Ndërsa administrimi i vaksinave COVID-19 mbetet prapa parashikimeve të mëhershme dhe një variant i ri, edhe më infektues po qarkullon, shumë ekspertë po bëjnë thirrje për një ndryshim të planeve. Por a mund të vonohet doza e dytë e vaksinës? Disa ekspertë po argumentojnë se duke zgjatur kohën midis dy dozave, ose përgjysmuar dozën, më shumë njerëz mund të imunizohen më shpejtë pa sakrifikuar efikasitetin e gjerë.

Megjithatë, ka të tjerë duke përfshirë këtu edhe FDA-në, të cilët mbrojnë qëndrimin që duhet të vazhdojmë me të njëjtin plan. Provat për efikasitetin e dozave të vetme nuk janë mjaft të forta për të vonuar dozën e dytë, thonë ata, dhe zyrtarët e shëndetit publik duhet të përqëndrohen në përshpejtimin e proçeseve të shpërndarjes dhe administrimit në vend.


Cili është propozimi i FDA?


Sugjerimet për ndryshime në dozim ose në planifikimet e autorizuara tashmë nga FDA të këtyre vaksinave janë të nxituara dhe nuk janë të bazuara fort në fakte. Pa të dhëna të përshtatshme që mbështesin ndryshime të tilla në administrimin e vaksinave, ne rrezikojmë të cënojmë shëndetin publik.

Të dy vaksinat Pfizer/BioNTech dhe Moderna shfaqën rreth 95% efikasitet për parandalimin e sëmundjeve në provat klinike, kur pacientët morën dy doza të plota brenda intervalit të specifikuar të kompanive - 21 ditë për vaksinën Pfizer/BioNTech dhe 28 ditë për versionin Moderna.


Cilat janë të dhënat që kemi?


Ka pak të dhëna ku mund të mbështetemi për vendimmarrje kur bëhet fjalë për shpërndarjen e më pak dozave, ose zgjatjen e intervalit.

Në të dhënat e fazës I, Pfizer raportoi se përqëndrimet e antitrupave në serum 21 ditë pas dozës së parë ishin të krahasueshme ose më të mira se nivelet në plazmën e një personi të prekur nga virusi, gjatë fazës së rikuperimit, dy javë pas infeksionit. Këto nivele u rritën shumë më lart një javë pas dozës së dytë. Nivelet e antitrupave panë "rritje të vogla" 21 ditë pas dozës së parë, por ato u rritën "ndjeshëm" 7 ditë pas vaksinës së dytë.

Në të dhënat e saj të hershme, Moderna raportoi se nivelet e antitrupave u rritën shpejt pas vaksinimit të parë, dhe ishin të ngjashme me nivelet mesatare nga ekzemplarët plazmatikë të rikuperimit. Por pas dozës së dytë, nivelet ishin në limitin e sipërm të vlerave në mostrat e serumit të rikuperimit.

Në të dhënat e fazës III, Pfizer raportoi efikasitet prej 52.4% brenda 21 ditëve pas dozës së parë, pra, përpara administrimit të dozës së dytë. Kompania gjithashtu raportoi një efikasitet prej 82% "pas dozës 1", e cila dukej se ishte për pjesëmarrësit që i merrnin të dyja dozat duke numëruar të gjitha infeksionet, përfshirë edhe ato që ndodhën para dozës së dytë.

Më shumë mbështetje për vonesën në dhënien e vaksinës së dytë erdhi nga një studim i publikuar së fundmi në Analet e Mjekësisë Interne, i cili vlerësonte se një strategji dozimi “fleksibile” mund të pakësonte nga 23% në 29% te rasteve me COVID-19 krahasuar kjo me një strategji "fikse" ku dozat jepen me diferencë kohore prej 3 javësh. Kjo bazohet mbi vlerëzimin e Pfizer/BioNTech se efikasiteti i një doze të vetme është rreth 52%.


Cilat janë propozimet e mundshme?


