Përhapja e shpejtë e Coronavirusit të quajtur tashmë COVID-19 ka ndezur alarm në gjithë botën. Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka deklaruar gjendjen e pandemisë dhe në gjithë botën, numri i të prekurve është gjithnjë në rritje.

Çfarë është Coronavirus?


Koronavirusuet janë një familje e madhe virusesh, të cilat infektojnë si kafshët ashtu edhe njerëzit. Janë shtatë lloje të njohura të koronavirusit, dy prej të cilëve shkaktojnë infeksione të rënda respiratore: SARS-CoV dhe MERS-CoV. Koronoavirusi i shtatë është ai që u shfaq në Kinë i njohur tashmë si SARS-CoV-2, shkaktar për pandeminë e COVID-19.

Çfarë është COVID-19?


COVID-19 është shkurtim i “sëmundja Coronavirus 2019”, emri zyrtar i përcaktuar nga OBSH për sëmundjen e shkaktuar nga ky lloj i ri i identifikuar i Coronavirusit - SARS-CoV-2.


Sa njerëz janë të prekur nga COVID-19?


Shifrat e personave të prekur janë duke ndryshuar në mënyrë shumë të shpejtë. Informacione më të përditësuara mund t`i gjeni në faqen zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetit.

Cilat janë simptomat e COVID-19?


Simptomat më të shpeshta:

- Temperaturë
- Kollë e thatë
- Lodhje

Simptoma më të rralla:

- Dhimbje muskujsh
- Dhimbje fyti
- Diarre
- Konjuktivit
- Dhimbje koke
- Humbje të shijes dhe nuhatjes
- Rash në lëkurë ose çngjyrosje të gishtërinjve të duarve dhe/ose të këmbëve

Simptoma më serioze:

- Vështirësi në frymëmarrje ose marrje fryme
- Dhimbje gjoksi ose shtypje në kraharor
- Probleme me të folurën ose çrregullim të lëvizjeve

Kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore nëse keni simptoma serioze të infeksionit. Personat me simptoma të lehta mund të trajtohen në kushtet e shtëpisë. 

Sa kohë duhet nga ekspozimi ndaj virusit në shfaqjen e simptomave?


Simptomat mund të shfaqen nga 2 ditë nga ekspozimi deri në 14 ditë pas ekspozimit. Mesatarisht shfaqja e simptomave ndodh pas 4-5 ditësh. Për shumë persona, simptomat fillestare janë të lehta dhe mund të përkeqësohen pas disa ditësh. 

Si përhapet Coronavirusi?


Koronavirusi mendohet të përhapet kryesisht nga njeriu te njeriu. Kjo mund të ndodh me njerëz të cilët janë në kontakt të ngushtë me njëri-tjetrin. Kolla dhe teshtima e personave të infektuar mund të përhap virusin në personat e afërt.

Koronavirusi mund të përhapet edhe nga kontakti me sipërfaqe ose objekte të infektuara. Psh. një person mund të infektohet me COVID-19 duke prekur sipërfaqe ose objekte në të cilat mund të gjendet virusi dhe më pas të prek gojën, hundën ose sytë.

Kur janë njerëzit e infektuar më shumë ngjitës?


Mendohet që faza më ngjitëse për personat e infektuar është kur te ata kanë shfaqur simptomat. Megjithatë, ka të dhëna që tregojnë se koronavirus mund të përhapet edhe para fillimit të simptomave.


Sa vdekjeprurës është COVID-19?


Studimet kanë treguar se COVID-19 është shumë më shumë vdekjeprurës se gripi sezonal. Pacientët e hospitalizuar me COVID-19 kanë 5 herë më shumë gjasa të vdesin nga sëmundja se ata të hospitalizuar me grip sezonal. Personat me rrezik më të lartë për vdekje janë ata mbi 75 vjeç, me sëmundje kardiovaskulare, sëmundje të veshkave, kancer, diabet, obezitet.

Kush është më shumë i rrezikuar për të pasur simptoma të rënda nga COVID-19?


Simptomat e COVID-19 ndryshojnë shumë nga njëri person në tjetrin. Disa persona nuk shfaqin asnjë simptomë, të tjerë kalojnë simptoma të lehta të sëmundjes e në disa raste sëmundja shfaqet me simptoma të rënda. Rreziku për të pasur simptoma të rënda të COVID-19 rritet në personat me:

- Moshë mbi 65 vjeç
- Sëmundje të mushkërive
- Sëmundje të zemrës
- Diabet
- Obezitet
- Kancer
- Imunitet i dobësuar
- Sëmundje kronike të veshkave
- Sëmundje kronike të mëlçisë

Parandalimi


Çfarë duhet të bëj për të mbrojtur veten dhe të tjerët nga COVID-19?


