Shpesh herë mund të kthehet në një situatë shumë konfuze. Fëmija juaj po transformohet para syve tuaj – po rritet, po zgjatet dhe po artikulon shumë. Me siguri mund t`ju lindin shumë pyetje si: A po ushqehet siç duhet? A po zhvillohet siç duhet? etj.

Për t`ju ndihmuar me këto pyetje e të tjera, ekipi i pediatrisë në MIA Clinic, i përgjigjet pyetjeve më të shpeshta që bëjnë prindërit për fëmijët e moshës 6 deri në 10 vjeç.


Si mund ta ndihmoj fëmijën me detyrat e shkollës?



Fëmijët funksionojnë më mirë kur gjenden në një mjedis të strukturuar. Për çdo klasë, mësuesit presin që fëmijët të kalojnë një kohë të caktuar më detyrat e shtëpisë. Flisni me mësuesin e fëmijës suaj për të kuptuar më shumë mbi rëndësinë e detyrave të përditshme dhe mendoni si mund të arrini ti strukturoni ato sa më mirë për fëmijën tuaj. Nëse detyrat e shtëpisë zakonisht, i marrin fëmijës suaj rreth 2 orë pas mësimit dhe fëmija juaj e ka të pamundur të qëndroj aq gjatë ulur, mundohuni t`i ndani ato në disa intervale.

Shmangni televizorin. Lëreni fëmijën në një dhomë të qetë. Si fillim mund t`ju duhet të uleni më të për ta ndihmuar të fokusohet, deri sa të ketë krijuar një rutinë, më pas çdo gjë do të jetë më e thjeshtë.

Mos harroni se Akademia Amerikane e Pediatrise (AAP) rekomandon që fëmijët të kenë një aktivitet fizik të përditshëm.

Përpiquni të caktoni disa aktivitete pas shkolle për fëmijën, gjithmonë duke i balancuar me detyrat që duhet të bëjnë në shtëpi. Jepini fëmijës gjithmonë mundësinë e zgjedhjes së aktiviteteve ekstrakurrikulare. Studimet kanë treguar se fëmijët kanë rezultate më të mira kur përfshihen në marrjen e vendimeve.


Sa kohë mund të shpenzojnë fëmijët para ekranit?



Sipas Akademisë Amerikane të Pediatrisë (AAP) rekomandohen jo më shumë se 2 orë në ditë para ekranit, përfshirë televizorin apo pajisje të tjera elektronike. Megjithatë sa më pak, aq më mirë.

Ne rekomandojmë familjet të kufizojnë përdorimin e pajisjeve elektronike në dhomat e gjumit, pasi mund të ndikoj në krijimin e zakoneve të këqija dhe prindërit mund të mos jenë më në gjendje për të kontrolluar videot apo lojërat që fëmijët janë duke parë ose luajtur.




Cila është mënyra më e mirë për të menaxhuar kohën që fëmija shpenzon në internet?



Flisni me fëmijën për sigurinë e faqeve online, përfshirë rrjetet sociale dhe rreziqeve që mund të sjellin ato. Jini të vëmendshëm për faqet e internetit qe frekuenton fëmija juaj dhe bllokoni faqet problematike.

Flisni me fëmijën tuaj dhe mundohuni të vendosni disa rregulla bashkërisht.


Sa orë gjumë duhet të flejë fëmija?



Rekomandohen rreth 10 deri në 11 orë në natë. Nëse fëmija po fle kaq orë në natë dhe përsëri shfaq shenja lodhjeje, ose nëse fëmija nuk mund të flejë, ose fle më shumë se sa duhet, konsultohuni me mjekun për t`u siguruar që çdo gjë po shkon mirë me shëndetin e fëmijës suaj.


Çfarë duhet të dijë një prind për pubertetin?



Mosha mesatare që vajzat kanë periodat e para është rreth 11 deri në 12 vjeç. Por puberteti nis 3 deri në 4 vjet më para.

Për çdo fëmijë është ndryshe, por rreth moshës 8 ose 9 vjeçare, mund të nisin ndryshime të gjirit dhe shenja të tjera të pubertetit. Vajzat mund të ankohen edhe për dhimbje të gjirit – çka është një shenjë normale e pubertetit.


Çfarë është më mirë të pijë fëmija: lëng frutash, qumësht apo ujë?



Sipas rekomandimeve të AAP-së, lëngjet me sheqer nuk duhet të kalojnë sasinë e 120 ml në ditë. Ne ju rekomandojmë:

  • Deri në 3 gota qumësht në ditë – pa yndyrë ose deri në 2%.
  • 650 ml ujë në ditë
  • Nëse dëshironi të jepni lëngje frutash, jo më shumë se 120 ml në ditë.



Sa racione me fruta dhe perime duhet të hajë një fëmijë?


Ne rekomandojmë rreth 5 ose 6 racione frutash dhe perimesh në ditë. Ajo çka është më e rëndësishme është që fëmija mos të hajë ushqime të shpejta dhe të përpunuara gjatë ditës, kështu, në rast urie do të ketë një opsion të shëndetshëm gati. Edhe nëse nuk i pëlqejnë frutat dhe perimet, asnjëherë mos reshtni së propozuari zakone të shëndetshme të ata.


A kanë nevojë fëmijët për multivitamina?



Nëse mendoni se dieta e fëmijës suaj nuk është e plotë, mund të mendoni për multivitamina. Por nëse fëmija juaj po ushqehet shëndetshëm, nuk është e nevojshme të marr vitamina. Është e rëndësishme që fëmija të marr vitaminat nëpërmjet ushqimeve në vend të suplementeve.


A duhet të vaksinohet një 10-vjecar kundër HPV-së?



AAP rekomandon që vajzat dhe djemtë e moshës 10 ose 11 vjeçare të vaksinohen kundër HPV-së. Vendimi se kur duhet të vaksinohen varet nga prindërit, por vaksinimi është më efektiv nëse merret para adoleshencës, pra para moshës kur të rinjtë janë aktiv seksualisht.

Është e rëndësishme të flisni me fëmijën për aktivitetin seksual, ushqyerjen, shkollën dhe probleme të tjera më të cilat ata mund të përballen. Po ashtu, është e rëndësishme që ata të ndihen të lirë të komunikojnë me ju, sepse marrëdhënia që krijoni tani me ta, do ju mbaj afër edhe kur ata të rriten.



Lexo më shumë:


10 arsye pse fëmija juaj nuk po rritet sa bashkëmoshatarët