Janë dy barnat që nuk i mungojnë askujt në sirtarin e ilaçeve. I përdorni kur keni temperaturë, dhimbje koke ose dhimbje nga menstruacionet. Në fakt, si paracetamoli ashtu dhe ibuprofeni përdoren për të trajtuar temperaturën dhe dhimbjen, por nuk zëvendësojnë plotësisht njëri-tjetrin.


Pra, cilin duhet të zgjidhni?


Mjekët e MIA Clinic ju vijnë në ndihmë duke ju treguar atë çka duhet të dini për të dy llojet e barnave në mënyrë që të bëni gjithmonë zgjedhjen e duhur.


Ç`duhet të dimë për Ibuprofenin?


Ibuprofeni është një medikament anti-inflamator jo steroid (AIJS) që mund të merret pa recetë. Ai është më i përshtatshëm për dhimbje që janë të lidhura me inflamacionin, që mund të përfshijnë skuqje, ënjtje e të tjera shenja të inflamacionit. Ibuprofeni është një zgjedhje e zgjuar në rastet si:

- Dhimbje shpine dhe qafe
- Dhimbje veshi
- Krampe menstruale
- Tërheqje muskulare
- Infeksion të sinuseve
- Dhimbje dhembi


Ç`duhet të dimë për paracetamolin?


Paracetamoli është një medikament i quajtur analgjezik, që do të thotë redukton dhimbjen nëpërmjet sistemit nervor por jo duke vepruar drejtpërdrejt në lokalizimin e dhimbjes. Është një zgjedhje e duhur në rastet si:

- Dhimbje koke
- Dhimbje kyçesh
- Dhimbje fyti


Cilat janë efektet anësore për të dy barnat?


Të dy barnat kanë risk për efekte anësore, ndaj është e rëndësishme të ndiqet mënyra e administrimit ashtu siç është e shkruar në fletën ilustrative ose sipas rekomandimit të mjekut apo farmacistit.

Efektet anësore të Ibuprofenit


- Konstipacion
- Djegie stomaku
- Nauze
- Dhimbje stomaku (ndaj është e rëndësishme të merret me ushqimin)

Marrja e ibuprofenit për një kohë të gjatë mund të rrisë riskun për efekte anësore më serioze si:

- Mpiksje gjaku
- Atak në zemër
- Dëmtim të veshkave
- Ulçer te stomakut
- Goditje në tru (stroke)

Efektet anësore të paracetamolit


Efektet anësore te paracetamolit janë minimale, por disa njerëz mund të shfaqin:

- Nauze
- Të vjella
- Dhimbje koke

Ibuprofeni metabolizohet nga veshkat ndaj nuk është një opsion i mirë për personat që vuajnë nga sëmundje të veshkave. Paracetamoli metabolizohet nga mëlçia ndaj nuk është opsioni më i mirë për personat që vuajnë nga sëmundjet e mëlçisë. Për ata që nuk kanë as problem me veshkat e as me mëlçinë, alternimi i të dyve për të shmangur mbidozimin dhe për të sulmuar dhimbjen në dy qasje të ndryshme është një opsion shumë i mirë.

Paracetamoli mund të jetë pjesë përbërëse e shumë barnave të tjera pa recetë mjekësore, si barnat për kollë dhe ato për grip ose ftohje. Nëse po merrni më shumë se një lloj medikamenti, duhet të lexoni me vëmendjen përmbajtjen e tyre, për të shmangur mbidozimin.

Cilin duhet të zgjidhni?


Edhe pse nuk ka një përgjigje standarde për këtë gjë, pikat e mëposhtme mund t`ju ndihmojnë.

Temperatura


Studimet kanë treguar se paracetamoli dhe iburpfeni kanë rezultate të ngjashme në uljen e temperaturës, ndaj zgjidhni atë që ju bën punë më mirë.

Probleme me stomakun


Nëse keni një stomak të ndjeshëm dhe keni vënë re se iburpofeni ju shkakton djegie të stomakut, zgjidhni paracetamolin.

Dhimbje menstruale


Ibuprofeni redukton prodhimin e prostaglandinave, të cilat nxisin kontraktimin e mitrës për fillimin e periodave të përmuajshme. Ibuprofeni lehtëson krampet menstruale dhe madje mund të reduktojë edhe sasinë e gjakderdhjes.

Medikamente të tjera


Nëse jeni duke marrë barna të tjera, ibuprofeni dhe paracetamoli mund të ndërveprojnë negativisht me këto barna. Për këtë arsye këshillohet gjithmonë biseda me një mjek ose farmacist para përdorimit të tyre.

Dhimbje persistente


Nëse keni dhimbje që zgjat prej disa ditësh, konsideroni alternimin e të dy barnave për të ulur riskun e efekteve anësore.

Fëmijët


Të dy barnat reduktojnë dhimbjen te fëmijët, por Ibuprofeni vepron më mirë në uljen e temperaturës te fëmijët. Sigurohuni që jeni duke përdorur dozën e duhur për fëmijën tuaj, sipas moshës dhe peshës trupore.

Çfarë duhet të merrni në konsideratë kur përzgjidhni një medikament kundër dhimbjes?