Alkooli dhe era e keqe e gojës


Një natë me miqtë  mund të shkaktojë më shumë se sa një dhimbje koke të nesërmen. Edhe pse alkooli është një lëng, ai mund të thajë gojën duke shkaktuar rritjen e baktereve që shkaktojnë halitozën ose thënë ndryshe erën e keqe të gojës. Pijet me kafeinë, ushqimet pikante dhe cigarja kanë të njëjtin efekt. Goja e thatë gjatë natës nga mos prodhimi i mjaftueshëm i pështymës shpjegon gjithashtu aromën jo të këndshme të mëngjesit.

Gjuha dhe era e keqe e gojës


Bakteret në gjuhë janë shkaktare të erës së keqe të gojës. Pastrojeni gjuhën me furçën e dhëmbëve ose me pastrues të veçantë për gjuhën. Shmangni përdorimin e pastruesve plastik të butë që mund të këputen, si dhe ato metalike që mund të jenë të mprehta.

Dietë e varfër në karbohidrate


Kur ulni sasinë e karbohidrateve dhe rrisni sasinë e proteinave në dietën tuaj, trupi fillon të djegë yndyrat për të prodhuar energji. Era e keqe e gojës vjen si pasojë e prodhimit të ketoneve që çlirohen gjatë këtij procesi. Në këtë rast, edhe pse ruani një higjenë të mirë të gojës, nuk mjafton duke qenë se problemi qëndron diku tjetër. Në këtë rast mund të maskoni erën duke ngrënë çamçakëz pa sheqer.

Virozat


Sikur të mos mjaftonte sikleti që i shoqëron infeksionet e traktit respirator si kolla dhe bronkiti, shoqërohen edhe me aromë jo të këndshme të gojës. Kjo sepse bakteret që shkaktojnë aromën e keqe të gojës ushqehen në mukus. Nëse keni hundë të zëna keni tendencën të merrni frymë me gojë, që shkakton tharjen e gojës.

Ulçera


Në vetvete ulçera mund të mos jetë një problem. Sipas një studimi të The Journal of Medical Microbiology rezulton se bakteri Helicobacter pylori i cili shkakton ulçerën mund të bëhet shkak për të patur erë jo të këndshme të gojës. Për të zbuluar nëse jeni mbartës të H.pylori mund të bëni analiza specifike dhe më pas të merrni mjekimin e duhur.

Medikamentet


Më shumë se 400 ilaçe me dhe pa recetë duke përfshirë ilaçet kundër depresionit apo të alergjive mund të frenojnë prodhimin e pështymës. Pështyma ndihmon në pastrim të ushqimit dhe baktereve duke mbajtur larg aromën e keqe të gojës gjatë ditës. Ndryshimi i medikamenteve nuk është gjithmonë një zgjidhje, prandaj Shoqata Amerikane e Stomatologjisë rekomandon të hidratoheni dhe të përtypni çamçakëz pa sheqer për ta patur gojën të lagur. Në këto raste, era e keqe e gojës mund të eliminohet edhe me përdorimin e shpëlarësve oralë. 

Gurët e bajameve


Këto grumbullime që shfaqen në formën e gurëve me ngjyrë të bardhë përbëhen nga baktere të ngurtësuara, grimca ushqimi, qeliza të vdekura dhe mukus. Këto grupime ngecin tek bajamet ose në pjesën e pasme të gjuhës suaj. Përgjithësisht janë të padëmshëm por manifestojnë aromë të keqe të gojës. Mund të largohen vetë ose ju mund të përshpejtoni largimin e tyre duke bërë gargarë me ujë me kripë.

Frutat e thata


Era e keqe e gojës shkaktohet si pasojë e baktereve në gojë që ushqehen me sheqerin e shumtë që gjendet në këto fruta. ¼ e një filxhani me rrush ka 21 gram sheqer, e njëjta sasi e kajsive të thata përmban 17 gram sheqer, është si të hash 4-5 lugë çaji sheqer i pastër. Përveç kësaj frutat mund të mbeten mes dhëmbëve. Pas një vakti të shpejtë kujdesuni të pastroni dhëmbët me furçë ose me fill dentar.

Refluksi ose urthi


Këto janë dy simptoma të sëmundjes së refluksit gastroezofageal, një çrregullim i zakonshëm i tretjes. Era e keqe e gojës mund të vijë si pasojë e rikthimit të disa ushqimeve që nuk treten ose rikthimi ndodh për shkak të një irritimi nga lëngu acid në stomak. Kërkoni ndihmë nga mjeku juaj nëse e përjetoni shpesh urthin.

Dhëmbë të prishur dhe të mbushur


Në dhëmbët me karies apo në dhëmbët e mbushur mund të mbeten copëza ushqimi ose të shumohen bakteret, duke shkaktuar kavitete, sëmundjen e mishrave të dhëmbëve dhe aromën e keqe të gojës. Protezat e dëmtuara mund të shkaktojnë të njëjtat probleme. Këto janë disa arsye më tepër për të patur vizita të rregullta me dentistin.