Mbajta e maskës dhe distancimi social janë të rëndësishme për të mbrojtur veten dhe të tjerët nga koronavirusi. Por sa e sigurt është prerja e flokëve në parukeri apo të bërit e një pikniku në natyrë me miqtë? Edhe pse thuajse çdo situatë është unike dhe varet nga disa faktorë, ekspertët e shëndetit publik thonë se janë disa aktivitete që janë më pak të rrezikshme sesa të tjerat kur vjen puna tek mbrojtja e vetes dhe të tjerëve ndaj COVID-19.

Mënyra e vetme për të qenë 100% të mbrojtur ndaj infektimit është qe të izoloheni larg të gjithëve dhe të jeni plotësisht të pavarur dhe të vetëmjaftueshëm për nevojat tuaja personale, por kjo praktikisht, është e pamundur. Sigurisht, shumica prej nesh nuk është duke e bërë këtë gjë dhe shpesh kemi ndërveprim me persona të tjerë, qoftë edhe vetëm kur shkojmë në market.

Duke marrë parasysh faktin që është thuajse e pamundur të vetëizoloheni plotësisht, duhet të informoheni dhe të edukoni veten mbi rreziqet që mbartin aktivitete të ndryshme, në të cilat mund të merrni pjesë e në këtë mënyrë do të dini të vlerësoni me mençuri rreziqet. Nëse keni imunitet të dobët apo jetoni me dikë që ka imunitet të dobët, atëherë patjetër duhet të shmangni plotësisht bërjen e aktiviteteve që më poshtë do të listohen si të rrezikshme.

Është mirë të shmangni bërjen ose përfshirjen në aktivitete që konsiderohen mesatarisht dhe shumë të rrezikshme. Sa më pak të ekspozoheni, aq më të pakta do të jenë mundësitë e kontaktit me virusin. Nëse për një kohë të gjatë jeni treguar të kujdesshëm duke bërë aktivitete që konsiderohen me rrezikshmëri të ulët dhe një ditë apo një tjetër, edhe pse rrallë here, përfshiheni në aktivitete me rrezikshmëri mesatare në të lartë, do të rrezikoni veten sado të sigurt keni qenë për disa muaj. Të jemi realistë, tashmë jemi duke u përballur me një rritje të rasteve të infektuarish, pra mund të jeni më të ekspozuar ndaj rrezikut tani sesa keni qenë në fillimin e pandemisë edhe pse atëherë masat e izolimit ishin ndër më të rreptat.

Më poshtë janë të listuara aktivitetet me rrezikshmërinë më të lartë në ato me rrezikshmërinë më të ulët për infektim.


Të udhëtosh me avion


Risku: I lartë

Pse konsiderohet si veprimtari e rrezikshme?


Duhet të shmangni përdorimin e transportit ajror dhe ta konsideroni vetëm për rastet kur është për shkak të një urgjence, deri në shpalljen e një vaksine ose trajtimi të mirëfilltë për këtë virus. Fluturimet konsiderohen si një nga situatat më të rrezikshme ku mund të ekspozoni veten ndaj virusit.

Aeroportet kanë tendencën të jenë mjedise stresuese. Njerëzit janë gjithmonë të shqetësuar për të kapur fluturimin, duke bërë kontrollet e sigurisë, në përgjithësi ka shumë shpërqendrim. Duke qenë se vëmendja juaj shpërndahet ndërkohë që jeni duke u përpjekur të orientoheni se ku duhet të shkoni dhe çfarë duhet të bëni, krejt natyrshëm del jashtë fokusit ruajtja e distancimit social, maskave apo higjenës së duarve. Kështu që edhe atyre që kujdesen dhe përpiqen të zbatojnë me përpikmëri rregullat e sigurisë, u del situata nga kontrolli.

Problemi tjetër me aeroportet është se gjendeni mes njerëzve që vijnë nga e gjithë bota, nga vende me rrezikshmëri të lartë, të cilët mund të jenë mbartës të virusit.

