Nëse dikush kollitet afër jush, mos ndoshta ka Coronavirus? Duhet të blini një maskë? Mund të qëndroni në ambiente të populluara? Duhet të dilni jashtë? Ja gjithçka çfarë duhet të dini dhe bëni për Coronavirusin.

Sipas paralajmërimeve të CDC-së përhapja e Coronavirusit nuk është më një çështje “nëse do të përhapet” se sa “kur do të përhapet”, dhe me të drejtë, njerëzit janë shumë të shqetësuar mbi këtë situatë të re të krijuar. Sigurisht, ka shumë arsye për shqetësim pasi deri më tani janë regjistruar 83.000 raste me Coronavirus, dhe rreth 3.000 persona kanë humbur jetën si pasojë e këtij infeksioni.

Pavarësisht shqetësimeve të shumë njerëzve dhe dyshimeve nëse duhet të mbajmë maskë, nëse duhet të shmangim kontaktin me çdo qenie njerëzore ose deri aty sa një krizë po afron dhe duhet të magazinojmë ujë e ushqime, nuk ka vend për panik. Ky shkrim mund t`ju shërbej për t`ju përgjigjur disa nga pyetjeve dhe dyshimeve më të shpeshta të këtyre ditëve.

A duhet të jemi të shqetësuar tani për tani për Coronavirusin?


Përgjigja e shkurtër është: Nëse jeni përgjithësisht të rinj dhe të shëndetshëm, jo, nuk duhet të shqetësoheni tani për tani për virusin.

Titujt e para të portaleve e fjalët e shumë mjekëve kanë hedhur në qarkullim fjalën “pandemi” dhe “shpërthim” për të karakterizuar virusin, por coronavirusi është larg niveleve të epidemisë në Shqipëri, ashtu si në shumë vende të tjera të botës. Pandemi quajmë kur sëmundja ka infektuar shumë njerëz globalisht, ndërsa epidemi kur përhapja e sëmundjes është jashtë kontrollit. OBSH-ja ende nuk e ka klasifikuar coronavirusin si një pandemi (edhe pse i plotëson dy nga tre kriteret e të quajturit e tillë), çfarë do t`i detyronte shtetet të implementonin plane të posaçme për këtë gjendje.

Nuk mund të përjashtojmë mundësinë se kjo do të ndodh në të ardhmen – virusi ka treguar të jetë i vështirë për t`u kontrolluar, edhe pas përpjekjeve të shumta me karantina. Por sigurisht që kjo nuk do të thotë se ka ardhur koha të ndërtojmë një bunker (ose të shfrytëzojmë ata që kemi), ose për të bërë gjëra të tjera përtej atyre të zakonshmeve që na sigurojnë ruajtjen e shëndetit (psh. të lajmë duart!!).


Oh, moos – personi afër meje po kollitet. Mos ndoshta është me Coronavirus?



Me shumë mundësi, jo.

Pa dyshim, një ndër këshillat që qarkullojnë për momentin është edhe shmangia e kontaktit të afërt me njerëzit e sëmurë. Por nëse jemi në autobus dhe dikush fillon të kollitet apo teshtijë, të gjithë e dimë se është e pamundur të kërkojmë të ndalojmë autobusin. Kjo është e vërteta e përditshme, është pothuajse e pamundur të shmangim çdo kontakt me njerëzit e sëmurë, pasi kontakti me ta mund të jetë në punë, shkollë, rrugë, transport publik etj.

Kolla është një simptomë e coronavirusit, por deri tani në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar më Coronavirus. Dhe çka është më interesante, deri tani shumë raste në botë janë identifikuar edhe në persona pa simptoma. Nëse dikush afër jush është duke u kollitur, është më shumë e mundur të jetë si pasojë e një alergjie, të ftohti ose gripi të thjeshtë. Por nëse vet ju ndiheni të sëmurë, do të ishte një ide e mirë vizita me një mjek.


A vlen të bëjmë vaksinën e gripit?



