"Korpusi i të mbijetuarve",
është një grup pacientësh në rrjetet sociale, të cilët kanë kaluar infeksionin e COVID-19 dhe raportojnë vazhdimisht simptoma që mund të shfaqen gjatë apo edhe pas infeksionit të COVID-19. Faqja e grupit në Facebook kohët e fundit arriti 100,000 anëtarë, shumë prej të cilëve përfshihen në grup për të diskutuar simptomat që kanë pasur shumë kohë pasi "u rikuperuan" nga COVID-19.

Anëtarët e Korpusit të të mbijetuarve janë duke regjistruar përvoja në kohë reale, kështu që ata kanë dëgjuar për gjëra para se të bëhen publike në media. "Ne pamë 'Gishtërinjtë COVID' një muaj para se të dilnin në media. E njëjta gjë me humbjen e flokëve.", tregon Diana Berrent, themeluesja e këtij grupi. Ankesat e tjera përfshijnë një humbje të zgjatur të shijes dhe nuhatjes, si dhe çështje më serioze të tilla si goditjet e vogla në tru (mini-stroke) dhe fillim i diabetit.

Këtë verë, grupi bashkoi forcat me një profesor në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Indiana për të anketuar të mbijetuarit dhe për të mësuar më shumë rreth asaj që po kalojnë disa nga "vuajtësit e sëmundjes afat-gjatë". Më shumë se 1,500 njerëz iu përgjigjën pyetësorit të tyre në korrik. Disa raportuan probleme të zgjatura të frymëmarrjes dhe probleme kardiovaskulare, por ata arritën në përfundimin se dhimbja e kyçeve, skuqjet, dhimbjet e muskujve, marramendja, konfuzioni, ndryshimet e shikimit, depresioni dhe ankthi ishin gjithashtu relativisht të zakonshme.

Lodhja për një kohë të gjatë, dhimbjet e muskujve dhe trupit dhe vështirësia në përqëndrim ose fokusim duket se janë veçanërisht të përhapura në mesin e të mbijetuarve nga COVID-19. Kjo shumllojshmëri e simptomave, të cilën disa e kanë quajtur "sindroma post-COVID", është krahasuar me sindromën e lodhjes kronike, megjithëse shumica e njerëzve që e zhvillojnë atë pas COVID-19 nuk i plotësojnë kriteret diagnostikuese për këtë sindromë.

T'i mbijetosh COVID-it por të përballesh me çështje të tjera shëndetësore


Pse njerëzit përjetojnë lodhje është ende e paqartë, por ka të ngjarë të ketë të bëjë me
çregullimin e sistemit imunitar, inflamacionin e vazhdueshëm në trup dhe dëmtimin e drejtpërdrejtë të trurit ose palcës kurrizore që mund të ndërpresë komunikimin midis neuroneve," thotë Dr. Drini Dobi, neurolog në MIA Clinic.

Nëse ndonjë nga këto simptoma që vihen re pas sëmundjes, është vërtet unike për COVID-19, nuk është ende e qartë. Nuk është e pazakontë për njerëzit që luftojnë çdo lloj infeksioni serioz, të ndjehen të dobët dhe të lodhur për muaj më pas. Çështjet njohëse dhe çështjet e shëndetit mendor, të ngjashme me PTSD (çrregullimi i stresit post-traumatik) janë gjithashtu të zakonshme, veçanërisht midis njerëzve që kanë qenë aq të sëmurë sa për të kaluar një kohë të konsiderueshme në repartin e terapisë intensive.


Simptomat që raportohen pas infeksionit COVID-19


Diana Berrent, themeluesja e Korpusit të të mbijetuarve, e cila vet ka kaluar një infeksion të moderuar të COVID-19, është ndër ata që ndiheshin mirë për një periudhë kohore, e prapë tani po i duhet të përballet me këto shqetësime misterioze. Ajo thotë se kohët e fundit ka përjetuar dhimbje të veshit të mesëm, dhimbje koke, të përziera dhe shikim të turbullt. "Si fotografe për 12 vitet e fundit, unë kam një shikim shumë të mprehtë," thotë ajo. "Megjithatë, kur shkova në ndeshjen e djalit tim nuk arrija të kuptoja se cili lojtar ishte ai."

Një tjetër rast që raportohet në grup është ai i Ruby Engel, e cila ka kaluar një rast jashtëzakonisht të lehtë të COVID-19 në Mars. "99% e ftohjeve të mia janë më të këqija se ajo që kalova", thotë ajo. Megjithatë, që nga ajo kohë, ajo ka pasur periudha vështirësie në frymëmarrje, rrahje të shpeshta të zemrës dhe dhimbje gjoksi. Ajo është diagnostikuar së fundmi me kardiomiopati (dobësim i muskulit të zemrës).

Engel gjithashtu ka përjetuar përkeqësime të astmës dhe refluksit, sëmundje që ajo kishte para COVID-19 por që ishin nën kontroll. "Është pothuajse sikur ky virus të ketë riaktivizuar problemet e mëparshme shëndetësore", thotë ajo.

Në fakt, kjo është plotësisht e mundur nëse keni pasur një kollë kronike për vite me radhë të lidhur me probleme të hundës ose refluksin, të cilën e keni mbajtur nën kontroll. Nëse COVID-19 përkeqëson ndjeshmërinë tuaj të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, mund t`ju duhet t`i riktheheni sërish trajtimit për ato shqetësime. 


Çfarë dinë mjekët për periudhën post-COVID deri më tani


Në këtë pikë, askush nuk e di se sa njerëz që kalojnë COVID-19 do të përfundojnë me probleme të zgjatura shëndetësore. Deri më tani, mendohet se rreth 10% e pacientëve me COVID-19 do të zhvillojnë një problem kronik.

Disa kanë qenë jashtëzakonisht të sëmurë ose kanë pasur një sëmundje bashkëshoqëruese të rëndësishme, si diabeti apo mbipesha, para se të infektoheshin me COVID-19, por jo të gjithë. Ka patur edhe raste atletësh të stërvitur të cilët kanë përjetuar lodhje të thellë dhe ezaurim gjatë ushtrimeve dhe arsyeja nuk njihet plotësisht. Gjithashtu, ndodh që pas sëmundjes, njerëzit mund të bien në depresion dhe izolimi dhe distancimi social nuk e ndihmon aspak këtë gjendje.

Lajmi i mirë është se shumë vuajtës afat-gjatë nuk do të kenë probleme të lidhura me COVID-19 për gjithë jetën. Në tërësi shumica e njerëzve që kanë këtë sindromë post-COVID duket se përmirësohen dhe kthehen në nivelin e tyre normal të funksionimit brenda tre ose katër muajve.

Megjithatë, vetëm koha dhe studimet e shumta shkencore, do të tregojë atë që përfundimisht ndodh me simptomat afat-gjata të COVID-19.

Do të duhen shumë muaj, në mos vite, që shkenca të japë përgjigje përfundimtare. Pasiguria e tanishme mund të jetë stresuese për personat që janë simptomatikë për periudha afatgjata, që nuk dinë si do të duket e ardhmja e tyre. Në të njëjtën kohë, shumë janë të shqetësuar se ata që nuk kanë ndarë përvojën e tyre nuk po i marrin aq seriozisht pasojat e mundshme, që do të thotë se ata mund të jenë më të kujdesur për masat mbrojtëse, të tilla si mbajtja e maskave dhe praktikimi i distancimit social.

Atë çka dimë me siguri deri më tani, është se COVID-19 na ka mësuar se mbijetesa nuk është e njëjtë me shërimin.


A është dhimbja e kokës një simptomë e COVID-19?