Ndërsa jeni në avion është thuajse e pamundur të qëndroni 2 metra larg të tjerëve, qoftë edhe nëse afër jush nuk ka pasagjerë të tjerë. Brenda në avion nuk ka mundësi për ajrosje. Mundësia që një person i prekur të infektojë gjithë avionin është shumë e lartë.

Si të ulim riskun e infektimit?


Nëse do të duhet të fluturoni me avion, patjetër që duhet të mbani maskën gjatë gjithë kohës. Kujdesuni të rezervoni fluturimet që nuk janë të mbipopulluara. Hidhini një sy faqeve të kompanive të fluturimeve për të kuptuar më shumë rreth seriozitetit me të cilin e trajtojnë situatën rreth virusit.

Kur të jeni në avion kujdesuni të pastroni edhe njëherë vetë ulësen dhe tavolinën mbështetëse me peceta dezinfektuese. Nëse shkoni në tualetin e avionit kujdesuni të pastroni duart dhe të përdorni sterilizuesin kur prekni gjërat që mund t’i kenë prekur të tjerë para jush.


Frekuentimi i ambienteve të brendshme në bare dhe klubet e natës


Risku: I lartë

Pse konsiderohet si veprimtari e rrezikshme?


Sigurisht që është tunduese të dilni për një pije me miqtë. Por, frekuentimi i bareve konsiderohet me rrezikshmëri të lartë infektimi. Problemi i parë është që ju apo të tjerët rreth jush mund të mos mbani maskën duke qenë se jeni duke pirë diçka e njëkohësisht duket e vështirë ruajtja e distancimit social.

Baret janë vende ku dëgjohet muzikë e lartë, e duke qenë se me vështirësi e dëgjoni njëri-tjetrin detyroheni të bërtisni për të bërë porosinë dhe për t’u marrë vesh me të tjerët pranë jush. Faktori tjetër i riskut është higjiena, e cila është e vështirë për t`u ruajtur në baret dhe klubet e frekuentuara në masë.

Si të reduktojmë riskun:


Mënyra më e mirë për të reduktuar riskun është të shmangni plotësisht frekuentimin e bareve. Për momentin konsumimi i pijeve në shtëpi apo në ambientet e jashtme mbetet mundësia më e mirë.


Të shkosh në parukeri/qendra estetike


Risku: I mesëm në të lartë

Pse konsiderohet si veprimtari e rrezikshme?


Në pamje të parë mund të duket si veprimtari e padëmshme por nga frekuentimi i parukerive apo qendrave estetike jeni shumë të ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit. Duke marrë shërbime në parukeri, ju nevojitet të qëndroni për një kohë të konsiderueshme pranë njëri-tjetrit dhe në këtë mënyrë mund të transmetoni ose të merrni virusin.

Edhe në rast se po mbani maskë, mos harroni që ajo nuk ju bën të pamposhtur, sidomos në atë distancë të ngushtë por maska ju ndihmon të zvogëloni riskun e transmetimit apo të marrjes së virusit.

Si të ulim riskun e infektimit?


Salloni i trajtimeve estetike apo parukeria nuk duhet të jetë me shumë persona brenda të njëjtit ambient, duhet të jetë e ajrosur mirë me dyer e dritare të hapura, që të ketë qarkullim sa më të mirë të ajrit. Shumë sallone janë duke punuar me numër të kufizuar klientësh si dhe janë rigoroz në mbajtjen e maskës prej punonjësve dhe klientëve, veprim ky shumë i rëndësishëm për të qenë të sigurt.


Të ngrënit në restorante të mbyllura


Risku: I mesëm në të lartë

Pse konsiderohet si veprimtari më shumë se mesatarisht e rrezikshme?


Frekuentimi i ambienteve të brendshme të restoranteve mund të jetë e rrezikshme për disa arsye. Së pari, duke qëndruar brenda dhe të rrethuar nga të tjerët ekspozoheni ndaj njerëzve që e mbartin virusin. Nëse rezervoni një tavolinë në pjesën e jashtme të restorantit gjasat e infektimit janë më të ulëta sepse ajri qarkullon shumë më shpejtë.