Po....POO!!! Edhe këtë vit si çdo vit tjetër, pavarësisht pandemisë së radhës, gjithmonë vlen të bëhet vaksina e gripit. Është mirë për shëndetin tuaj dhe shëndetin e personave rreth jush. Edhe pse vdekshmëria nga gripi është më e ulët se ajo nga Coronavirusi, në Shqipëri ka shumë raste me grip dhe deri më tani asnjë rast me Coronavirus. Gripi, i cili sjell një pandemi për çdo vit, nuk është duke marrë vëmendjen që po merr Coronavirusi, çka e bën më shumë të mundur që ju të prekeni nga një grip më shumë se nga një Coronavirus. Ndaj këshilla jonë është: Vaksinohuni nga gripi, nuk është vonë, vizitohuni nga një mjek nëse ndiheni keq dhe qëndroni në shtëpi.


A më nevojitet një maskë?



Jo. Kursejini vetes disa para (që në këto ditë mund të jenë edhe shumë duke marr parasysh çmimin e maskave) dhe mos magazinoni në shtëpi maska. Mund të keni parë pamje të njerëzve nëpër botë me këto maska, por maskat nuk rekomandohen për vende të cilat nuk kanë raste me Coronavirus.

Ajo çka dimë deri tani, është se Coronavirusi përhapet si sëmundjet e tjera respiratorë – pas teshtimave dhe kollës deri në 2 metra largësi – mbajtja e maskës do të ishte e vlefshme vetëm nëse punoni në spital, ose nëse ju jeni të sëmurë (që në këtë rast ju rekomandojmë të qëndroni në shtëpi).

Me përhapjen e virusit, shumë biznese oportuniste do të lindin, të cilat mund të premtojnë parandalim efikas e të tjera premtime si këto. Por nuk është e nevojshme të visheni si për një sulm armësh biologjike, situata nuk është e tillë.


A mund të shkoj në pushimet e planifikuara?



Nëse nuk i keni planifikuar pushimet në Kinë ose në Korenë e Jugut, mund të shkoni me pushime. Mund të keni dëgjuar për mbyllje kufijsh, por asnjë masë e tillë nuk është ndërmarrë deri më tani pasi ato asnjëherë nuk funksionojnë siç duhet. Sipas CDC-së në listën e shteteve për t`u shmangur sipas mundësive janë: Kina, Korea e Jugut, Irani, Italia dhe Japonia, të cilat kanë regjistruar një përhapje të virusit, por nëse nuk jeni duke udhëtuar me një person në moshë ose me dikë që vuan nga sëmundje kronike, nuk është e këshilluar shmangia në mënyrë absolute në këto vende. Më e mira që mund të bëni është të lani duart dhe nëse jeni sëmurë mos udhëtoni me avion, tren, autobus ose traget.


Cilët persona po infektohen më rëndë?



Njësoj si me gripin, personat që po marrin infeksionet më të rënda janë të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe ata me rënie të imunitetit.

Epidemiologët kanë paralajmëruar se shumë njerëz mund të preken nga Coronavirus, por shumica e këtyre infeksioneve do të kalojnë pa u kuptuar, pa simptoma të dukshme dhe pa ndihmë mjekësore. Asnjë fëmijë nuk ka humbur jetën nga SARS, dhe deri më tani fëmijët janë kursyer edhe nga Coronavirusi.


A mund të hamë në një restorant kinez?


Po! Ju lutemi të mos tregoheni racist. Dhe po ashtu, mund të hani të sigurt edhe në restorante italiane.

Cfarë më duhet t`i them prindërve që me dërgojnë vazhdimisht lajme mbi Coronavirusin?


Mund të bëni copy/paste këtë mesazh:

Çkemi Mami/Babi!

E di që po qarkullojnë shumë lajme mbi Coronavirusin, por unë nuk jam dhe aq i/e shqetësuar dhe mendoj që as ti nuk duhet të jesh. Për shumicën e njerëzve që infektohen, sëmundja kalon e lehtë dhe në disa raste pa u vënë re. Edhe mënyra e parandalimit është e ngjashme me gjithë viruset e tjera të rrugëve respiratore: larje duarsh, shmangia e kontaktit të afërt me personat e sëmurë, mos prekja e syve, hundës dhe gojës. Praktikisht, ato që më këshillon gjithmonë ti.


Sigurisht, mesazhin e përshtatni vet ju sipas marrëdhënies suaj, por duke qenë se prindërit kanë tendecën të dramatizojnë situatat, nuk rekomandojmë përdorimin e emoji-it që qesh me lot, pasi mund ta ngatërrojnë me emoji-n që qan me lot.

Si të parandalojmë sëmundjet e dimrit?