Çfarë janë testet screening?


Me siguri e keni dëgjuar shprehjen “parandalimi është më mirë se kurimi”? Nëse diagnostikoheni në kohë ju ndihmon kundër sëmundjeve si kanceri, diabeti, osteoporoza etj., duke ju dhënë mundësinë e kurimit nëse diagnostikoheni në faza të hershme. Testet screening mund të identifikojnë sëmundjen para shfaqjes së simptomave. Por për cilat teste screening keni nevojë, kjo varet nga mosha juaj, historia shëndetësore personale dhe familjare dhe faktorë të tjerë risku.

Kanceri i gjirit


Sa më shpejtë të diagnostikohet, aq më shumë janë shanset për kurim. Kanceri i gjirit në fazat e tij të hershme nuk përhapet në limfonoduj ose organe jetike. Për këtë arsye, diagnostikimi në kohë është shumë i rëndësishëm. Kontrolli i gjirit duhet të jetë pjesë e vizitës rutinë të mjekut duke filluar nga mosha 20 ose 30 vjeç. Në rast se keni faktorë të shtuar risku, shpeshtësia dhe lloji i kontrollit mund të ndryshojnë.

Një ndë ekzaminimet kryesore për identifikimin e kancerit të gjirit është mammografia, e cila përdor rreze X me dozë të ulët për të bërë një kontroll të gjirit për formacione të mundshme. Mosha për kryerjen e mammografisë është e ndryshme në varësi të riskut individual. Nëse nuk i jeni nënshtruar një pyetësori për përcaktimin e riskut për kancer gjiri, si rregull, mammografia rekomandohet mbi moshën 40 vjeç.

Megjithatë, për të përcaktuar saktë moshën në të cilën duhet të filloni të kryeni mammografinë ose ekzaminime të tjera për kancerin e gjirit, duhet të përcaktoni si fillim riskun tuaj individual për kancer gjiri. Pyetësorin mund ta plotësoni këtu.

Kanceri i qafës së mitrës


Kanceri i qafës së mitrës është i thjeshtë për t`u parandaluar. Në testet screening përfshihen Pap testi dhe testi për virusin e HPV-së. Pap testi identifikon qeliza jo normale të qafës së mitrës, të cilat mund të eliminohen para se të mund të zhvillojnë një kancer. Shkaku kryesor i kancerit të qafës së mitrës është infektimi me virusin HPV, i cili është seksualisht i transmetueshëm.

Mjeku do ju rekomandojë nëse do të duhet të kryeni vetëm një Pap test apo edhe një test për HPV. Gjithashtu do ju rekomandojë se sa shpesh janë të nevojshme për t`u kryer këto ekzaminime.

Për mbrojtje nga infektimi me virusin e HPV-së shërben vaksina kundër HPV-së, e cila rekomandohet për moshat nën 26 vjeç. Kjo vaksinë nuk mund t`ju mbrojë nga të gjithë llojet e HPV-së, megjithatë, mbron nga llojet kryesore të virusit që mund të shkaktojnë kancer.


Osteoporoza


Osteoporoza është një gjendje në të cilën kockat e një personi janë të dobësuara dhe më të prirura për thyerje. Pas menopauzës, gratë fillojnë të humbasin më shumë masë kockore. Simptoma e parë është zakonisht një frakturë e shkaktuar nga një aksident minimal.

Fatmirësisht, osteoporoza mund të parandalohet dhe trajtohet. Densitometria e kockave mat fortësinë e kockave dhe mund të parashikojë riskun për fraktura të ardhshme. Ky test rekomandohet për të gjitha gratë mbi 65 vjeç. Nëse keni risk të shtuar për osteoporozë, mund të filloni të kryeni testin në moshë më të hershme.

Kanceri i lëkurës


Janë disa lloje kanceri lëkure dhe trajtimi i hershëm mund të jetë efektiv për të gjithë ata. Kanceri më i rrezikshëm i lëkurës është melanoma. Disa persona kanë risk të trashëguar për zhvillimin e melanomës, i cili mund të shtohet me ekspozimin në diell.

Vëreni për ndryshime në lëkurë, përfshirë nishane ekzistuese dhe të reja. Kontrolloni për ndryshime në formë, ngjyrë dhe madhësi të tyre. Gjithashtu, rekomandohet që të kontrolloni lëkurën tuaj më një dermatolog nëse keni risk të shtuar për kancer të lëkurës.