Gjithashtu do të jeni të ekspozuar ndaj njerëzve që nuk do të jenë duke mbajtur një maskë mbrojtëse sepse normalisht nuk mund të hanë ushqimin me të. Së fundmi duke pasur përreth stafin e restorantit, në mënyrë të pashmangshme do të duhet të bisedoni me ta për të bërë porosinë apo për të kërkuar diçka nga një distancë shumë e vogël.

Si të ulim riskun e infektimit?


Një zgjidhje është frekuentimi i restoranteve që kanë ambiente të jashtme, duke u kujdesur që kur të jeni aty të ketë respektim distance ndërmjet tavolinave dhe të mos jetë ambient i mbipopulluar.

Përpiquni të kuptoni nëse ky biznes i përmbush rregullat strikte të sigurisë, e nëse është duke e marrë seriozisht menaxhimin e situatës së pandemisë.


Të takoheni me miqtë në ambiente të mbyllura


Risku: I mesëm në të lartë

Pse konsiderohet si veprimtari më shumë se mesatarisht e rrezikshme?


Dalja me miqtë varet nga numri i personave me të cilët shoqëroheni, sa mirë i njihni dhe sa të ekspozuar kanë qenë ata para se të takohen me ju. Nëse keni një grup miqsh që e dini se janë të kujdesshëm dhe të ndërgjegjësuar jeni më pak të rrezikuar.

Ekspertët e Shëndetit Publik rekomandojnë kufizimet e takimeve në ambiente të mbyllura me miqtë apo të afërmit sa më shumë të jetë e mundur. Është shumë më e lehtë të përhapet virusi në mjedise të brendshme duke qenë se njerëzit kanë tendencën të qëndrojnë më afër me njëri-tjetrin, të prekin sipërfaqe ku virusi qëndron më gjatë, si dyert, tavolinat, karriget, etj. Disa ekspertë thonë se festat dhe takimet në vende të mbyllura mes miqsh apo familjarësh po ndikojnë ndjeshëm në rritjen e numrit të infektuarve.

Si të ulim riskun e infektimit?


Nëse ndodh të ftoni miq në shtëpi kujdesuni t’u kërkoni të mbajnë maskë, e të menaxhoni numrin e të ftuarve për të pasur mundësi të keni hapësirë të mjaftueshme për të qëndruar në distancë. Kujdesuni të jeni përzgjedhës kundrejt atyre që ftoni në shtëpi, nuk është koha të ftoni njerëz që nuk i njihni mirë apo që nuk u besoni plotësisht. Ftoni një grup miqsh që e dini se janë të përgjegjshëm dhe nëse nuk mundeni ta bëni këtë atëherë organizimet tuaja duhet të jenë në natyrë ose ambiente të hapura. Kujdesuni që të gjithë të ruajnë distancën dhe ajrosni vazhdimisht shtëpinë.


Frekuntimi i palestrës


Risku: Mesatar

Pse konsiderohet si veprimtari mesatarisht e rrezikshme?


Së pari, siguria varet nga sipërfaqja e palestrës, sa e mbipopulluar është dhe se sa mirë mund të ruani distancën nga të tjerët. Kjo nuk përfshin grupet e fitnesit, të cilat për tani duhen shmangur.

Çfarë e bën palestrën të jetë ndryshe nga vendet e tjera është se ndërsa jeni duke bërë ushtrimet fizike duke bërë frymëmarrje pak më të sforcuar, grimcat virale përhapen shpejt dhe pa dyshim është shumë e vështirë të realizohen ushtrimet fizike duke mbajtur maskë.

Si të ulim riskun e infektimit?


Jini të vëmendshëm që të mos ketë shumë njerëz në palestër kur të shkoni. Mund të telefononi paraprakisht për të mësuar nëse ka shumë njerëz apo jo.

