Është ky një cikël ndryshimesh që ndodhin në trupin e femrës nga momenti i pjekurisë seksuale deri në menopauze. Ky cikël ndyshimesh ndodh si në sferën neurologjike, ashtu dhe në ato endokrinologjike dhe gjinekologjike. Të gjitha ndryshimet që ndodhin gjatë ciklit vijnë si pasojë e ndërveprimit të disa organeve si psh: hipotalamusit, hipofizës, vezoreve dhe deri në një farë mase gjëndrave mbiveshkore. Ky ndërveprim realizohet nëpërmjet hormoneve të ndryshme. Të gjitha këto ndërveprime kane si qëllim të përgatisin mitrën për mbajtjen e embrionit të ri.

Hipotalamusi dhe hipofiza - janë pjesë e trurit; gjëndra të cilat sekretojnë hormone; ndër më të rëndësishmit për ciklin menstrual janë GnRH nga hipotalamusi dhe FSH e LH nga hipofiza.

Vezoret - përveç faktit se janë rezervë e oocyteve (vezëve), ato prodhojnë dhe hormone, ku më të rëndësishmit janë Estradiol (E) dhe Progesteron (P).

Dita e parë e ciklit është edhe dita e parë e gjakderdhjes (dhe jo dita e fundit siç mund të mendohet). Ky është nje informacion shumë i rëndësishëm për llogaritjen e kohëzgjatjes së shtatzanisë.

Kohëzgjatja e ciklit është periudha nga dita e parë e gjakderdhjes deri në ditën e parë të gjakderdhjes tjetër. Kohëzgjatja natyrale e ciklit është 28 dite +/-7 ditë.

Nga dita 1- 13. është faza e I-rë e ciklit, e cila quhet ndryshe edhe faza folikulare. Në pjesën e parë të fazës folikulare, për rreth 2-6 dite ndodh gjakderdhja.

Dita e ovulimit (pjekja e vezes) është afersisht në ditën e 14-të të ciklit, mirpo kjo vlen vetëm për ciklet 28-ditore.

Nga dita 14-28 është faza e II-të e ciklit, e quajtur ndryshe faza luteale. Duhet te kemi parasysh se faza luteale zgjat gjithmonë 14 ditë. E vetmja fazë e cila mund të shkrutohet ose të zgjatet është faza e parë e ciklit. Pra, n.q.s. cikli zgjat 33 ditë, atëherë ovulimi ka vend në ditën e 19-të dhe jo ne të 14-tën.

Femrat që duan të ngelin shtatzëna keshillohen të kryejnë marrdhënie gjatë periudhës së ovulimit ( +/- 3 ditë). Për femrat që duan të evitojnë shtatzanitë, keshillohet të mos kryejnë marrdhënie në këtë periudhe (+/-3 ditë).

Le të flasim pak për shenjat e ovulimit, për të thjeshtuar edhe konceptet e lartpërmendura. Sic është thënë dhe më lartë, n.q.s. cikli menstrual zgjat mesatarisht 21-36 ditë kemi të bëjmë me menstruacione të rregullta. Mirpo, fakti se menstruacionet jane të rregullta nuk do të thotë gjithmonë se në cdo cikël ndodh ovulimi. Nqse do të trajtojmë mundesinë për të ngelur shtatzënë gjatë një cikli, atëhere është thelbësore të dihet n.q.s arrihet ovulimi apo jo. Faza e dytë e cilit, pra nga ovulimi deri në menstruacione zgjat gjithmonë 14-16 ditë.

Faktorët që sugjerojnë se gjatë ciklit ndodh ovulimi (cikle ovuluese):


- Sekrecione të bollshme, pa ngjyrë 14-16 ditë para menstruacioneve

- Dhimbje të fundit të barkut 14-16 ditë para menstruacioneve

- Monitorimi i temperturës së trupit - duhet të jetë e ndarë në dy faza: më e ulët para ovulimit dhe më e lartë pas ovulimit.

*keto janë shenja që çdo femër është në gjendje dhe mund t`i monitorojë vetë.


Mënyra shtesë për të kontrolluar n.q.s kemi ose jo të bëjmë me ovulim:


- Kryerja e testit të ovuminit - kryhet në të njëjtën mënyrë si testi i shtatzanisë (me urinë)

- Eko ginekologjike - për të analizur rritjen e folikulave në vezore - madhësia e folikulës e cila tregon ovulim 16-22 mm

- Niveli i estradiolit në gjak para ovulimit - 150-400 pg/ml

- Niveli i progesteronit në gjak 7 ditë para ovulimit > 30 nmol/l (kjo analizë jep informacionin më të saktë nëse ka ndodhur apo jo ovulimi).

Nga Dr. Arbesa Qinami
Mjeke Gjinekologe