Hipertension arterial


Me moshën , rritet edhe risku për hipertension arterial, veçanërisht nëse jeni mbipeshë dhe keni zakone jo të shëndetëshme të stilit të jetesës. Hipertensioni arterial mund të bëhet shkak për atak në zemër ose stroke. Ndaj mbajtja nën kontroll e presionit të gjakut mund të parandalojë rreziqe të mëvonshme për sëmundje kardiake dhe sëmundje të veshkave.

Matja e tensionit shërben për të na treguar 2 numra. Numri i parë është presioni sistolik - presioni që ushtron gjaku gjatë tkurrjes së zemrës. Numri i dytë është presioni diastolik - presioni i gjakut ndërmjet tkurrjeve të zemrës, pra kur zemra është në qetësi. Hipertensioni arterial konsiderohet kur vlera e tensionit është më e madhe se 130/80 mmHg. Kontrolli për vlerat e tensionit varet nga historia juaj shëndetësore dhe faktorë të tjerë risku. Duke u bazuar në këta faktorë, mjeku juaj ju rekomandon edhe shpeshtësinë e matjes së tensionit.

Kolesteroli


Nivel i lartë i kolesterolit shkakton bllokimin e arterieve duke u bërë shkak për atak në zemër ose stroke. Hipertensioni arterial, diabeti dhe duhanpirjja favorizojnë këtë proces - të njohur si atherosklerozë. Ndryshimet në stilin e jetesës dhe mjekimi mund të ndihmojnë në uljen e riskut.

Për të bërë analizat për kolesterolin duhet te jeni esëll për të paktën 9-12 orë. Në analizën e lipideve përfshihet niveli i LDL, HDL, kolesteroli total dhe trigliceridet. Në varësi të riskut individual, duhet të diskutoni me mjekun tuaj cila është mosha më e përshtatshme për të filluar me analizat për matjen e kolesterolit.


Diabeti i tipit 2


Diabeti mund të shkaktojë sëmundje të zemrës, veshkave, stroke, dëmitm të syve dhe probleme të tjera serioze. Mund ta kontrolloni diabetin me aktivitet fizik, rënie në peshë dhe mjekim nëse e diagnostikoni atë në kohë.

Analiza për gliceminë kryhet kur jeni esëll për të paktën 8 orë. Niveli i glukozës më i lartë se 100-125 mund të tregojë për një pre-diabet, ndërsa niveli mbi 126 mund të tregojë për një diabet. Analiza të tjera përfshijnë HbA1C dhe testi i tolerancës ndaj glukozës.

Në varësi të riskut tuaj individual, mjeku mund t`ju thotë se kur është mosha më e përshtatshme për të filluar me analizën për gliceminë.

Kanceri kolorektal


Kanceri kolorektal është shkaku i dytë i vdekjeve nga kanceri pas kancerit të mushkërive. Shumica e kancerit kolorektal vjen si pasojë e polipëve që rritën në shtresën e brendshme të zorrëve. Polipet mund të jenë kanceroze ose jo. Nëse polipet janë kanceroze, ato mund të përhapen në pjesë të tjera të trupit.

Kolonoskopia është një test i zakonshëm screening për kancerin kolorektal. Nëse shihen polipe ose formacione të tjera, kryhet biopsia e tyre. Për një person me risk mesatar për kancer kolorektal, kolonoskopia rekomandohet nga mosha 50 vjeç. Një tjetër test që mund të rekomandohet për diagnostikimin e kancerit kolorektal është testi për praninë e gjakut okult në feçe.

Flisni me mjekun tuaj për testet screening


Biseda për testet screening duhet të jetë e zakonshme ndërmjet mjekut dhe pacientit. Disa prej ekzaminimeve të përmendura më sipër duhet të jenë pjesë e rutinës tuaj mjekësore. Por në varësi të riskut tuaj individual mund të keni nevojë edhe për ekzaminime të tjera shtesë.

Kryerja e këtyre ekzaminimeve sipas rekomandimit të mjekut ndihmon në diagnostikimin e hershëm, në shanse më të mëdha për kurim e si pasojë në përmirësim të cilësisë së jetës.


Çfarë duhet të dijë çdo grua për depistimin e kancerit të gjirit - shpjegon mjekja onkologe Kleida Mati


Infeksionet e traktit urinar te gratë



Cikli menstrual dhe shenjat e ovulimit