Me vazhdimin e pandemisë së COVID-19, shumë lajme dhe informacione po qarkullojnë në lidhje me testet për analizën e antitrupave - të cilat përcaktojnë nëse një person është prekur ose jo nga virusi.

Një informacion i tillë është kyç si për arsye studimore ashtu edhe për të kuptuar më shumë mbi sjelljen e virusit. Por rezultatet paraprake kanë evidentuar një sërë problemesh, përfshirë edhe një numër të lartë të rezultateve fals-pozitive - deri në 50% të rasteve. Një ndër arsyet e testeve fals-pozitive është edhe ekspozimi ndaj llojeve të tjera ekzistuese të Koronavirusit.


Të kuptojmë antitrupat


Një ndër pengesat kryesore në betejën me koronavirusin që shkakton COVID-19 (i njohur gjithashtu edhe si SARS-CoV-2) është se, ky virus është kaq i ri sa që nuk ka mjaftueshëm informacion mbi të. Jo vetëm që ka boshllëqe të mëdha në njohuritë tona, por shumë prej informacioneve që bëhen publike në një ditë, ndryshojnë brenda pak ditëve të tjera.

Si rezultat, është e vështirë të përcaktohet se çfarë mund të konsiderohet një mbrojtje efikase ndaj virusit, qoftë edhe duke matur nivelin e antitrupave në gjak. Për këtë arsye mbrojtja ndaj COVID-19 nuk është ende qartësisht e përcaktuar, që do të thotë se ne ende nuk dimë se cila është përgjigja imunitare që na garanton mbrojtjen nga virusi. Ky është një informacion që do të vijë pas studimeve prospektive të vaksinës.

Një tjetër problem i lidhur me antitrupat e COVID-19 është se jo të gjithë pacientët do të zhvillojnë antitrupa pas infeksionit. Disa prej tyre i humbasin antitrupat pas infeksionit ndërsa të tjerë i zhvillojnë ata - por shpesh antitrupat janë në nivele të ulëta, nën nivelin e mundshëm të detektimit.

A shkakton infeksioni COVID-19 imunitet?


Paaftësia për të matur siç duhet nivelin e antitrupave në çon natyrshëm në pyetjen më të rëndësishme të këtyre kohërave: a fiton imunitet një person pasi infektimit me COVID-19?

Përgjigja e shkurtër e kësaj pyetjeje është thjeshtë: nuk e dimë. Por, ka tregues që na bëjnë të mendojmë se imuniteti shfaqet pas infeksionit, por për një periudhë jo shumë të gjatë.

Në pacientët e infektuar me SARS - një koronavirus simotër e atij që shkakton COVID-19, janë zhvilluar antitrupa edhe gjatë kohës që pacientët ishin sëmurë. E njëjta gjë po ndodh edhe në pacientët me SARS-CoV-2, në fakt, rastet e rënda dhe kritike shfaqin nivel më të lartë antitrupash, çka ngre shumë pikëpyetje në lidhje me rolin e antitrupave.

Një tjetër problem është i lidhur me koronaviruset e zakonshëm, specifikisht ata të identifikuar si 229E, OC43, NL63 dhe HKU1. Shumë persona infektohen nga këta llojë koronavirusi përgjatë çdo stine, madje ndonjëherë edhe disa herë përgjatë një stine, çka do të thotë se imuniteti ndaj këtyre lloj virusesh nuk zgjat shumë.

Megjithatë, duhet të kuptojmë se kur bëhet fjalë për SARS-CoV-2, nuk mund të përgjithësojmë, pasi kemi ende shumë për të mësuar, por nuk do të ishte një habi nëse edhe ky lloj virusi do të kishte të njëjtat tipare se viruset e tjera simotra. Kjo do të thotë se, edhe nëse do të kemi një vaksinë të mirë, përsëri do të duhet të vaksinohemi për çdo vit, ashtu si në rastin e gripit.

Të gjitha këto informacione nuk duhet të na humbin shpresën, por është e rëndësishme të kuptojmë se sa pak dimë në lidhje me antitrupat. Kryerja rutinë e testeve për antitrupa nuk duhet të krijojë ndjesinë e sigurisë false, pasi kjo mund të jetë me pasojë të rënda për shëndetin tonë dhe të afërmve tanë.

Po në rastin e një rezultati fals pozitiv?


Një tjetër faktor që mund të ndikojë në rezultatin e testit, është niveli i antitrupave pas një infeksioni të lehtë. Është parë se në këto raste, pacientet kanë nivel më të ulët të antitrupave dhe disa prej tyre nuk gjenerojnë antitrupa - çka mund të na bëjë të mendojmë se nuk ka patur infeksion.

Po ashtu, mund të marrim një rezultat negativ ndërkohë që jemi të infektuar, pasi trupi ende nuk ka arritur të prodhojë sasinë e duhur të antitrupave. Ose mund të ndodh që të kenë kaluar shumë kohë nga infeksioni dhe niveli i antitrupave ka rënë nën nivelin e detektueshëm.

Rezultati fals pozitiv shfaqet edhe në personat mbi moshën 50 vjeç, për shkak të nivelit të rritur të antitrupave antinukleare - të cilat rriten në sëmundje autoimune si lupusi ose artriti rheumatoid.

Edhe viruse të tjera kanë shkaktuar rezultate fals-pozitive, si psh. virusi herpes ose dengue, apo edhe vet virusi i gripit.

Pasoja është siguria false që krijon një test fals pozitiv.

A duhet të bëni një test serologjik?


Pa dyshim, kurioziteti te çdo kush nëse e ka kaluar apo jo infeksionin të COVID-19 është shumë i madh.

Testi mund të kryhet nga kushdo, por duhen patur parasysh të gjithë faktorët e sipërpërmendur në interpretimin e rezultatit, pasi siguria false nga një test që rezulton pozitiv mund të jetë me rrezik për shëndetin tuaj dhe të afërmve tuaj.


A është dhimbja e kokës një simptomë e COVID-19?