Dhimbja e kokës pa dyshim mund të jetë një simptomë e COVID-19, por gjithashtu mund të ketë shumë shkaqe të tjera. Në fakt, kjo është edhe vështirësia në diagnostikimin e coronavirusit të ri, bazuar vetëm në simptoma: asnjë simptomë nuk është definitive për COVID-19. Për këtë arsye, vetëm testi për COVID-19 mund të tregojë me saktësi nëse jeni të infektuar ose jo.

11 simptomat e njohura të coronavirusit të ri janë:


  • Ethe
  • Kollë
  • Vështirësi në frymëmarrje
  • Lodhje
  • Dhimbje trupi dhe muskujsh
  • Dhimbje koke
  • Humbje të shijes ose nuhatjes
  • Dhimbje fyti
  • Bllokim hundësh
  • Nauze ose të vjella
  • Diarre

Por, përsëri duhet thënë se shumë sëmundje të tjera shfaqen me po të njëjtat simptoma. Gripi për shembull, shkakton ethe, kollë, vështirësi në frymëmarrje, lodhje dhe dhimbje trupi. Ndaj, nëse i kemi këto simptoma nuk mund të themi asnjëherë më siguri se bëhet fjalë për një infeksion të COVID-19.

E megjithatë, në këtë kohë dhe në këtë vend ku testimi është i vështirë për t`u kryer, nëse i kemi këto simptoma duhet ta konsiderojmë veten si të prekur nga COVID-19. Nuk duhet të panikojmë, por duhet të ndërmarrim disa hapa për të ruajtur shëndetin tonë dhe të tjerëve afër nesh:

  • Duhet të izolohemi dhe të shmangim kontaktet me njerëz të tjera në rast të shfaqjes së simptomave të mësipërme.
  • Të telefonojmë në numrin 127 për të kërkuar kryerjen e testit për COVID-19.
  • Mbajtja e maskës dhe distanca fizike nga persona të tjerë të cilët mund të jenë duke u kujdesur për ju.

Po sikur të keni vetëm dhimbje koke? Ose keni vetëm nauze apo diarre? A duhet të mendoni se jeni të infektuar nga coronavirusi?


Në këtë rast, jo. Mund të prisni dhe të shihni si do vazhdojë gjendja juaj. Një dhimbje koke që zhduket pas pak orësh, është pak e mundur të jetë një simptomë e COVID-19. Gjithashtu, edhe një diarre e cila largohet vetvetiu, ka pak gjasa të jetë si pasojë e COVID-19, më shumë mund të jetë e lidhur me diçka që mund të keni ngrënë ose pirë.

Megjithatë, nuk është asnjëherë një ide e keqe të mbani distancë nga persona të tjerë, përfshirë pjesëtarët e familjes, nëse përjetoni ndonjë prej simptomave të përmendura më sipër. Nëse vërtetohet se nuk jeni të infektuar nga COVID-19, shumë pak humbisni nëse ruani distancën fizike. Por nëse vërtetohet e kundërta, me distancimin fizik mund të parandaloni përshkallëzim të infektimit në rrethin e njerëzve tuaj të dashur.


Dhimbja e kokës - kur duhet të shqetësohemi?