Veprimet e mëposhtme do ju ndihmojnë në mos përhapjen e COVID-19:

  • - Shmangni kontaktin e afërt me personat e sëmurë.
  • - Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës.
  • - Qëndroni në shtëpi nëse jeni sëmurë.
  • - Mbuloni gojën dhe hundën nëse kolliteni dhe teshtini me një pecetë letre, të cilën më pas duhet ta hidhni.
  • - Pastroni dhe dezinfektoni rregullisht objektet dhe sipërfaqet duke përdorur detergjentët e zakonshëm të shtëpisë.
  • - Lani duart shpesh me ujë dhe sapun.


Çfarë duhet të di për larjen e duhur të duarve?


Lajini duart shpesh me ujë dhe sapun për të paktën 20 sekonda, veçanërisht nëse keni përdorur tualetin, para se të hani, pasi keni teshtirë ose kollitur.

  • Nëse nuk e keni të mundur larjen e duarve, përdorni një dezinfektant me bazë alkooli, me të paktën 60% alkool.
  • Gjithmonë lani duart nëse janë dukshëm të papastra


A duhet të mbajmë një maskë?


Maskat e fytyrës janë të detyruara si në ambientet e brendshme dhe në ambientet e jashtme kur jemi në kontakt me persona të tjerë. 

OBSH
ka shumë ilustrime për mënyrën e përdorimit të maskave.

A ka një vaksinë?


Tashmë janë aprovuar disa lloje vaksinash kundër COVID-19. Vaksina e parë e aprovuar ishte ajo e Pfizer në 12 Dhjetor 2020 dhe më pas ajo e Moderna në 18 Dhjetor 2020. Të dhënat nga studimet kanë treguar se vaksina jep efektin e saj që pas dozës së parë dhe arrin në një efekt 95% shtatë ditë pas doës së dytë. Të dy llojet e vaksinave përdorin mARN për të stimuluar prodhimin e antitrupave kundë COVID-19 dhe konsiderohen plotësisht të sigurta, pa efekte të rëndësishme anësore.

A mund një njeri të ri-infektohet nga Coronavirusi?


Edhe pse nuk e dimë me siguri këtë gjë, shumë njerëz zhvillojnë imunitet të përkohshëm ndaj COVID-19. Megjithatë, mund të jeni të prekshëm nga lloje të tjera infeksioni të Coronavirusit.

Mund të ndodh që ky virus të pësoj mutacione, ashtu siç ndodh me virusin e gripit çdo vit. Këto mutacione shpesh, e ndryshojnë mjaftueshëm virusin çka e bën të mundur ri-infektimin.


Çfarë duhet të bëj për të nxitur sistemin imunitar?


  • Mos pini duhan.
  • Hani fruta, perime dhe drithëra.
  • Merrni një multivitaminë nëse dyshoni se nuk jeni duke marrë gjithë nutrientët e nevojshëm me anë të dietës.
  • Bëni aktivitet fizik.
  • Konsumoni një dietë të shëndetshme.
  • Kontrolloni nivelin e stresit.
  • Kontrolli presionin e gjakut.
  • Mos konsumoni shumë alkool (jo më shumë se 2 gota në ditë për burrat dhe 1 gotë në ditë për gratë).
  • Flini mjaftueshëm.
  • Kujdesuni për higjienën.

Nëse jeni sëmurë trupi juaj ka 2 opsione:

1. Mund të përjetoni një reagim të lehtë deri në të moderuar, që do të kërkojë izolim për 14 ditë, zakonisht në shtëpi, e nuk do të kërkojë ndonjë mjekim të veçantë. Mund të mos ndiheni mirë, të keni kollë të thatë, ethe, temperaturë, lodhje, dhimbje fyti apo diarre. Shumica e njerëzve do t’i përgjigjen virusit me këtë lloj reagimi, por është thelbësisht e rëndësishme që gjatë kësaj kohe të qëndroni në shtëpi dhe larg personave të tjerë. Gjithashtu është shumë e rëndësishme për t’u theksuar: Ndonjëherë personat mund të mos përjetojnë fare simptoma, por sidoqoftë të jenë të infektuar. Kjo është një arsye tjetër pse distancimi social është i nevojshëm për të ngadalësuar përhapjen e COVID-19.

2. Mund të keni një reagim të rëndë të organizmit, që mund të përfshijë vështirësi në frymëmarrje, ngushtim në kraharor, kollë me sekrecione të trasha, humbje oreksi, ethe dhe djersitje. Një reagim i rëndë ndaj COVID-19 mund t’ju çojë në terapi intensive dhe mund të shkaktojë pneumoni, pamundësi për t’u mbushur me frymë, sepsis, dhe më e keqja, vdekje. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 1 në 5 njerëz do të përjetojnë një reagim të rëndë. Të moshuarit dhe ata me sëmundje të tjera kronike (si diabeti apo sëmundjet e mushkërive e zemrës) kanë më shumë gjasa për të pasur këtë lloj reagimi.