Duke u nisur nga këto të dhëna, disa ekspertë kanë bërë thirrje për një ndryshim në strategji. Për shembull, Bob Wachter, MD, i Universitetit të Kalifornisë në San Francisco,në San Francisco, së fundmi mbështeti vonesën e dozave të dyta për disa javë ose më shumë. Në një twit të tij ai shprehet “Disa shkencëtarë të besueshëm kanë argumentuar se një vonesë 2-mujore në dozen nr. 2 do të kompromentonte fuqinë/kohëzgjatjen e përgjigjes imune përfundimtare. Në fakt, të tjerë kanë argumentuar që do ta rriste efektshmërinë. Mundësia që imuniteti të zbehet midis 2 dozave, nuk duket të jetë një shqetësim i madh - veçanërisht duke pasur parasysh shkallën e riinfektimit të vogël që kemi parë nga infeksioni natyror dhe përgjigjen e fortë imune të parë, pas dozës së parë."

Por mund të bëjë kuptim që të qëndrojmë në planin fillestar, pra ta jepet doza e dytë në kohë tek personat më të rrezikuar (mbi 75 vjeç, në shtëpitë e të moshuarve), ose tek më të ekspozuarit (punonjës të kujdesit shëndetësor në vijën e parë). Rënia e vogël e efikasitetit nga vonesa e dozës së dytë mund të jetë me rëndësi në këto grupe.

Megjithatë, duke pasur parasysh që variantet me transmetueshmëri të lartë  janë në rritje, na nevojitet një strategji e modifikuar. Por duhet të theksojmë se ndryshimi i kursit në këtë pikë, mund të dëmtojë gjithashtu besimin e publikut në vaksinë, gjë që është veçanërisht e rëndësishme sepse shumë njerëz, përfshirë punonjësit e kujdesit shëndetësor, e kanë refuzuar atë tashmë, duke përmendur çështje të besimit.


Cilat janë qëndrimet në Europë?


Kombet e tjera tashmë i kanë rregulluar politikat e tyre. Kohët e fundit Britania e Madhe zgjati intervalin Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca në 12 javë. Disa pacientë mund të lejohen të përziejnë vaksina të ndryshme, pavarësisht se zyrtarët qeveritarë pranojnë që "asnjë provë nuk e mbështet këmbyeshmërinë", raporton Reuters.

Agjencia Evropiane e Barnave e Bashkimit Europian (EMA) po lejon deri në gjashtë javë midis inokulimeve të vaksinës Pfizer/BioNTech, por autoritetet shëndetësore Spanjolle dhe Irlandeze rekomandojnë të ndiqen afatet e Pfizer/BioNTech.

Wachter në Twitter shkruan: "Debati është i shëndetshëm. Ka pro dhe kundër strategjisë aktuale dhe alternativës që ne paraqesim, dhe ka paqartësi reale që lidhen me të dyja... Konteksti për debatin është siguria e afërt që ne do të humbasin 50-100K amerikanë të tjerë këtë muaj dhe ne jemi të kërcënuar nga një mutacion që mund të përshpejtojë tragjeditë. Pra, koha është një variabël thelbësor... Le t'i kushtojmë gjithë vëmendjen, të dhënat dhe kapacitetet tona më të mira kësaj çështjeje, në mënyrë që të mund të bëjmë zgjedhjet më të mira".

Cfarë po ndodh në Shqipëri?


një përditësim të datë 27 Janar, Ministria e Shëndetësisë ka raportuar se vaksinimi antiCovid për personelin shëndetësor të vijës së parë të luftës kundër COVID-19 në “Air Albania” Stadium ka vijuar në ditën e 17.

Në total janë vaksinuar 632 mjekë, infermierë, laborantë, epidemiologë, të cilët janë në vijën e parë të ofrimit të shërbimit për pacientët me COVID19.

Të gjithë punonjësit e shëndetësisë, mjekët, infermierët, që ofrojnë shërbime në spitalet COVID dhe strukturat e tjera të vijës së parë në përballje me COVID-19 kanë pranuar të vaksinohen, sipas planifikimit të hartuar nga ekspertët.

Zv. Ministrja e Shëndetësisë, M. Rakacolli është shprehur se doza e dytë për ata që kanë marrë dozën e parë është e sigurt. Pra, deri më tani duket sikur Shqipëria po i qëndron varinatit të parë mbi aplikimin e vaksinës anti-Covid19, që për vaksinën e Pfizer/BioNTech është me një interval 21 ditë nga doza e parë në të dytën.


Testi serologjik për COVID-19 - kur duhet të kryhet?