Me siguri e dini që ushtrimet dhe një dietë e mirë mund ta mbajnë zemrën tuaj të shëndetshme. Por çfarë mund të bëni tjetër për të mbajtur tiktak-un tuaj të fortë? Mjekja kardiologe e MIA Clinic, Dr. Edlira Rruci rekomandon pesë gjërat kryesore që duhet të bëni çdo ditë për të ndihmuar zemrën tuaj të funksionojë në mënyrë sa më efikase. Përfshijini këto zakone në stilin e jetës dhe shëndeti i zemrës suaj do të jetë më i miri i mundshëm.

Hani yndyrna të shëndetshme, JO yndyrna trans (artificiale)


Ne kemi nevojë për yndyrna në dietën tonë, duke përfshirë yndyrnat të ngopura dhe ato të pangopurat. Një yndyrë që nuk na duhet është yndyra trans, e cila njjihet të rrisë rrezikun e zhvillimit të sëmundjes së zemrës ose goditjes në tru gjatë jetës. Kjo sepse yndyrnat trans bllokojnë arteriet tona duke rritur nivelet e kolesterolit të keq (LDL), dhe duke ulur nivelet e kolesterolit të mirë (HDL). Duke i larguar ato nga dieta juaj, ju përmirësoni rrjedhën e gjakut në të gjithë trupin.

Pra, çfarë janë yndyrnat trans? Ato janë yndyrna të prodhuara nga industria, të përdorura shpesh në produkte të pjekura e të paketuara, ushqime të shpejta, margarinë dhe ushqime të skuqura për të shtuar aromë dhe strukturë.

Këshillë: Lexoni etiketat në të gjitha ushqimet. Yndyra trans shfaqet në listën e përbërësve si vajra pjesërisht të hidrogjenizuar. Kërkoni për 0% yndyrë. Bëjeni rutinë  shmangien e ngrënies së ushqimeve me yndyrna trans.

Ruani higjenën e mirë të dhëmbëve, veçanërisht pastrimin e dhëmbëve me fill dentar


Shëndeti i dhëmbëve është një tregues i mirë i shëndetit të përgjithshëm, përfshirë zemrën tuaj, sepse ata që kanë sëmundje periodontale (të gingivave) shpesh kanë të njëjtët faktorë rreziku për sëmundjet e zemrës. Studimet vazhdojnë për këtë çështje, por shumë kanë treguar se bakteret në gojë të përfshira në zhvillimin e sëmundjes së mishit të dhëmbëve mund të lëvizin në qarkullimin e gjakut dhe të shkaktojnë një rritje të proteinës c-reaktive, një tregues për inflamacion në enët e gjakut. Këto ndryshime më tej mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru.

Këshillë:
Pastroni dhëmbët me furçë dhe fill dentar çdo ditë për të shmangur sëmundjen e mishit të dhëmbëve. Mund t'ju duhet të kujdeseni më shumë për dhëmbët nëse keni probleme me gingivat.


Flini gjumë aq sa nevojitet 


Gjumi është një pjesë thelbësore e të mbajturit të zemrës suaj të shëndetshme. Nëse nuk flini mjaftueshëm, ju mund të keni risk më të lartë për sëmundje kardio-vaskulare, pavarësisht moshës apo zakoneve të tjera të jetesës. Një studim i cili përfshiu 3,000 të rritur mbi moshën 45 vjeçare zbuloi se ata që flinin më pak se 6 orë  në natë kishin thuajse dy herë më shumë mundësi për të pasur një goditje në tru apo atak në zemër, sesa njërëzit që flinin 6-8 orë në natë. Studiuesit besojnë se të fjeturit shumë pak, shkakton çrregullime në shumë elementë të shëndetit si dhe në proçeset biologjike, duke përfshirë presionin e gjakut dhe inflamacionin.

Këshillë: Kthejeni gjumin në prioritet. Flini 7 deri 8 orë në shumicën e netëve. Nëse vuani nga apnea e gjumit, duhet të merrni trajtim sepse kjo gjendje lidhet me sëmundjet e zemrës dhe aritmitë.


Mos qëndroni gjatë ulur


Në vitet e fundit, kërkimet kanë sugjeruar që qëndrimi ulur për periudha të gjata kohore është i dëmshëm për shëndetin tuaj pavarësisht se sa ushtrime bëni. Ky është një lajm i keq për shumë njerëz që qëndrojnë në punë ulur gjithë ditën. Po të shohim rezultatet e kombinuara të disa studimeve vëzhguese që përfshinë gati 800,000 njerëz, studiuesit zbuluan se tek ata që qëndronin ulur më shumë, kishte një rritje prej 147% të ngjarjeve kardiovaskulare, dhe një rritje me 90% të vdekjes së shkaktuar nga këto ngjarje. Përveç kësaj, qëndrimi ulur për periudha të gjata kohore (sidomos gjatë udhëtimeve) rrit rrezikun për trombozë të venave të thella (nga mpiksjet e gjakut).

Këshillë: Ekspertët thonë se është e rëndësishme të lëvizni gjatë gjithë ditës. Parkoni larg zyrës, bëni disa shëtitje të shkurtra dhe/ose përdorni një tavolinë pune ku ju duhet të qëndroni në këmbë, në mënyrë që të lëvizni lart e poshtë. Dhe mos harroni të kryeni aktivitet fizik në pjesën më të madhe të ditëve.

Shmangni qëndrimin në vendet ku pihet duhan 


Studimet tregojnë se rreziku i zhvillimit të sëmundjeve të zemrës është rreth 25% deri në 30% më i lartë për njerëzit që janë të ekspozuar ndaj tymit të duhanit, në shtëpi ose në punë. Sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës, ekspozimi ndaj tymit të duhanit kontribuon me rreth 34,000 vdekje të parakohshme prej sëmundjeve të zemrës dhe 7,300 vdekje nga kanceri i mushkërive çdo vit. Gjithashtu jo-duhanpirësit që kanë presion të lartë të gjakut ose kolesterol të lartë në gjak kanë një rrezik edhe më të madh për të zhvilluar sëmundje të zemrës kur janë të ekspozuar ndaj tymit të duhanit. Kjo sepse kimikatet e emetuara nga tymi i cigareve nxisin zhvillimin e grumbullimit të pllakave në arterie.

Këshillë: Jini të vendosur me pirësit e duhanit, tregojini që nuk doni të qëndroni në mjediset ku ka tym, si dhe mbajini fëmijët larg tymit të duhanit.

Ndiqni këto pesë këshilla dhe do t’i bëni një nder zemrës suaj. Do të ndiheni më mirë dhe do të jeni në gjendje të qëndroni aktiv me një stil jetese të shëndetshme për zemrën.


Si t`i kuptojmë rrahjet e zemrës?


Çfarë i shkakton palpitacionet në zemër?


Një udhëzues mbi insufiçencën (pamjaftueshmërinë) e zemrës