Keni dhimbje muskulare ose dhimbje koke? Para se të merrni medikamente për qetësimin e dhimbjes duhet të njiheni me mediakmentet që do të përdorni dhe me efektet anësore të tyre. Lexoni gjithmonë me kujdes etiketat dhe ndiqni udhëzimet para përdorimit.

Llojet e medikamenteve kundër dhimbjes (analgjezikët):


Këto medikamente ndahen në dy kategori kryesore:


  1. Acetaminophen (Paracetamol, Panadol, Tylenol, etj.)
  2. Anti-inflamatorë jo steroidë (AIJS)

Të dy këto kategori barnash ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjeve dhe ulin temperaturën. Medikamentet anti-inflamatore janë Ibuprofeni (Brufen, Avdil, Motrin, etj.), aspirina dhe naproxeni. Këto barna mund të gjenden në formën e tabletave, kapsulave, xhelit dhe lëngjeve.

A janë të sigurta?


Vite më parë prindërit i jepni shpesh fëmijëve të tyre aspirinë për temperaturë e dhimbje. Tani që mjekët dinë më shumë rreth sindromës Reye (një gjendje e rrallë por e rëndë e cila prek trurin, veshkat dhe mëlçinë) nuk rekomandojnë më përdorimin e aspirinës për fëmijët dhe adoleshentët për shkak të mundësisë së shfaqjes së këtij sindromi.

Fëmijët e sëmurë mund të përdorin Ibuprofen ose Acetaminophen, për aq kohë sa doza e marrjes përshtatet me moshën dhe peshën. Më të moshuarit duhet të bëjnë kujdes në përdorimin e analgjezikëve pasi mund të shkaktojnë efekte anësore.

A mund të pi alkool gjatë marrjes së këtyrë barnave?


Kombinimi i alkoolit dhe medikamenteve është i rrezikshëm. Shumë medikamente duke përfshirë edhe analgjezikët në fletën udhëzuese të tyre kanë të shënuar ndër të tjera edhe paralajmërime lidhur me konsumin e alkoolit gjatë përdorimit të tyre. Lexoni gjithmonë etiketat dhe ndiqni udhëzimet.



A e rrisin këto barna presionin e gjakut?


Disa analgjezikë pa recetë (OTC) mund të ndërveprojnë me disa medikamente të tensionit ose mund të rrisin presionin e gjakut tek njerëzit që nuk janë diagnostikuar më parë me tension. Nëse jeni duke marrë mjekim për tensionin e lartë të gjakut monitoroni rregullisht tensionin si dhe këshillohuni me mjekun tuaj për të zbuluar medikamentin më të mirë për ju për dhimbjen.

A shkaktojnë probleme me stomakun?


Disa anti-inflamatorë, si Ibuprofeni dhe Naproxeni mund të jenë irritues për stomakun. Mund të dëmtojnë paretet e stomakut duke shkaktuar ulçerë ose duke përkeqësuar situatën nëse jeni me ulçerë. Nëse do të jetë i nevojshëm përdorimi i analgjezikëve atëherë merrini në doza të ulëta për një kohë të shkurtër me ushqimin në mënyrë që të mbroni stomakun tuaj. Konsultohuni gjithmonë me mjekun tuaj nëse do t’ju duhet përdorimi i analgjezikëve për më shumë se një javë.

Si ndikojnë në veshka?


Veshkat janë dy organe që punojnë shumë. Ato filtrojnë mbetjet dhe ruajnë balancën e lëngjeve dhe elektrolitëve por anti-inflamatorët jo steroide si Ibuprofeni e Aspirina mund të interferojnë me aftësitë e tyre për të kryer këto funksione. Përdorimi i shpeshtë i këtyre medikamenteve mund të përkeqësoje sëmundjet e veshkave dhe mund të cojë në insuficence renale. Nëse keni sëmundje kronike të veshkave konsultohuni me mjekun tuaj para përdorimit të analgjezikëve AIJS për shkak se mund t`ju rekomandojë barna më pak toksike ndaj veshkave. Gjithashtu kombinimi i alkoolit me acetaminophen mund të shkaktojë dëmtim të veshkave ndaj, bëni kujdes të mos i përzieni me njëra-tjetrën.