Jini vigjilent nëse palestra ka sistem të mirë ajrimi ose jo dhe nëse personat përgjegjës janë duke u kujdesur të respektohen të gjitha rregullat e nevojshme. Pra, nëse rregullat respektohen siç duhet palestrat mund të konsiderohen si vende me rrezikshmëri të ulët në mesatare.

Sigurohuni të pastroni vetë pajisjet para se të filloni t’i përdorni por edhe pasi mbaroni punë me to.

Disa njerëz thonë se nëse ndihesh aq mirë sa për të shkuar në palestër nuk do të infektoheni por jemi duke parë se transmetimi në nivele të konsiderueshme, madje edhe mbi 40% po ndodh nga persona asimptomatik. Këta persona ndihen mirë, ushtrohen dhe kanë potencialin ta përhapin virusin


Të bësh pazarin


Risku: I mesëm në të ulët

Pse konsiderohet si veprimtari me potencial të ulët në mesatarisht të rrezikshëm?


Kjo varet nga vendi ku bëni blerjet dhe sa i populluar është dyqani apo marketi. Është mirë të zgjidhni një vend ku nuk ka shume fluks njerëzish dhe ku mund të ndiheni të sigurt.

Si të ulim riskun e infektimit?


Zgjidhni dyqanet që janë më pak të populluara dhe përpiquni të shkoni gjatë orëve të qeta. Duhet të kontrolloni nëse dyqani po shfrytëzon mjete mbrojtëse shtesë si barrierat mbrojtëse plastike në kasë, nëse dezinfektojnë karrocat e ushqimeve pas çdo përdorimi apo nëse vendosin në tokë logo që përcaktojnë ruajtjen e distancës.


Të hani në ambiente të jashtme


Risku: I ulët në të mesëm

Pse konsiderohet si veprimtari me potencial të ulët në mesatarisht të rrezikshëm?


Të darkoni apo drekoni diku në ambiente të jashtme, nëse keni mundësi të ruani distancën dhe të shmangni zonat e mbipopulluara atëherë jeni më pak të riskuar sesa të ngrënit në mjedise të mbyllura. I vetmi shqetësim është se në mjediset e hapura dhe gjatë ngrënies nuk mbahet maska dhe jeni në kontakt të vazhdueshëm më stafin e restorantit.

Si të ulim riskun e infektimit?


Kujdesuni të uleni në tavolina që kanë distancë nga tavolinat e tjera. Kontrolloni nëse restoranti që po frekuentoni ka me përparësi higjienën e mjediseve, stafit dhe pajisjen e tyre me maska mbrojtëse. Përpiquni të mbani maskën sa më shumë të jetë e mundur, sidomos kur do t’ju duhet të bisedoni me kamarierët.


Të dalësh me miqtë në natyrë


Risku: I ulët në të mesëm

Pse konsiderohet si veprimtari me potencial të ulët në mesatarisht të rrezikshëm?


Nëse dëshironi të mblidheni e të kaloni kohën më miqtë kjo është mënyra më e mirë. Nëse organizoni diçka në oborrin e shtëpisë suaj, mos ftoni njerëz që nuk i njihni mirë dhe mundohuni të mos grumbulloheni shumë persona.

Si të ulim riskun e infektimit?


Njësoj si në rastin kur ftoni njerëz në ambientet e brendshme edhe në këtë rast kujdesuni të ftoni një numër të kufizuar personash, për të patur mundësi distancimi. Kujdesuni të mbani maskën dhe inkurajoni njerëzit përreth të kujdesen për higjienën e duarve.


Të shkoni në park


Risku: I ulët

Pse konsiderohet si veprimtari me potencial të ulët infektimi?


Të shkuarit në park konsiderohet si aktivitet me rrezikshmëri të ulët duke qenë se ju jeni në natyrë dhe keni hapësirë të mjaftueshme për të ruajtur distancimin social. Në rast se parqet janë shumë të populluara dhe nuk respektohet distancimi social, atëherë risku i infektimit rritet.


Çfarë dimë dhe nuk dimë për testet serologjike të Koronavirusit