Nëse ju ka rastisur  të lexoni artikuj për ushqyerjen e shëndetshme apo shëndetin ka shumë të ngjarë të keni parë në titujt e tyre termin “super ushqimet” të përdorur për të përshkruar ushqimet që përmbajnë vlera të jashtëzakonshme për shëndetin. Ndërsa nuk ka një përcaktim të saktë të asaj që quhet “super ushqim” sipas një konsensusi brenda rrjetit të industrisë ushqimore këto konsiderohen si centrale energjetike për vitaminat, mineralet, yndyrat e shëndetshme, enzimat dhe antioksidantët. Nëse konsumohen shpesh dhe të kombinuara luajnë rol të rëndësishëm në stabilizimin e glukozës në gjak, ndihmojnë për të shmangur zhvillimin e sëmundjeve si kanceri dhe sëmundjet e zemrës si dhe ju drejtojnë në një stil jetese të shëndetshëm.

Në vijim  do të lexoni për 10 “super ushqimet” që duhet të merrni parasysh në planifikimin e vaktit tuaj.

Jeshillëqet


Spinaqi, sallata dhe gjethe të tjera jeshile përmbajnë nutrientë si vitamina A, vitamina C dhe kalciumi. Disa studime kanë treguar se jeshillëqet ndikojnë në reduktimin e riskut për diabet të tipit 2.

Agrumet


Agrumet si për shembull portokallet, përmbajnë pak sheqer dhe janë të pasura me vitaminë C që ndihmon për të fuqizuar sistemin imunitar. Agrumet përmbajnë gjithashtu nutrientë si folatet dhe kaliumi, që kanë treguar se ndihmojnë qarkullimin e mirë të gjakut.

Arrat dhe farat


Arrat dhe farat përmbajnë sasi të mëdha të yndyrave të shëndetshme dhe fibra që ndihmojnë në mirëfunksionimin e zemrës si dhe ndihmojnë në stabilizimin e sheqernave në gjak. Ato janë gjithashtu një burim shumë i mirë i proteinave bimore. Provoni të shtoni një grusht prej tyre në tërshërën që konsumoni në mëngjes ose kombinojini me një pjesë fruti për të pasur një mesvakt të balancuar. 


Bishtajoret


Tek bishtajoret futen fasulet e zeza, laramane, qiqrat si dhe bizelet e thjerrëzat. Përmbajnë sasi të mëdha të fibrave dhe proteinave bimore që ndihmojnë për tretje të mirë dhe ruajtjen e niveleve të qëndrueshme të glukozës në gjak.

Tërshëra


Tërshëra është një tjetër burim i shkëlqyer i fibrave që fuqizon shëndetin e zemrës dhe ndihmon njerëzit që vuajnë nga tipi 2 i diabetit të arrijnë nivelet optimale të sheqerit në gjak. Një alternativë akoma edhe më e shëndetshme do të ishte zgjedhja e tërshërës së papërpunuar që nuk përmban sheqer të shtuar. Ëmbëlsojeni veten me një lugë çaji mjaltë ose mjedra të freskëta dhe shtoni pak qumësht, arra ose fara për të përfituar më shumë proteina.

Avokado


Konsumimi i yndyrave të shëndetshme është parësor për promovimin e shëndetit të mirë të zemrës, veçanërisht për individët me diabet duke qenë se ata janë më të riskuar për të shfaqur sëmundje të zemrës. Yndyrat e pranishme tek avokado mund të ndihmojnë në uljen e kolesterolit, reduktojnë inflamacionin në trup dhe nxisin qarkullim të mirë të gjakut. Ato gjithashtu përmbajnë një sasi të mirë të fibrave që mbajnë nivelin e sheqerit në gjak të qëndrueshëm.

Brokoli


Brokoli dhe të gjithë lakrat e kësaj familjeje janë të pasura me antioksidantë. Gjithashtu janë një burim i shkëlqyer i fibrave dhe i disa fitokimikateve që mund të ndihmojnë në parandalimin e shumë llojeve të kancerit.

Domatet


Likopeni është një lëndë ushqyese thelbësore që gjendet tek domatet, antioksidant i fuqishëm që fuqizon shëndetin e zemrës dhe redukton riskun për disa lloje të kancerit. Domatet janë të pasura me vitaminë C, e cila ul nivelet e larta të sheqerit në gjak dhe minimizon  ngritjen e menjëhershme të sheqerit në gjak pas ngrënies së vakteve tek personat me diabet të tipit 2.

Patatet e ëmbla


Patatet e ëmbla janë perime rrënjore, përmbajnë niseshte dhe janë të njohura për shijen e ëmbël dhe sasinë e madhe të fibrave që përmbajnë krahasuar me pataten normale. Ato përmbajnë proteina bimore të cilat krijojnë ndjesinë e ngopjes për një kohë më të gjatë ndërmjet vakteve ndërkohë që e mbajnë nivelin e sheqerit në gjak të qëndrueshëm.

Qershitë


Një nga frutat më të dashur të verës që përmbajnë sasi të ulëta të sheqerit dhe janë veçanërisht të dobishme në luftimin e inflamacionit. Qershitë përmbajnë sasi të shumta të antioksidantëve. Zgjedhja më e mirë do të ishte përdorimi i qershive të freskëta duke qenë se nuk përmbajnë sheqer të shtuar si shumica e varieteteve të konservuara ose të thara.


Shenjat e një diabeti të pakontrolluar


Si të hamë karbohidrate të mira: Indeksi Glicemik


Jeni me diabet? 5 këshilla për këmbë të shëndetshme