhësia e qershisë dhe mbushet e boshatiset shumë shpejt. Ushqyerja e shpeshtë është thelbësore edhe për të shtuar sasinë e qumështit të gjirit prandaj duhet të ushqeni të voglin sipas kërkesës së tij jo duke pritur të vendosni orare.

Foshnja 3 ditëshe:


Foshnja ka nevojë të pijë 8-12 herë në ditë. Ushqejeni foshnjën sipas kërkesave që ka dhe monitoroni sasinë e pelenave të lagura. Nëse për 24h nuk shihni të jenë lagur pelenat duhet të flisni me mjekun.

Foshnja 1 javëshe:


Foshnja ka nevojë të pijë 8-12 herë në ditë. Ndërsa ardhja e qumështit në gji gjatë kësaj periudhe stabilizohet edhe fëmija do të pijë më shumë qumësht. Në fund të javës së parë do të filloni të keni më shumë qumësht, i cili është më i hollë dhe përmban më shumë ujë se qumështi i ditëve të para. Në këtë moment qumështi i gjirit përmban 90% ujë dhe 10% karbohidrate, proteina dhe yndyrna të nevojshme si për rritjen ashtu edhe për t’i dhënë energji.