Si ndikojnë në zemër?


Analgjezikët mund të jenë një thikë me dy presa për njerëzit me probleme zemre. Doza e ulët e përditshme e aspirinës ndihmon në hollimin e koagulave/trombeve të gjakut të cilat mund të çojnë në goditje në tru/stroke apo atak zemre.

Nga ana tjetër përdorimi në doza të larta për një kohë të gjatë i AIJS-ve mund të interferojë me efektin hollues të aspirinës. Mund të shkaktojë rritje të presionit të gjakut duke rritur rrezikun e sulmeve në zemër ose goditjeve në tru. Njerëzit me sëmundje zemre ose tension të lartë duhet të konsultohen gjithmonë me mjekun para marrjes së AIJS-ve.  Nuk rekomandohen në përgjithësi për njerëzit që vuajnë nga sëmundje të veshkave, të zemrës apo cirrozës hepatike.

Lexoni gjithmonë çfarë shkruhet në fletën udhëzuese të medikamentit.


Për të evituar marrjen e ilaçeve në dozë më të lartë seç duhet, kontrolloni listën e përbëresve aktiv.  Për shembull, nëse një medikament përmban acetaminophen duhet të shmangni marrjen e një medikamenti tjeter me po të njëjtin përbërës aktiv. Leximi i etiketës mund t’ju ndihmojë po ashtu, të shmangni përdorimin e barnave që mund t’ju shkaktojnë alergji.

A e dëmtojnë mëlcinë?


Barnat që përmbajnë acetaminophen dhe analgjezikë të tjerë janë të sigurta dhe efektive kur përdoren, por të gjithë medikamentet mbartin një risk. Acetaminopheni funksionon shumë mirë për çlirimin ndaj dhimbjeve, por mund të dëmtojë mëlçinë, kryesisht nëse e merrni në doza të larta. Për të parandaluar problemet e mëlçisë, respektoni dozën ditore të rekomanduar nga mjeku. Njerëzit me cirrozë hepatike duhet të evitojnë AIJS dhe të përdorin acetaminophen në doza të ulëta. Bisedoni me mjekun për të parë cili është analgjeziku i duhur për ju.

A mund të përdoren në gratë shtatzëna?


Kur jeni shtatzënë çdo gjë që hyn në trupin tuaj përcillet edhe tek bebi. AIJS-të nuk rekomandohen për gratë shtatzana gjatë tremujorit të tretë për shkak se rritet risku për të pasur komplikime tek fëmija. Nëse keni dhimbje, konsultohuni me gjinekologun për të vlerësuar arsyen e këtij shqetësimi. Ndoshta mund të qetësoheni duke bërë pak masazh ose duke vendosur një rrobë të ngrohtë në shpinë. Para përdorimit të ndonjë analgjeziku sigurohuni të jetë i sigurtë për shëndetin tuaj dhe të bebit.

A mund të ndërveprojnë barnat me njëra-tjetrën?


Disa medikamente nuk mund të merren së bashku me njëra-tjetrën. Marrja e tyre së bashku mund të çojë në ndërveprime të rrezikshme. Për shembull, AIJS-të rrisin rrezikun e hemorragjisë nëse shoqërohen me hollues gjaku si varfarina. Acetaminopheni gjithashtu mund të rrisë efektin e Varfarinës.

Për shkak se disa ndërveprime barnash mund të jenë kërcënuese për jetën, duhet gjithmonë të bisedoni me mjekun apo farmacistin për ilaçet që po merrni, madje edhe për suplementet, vitaminat ose mjekimet popullore.



Lexo më shumë:


Çfarë duhet të bëni për të shmangur dhimbjen e kokës dhe migrenën?