A ka trajtim për COVID-19?


Si trajtohet Koronavirusi në shtëpi?

Pjesa më e madhe e njerëzve me COVID-19, rreth 80% mund dhe duhet ta kalojnë në shtëpi. Rastet e lehta dhe të moderuara të infeksionit mund të menaxhohen me medikamente që merren pa recetë, shumë lëngje dhe pushim.

Qetësuesit e dhimbjeve për koronavirusin:


Çfarë barnash mund t’ju duhen? Qetësuesit e dhimbjeve si acetaminophen (Tachipirina, Daleron, Paracetamol), ose ibuprofen (Advil, Brufen, Rapidol S, Nurofen), mund të lehtësojnë dhimbjet e lehta dhe mesatare.  Lehtësuesit e kollës ose holluesit e sekrecioneve mund të rekomandohen gjithashtu, por e mira është t’i merrni me recetën e mjekut.


Çfarë ndodh kur shtroheni në spital me COVID-19?


Nëse diagnostikoheni me COVID-19 ose besoni që e keni infeksionin, kërkoni vëmendje mjekësore të menjëhershme nëse shihni që sëmundja po përkeqësohet apo keni vështirësi në frymëmarrje.  Gjithashtu është e rekomanduar të telefononi mjekun tuaj të familjes dhe të vendosni një maskë përpara se të shkoni në çfarëdo klinike mjekësore. Në rast emergjent telefononi numrin 127.

Nëse shkoni në spital:


- Do të shtroheni dhe monitoroheni për shkak të përkeqësimit të gjëndjes, veçanërisht të situatës me frymëmarrjen dhe mushkëritë tuaja.

- Mund t’ju jepet oksigjen për të lehtësuar frymëmarrjen.

- Mund t’ju jepet një injeksion adrenaline, albuterol apo medikamente të ngjashme me inhalacion (në formë të gaztë). Këto barna synojnë të ndihmojnë në qetësimin e muskujve në rrugët e frymëmarrjes për të lehtësuar kalimin e ajrit.

-  Stafi mjekësor do t’ju mbajë nën vëzhgim për shenja infeksionesh dytësore, duke qenë se COVID-19 ul imunitetin tuaj.

- Nëse dëmtimi i mushkërive tuaja vazhdon, mund të zhvillohet Sindromi i Distresit Respirator Akut (ARDS), që do të thotë se mund të shkoni në insuficence respiratore (pamundësi për të marrë frymë). Në këtë pikë do të keni nevojë për një ventilator për të marrë ajër.

- Nëse virusi vazhdon të qëndrojë në nivele të larta në organizmin tuaj, mund të shkaktojë sepsis. Sepsis është një gjendje serioze mjekësorë e shkaktuar nga përgjigja e trupit ndaj një infeksioni, që trajtohet duke bërë një diagnozë të shpejtë dhe duke dhënë trajtim të menjëhershëm, i cili mund të përfshijë antibiotikë dhe barna të tjera.

- Mund të ndodhë që terapisë suaj t’i shtohen edhe barnat antivirale, ndërkohë që jeni në spital, në rast se shihet e nevojshme dhe e përshtatshme nga stafi mjekësor.

Zakonisht nëse shtroheni në spital për COVID-19, do të qëndroni për disa javë derisa ta merni veten dhe t’ju lejojnë të ktheheni në shtëpi.

COVID-19 mund të variojë nga një infeksion i lehtë në një shumë serioz, por është e rëndësishme për njerëzit të kuptojnë që jo të gjitha rastet kanë nevojë për vëmendje mjekësore emergjente.

Pjesa më e madhe e njerëzve do të jenë në gjendje të monitorojnë simptomat e tyre dhe t’i menaxhojnë nëpërmjet barnave pa recetë në shtëpi. Ndërkohë që kushdo mund të infektohet me COVID-19, ata që janë më shumë në risk dhe kanë nevojë për hospitalizim dhe suport mjekësor më intensiv janë të moshuarit dhe ata me sëmundje të tjera kronike.

Kur duhet të kryhet testi serologjik për COVID-19?


Konsideroni të kryeni një analizë serologjike të antitrupave nëse keni pasur simptoma të COVID-19 në të shkuarën, ose nëse keni simptoma afatgjata që nuk duket se po kalojnë. Këto mund të përfshijnë:

- Lodhje
- Kollë
- Probleme me frymëmarrjen
- Dhimbje koke
- Dhimbje të kyçeve
- Humbje të nuhatjes ose shijes
- Keni qenë sëmurë në fillim të vitit 2020
- Keni qenë në kontakt me dikë me COVID-19

Përditësuar më 13 Janar 2021


Testi serologjik për COVID-19 - kur duhet të kryhet?


covid 19 albania / covid 19 / covid 19 shqiperi / simptomat e covid 19 / shenjat e covid 19 / covid 19 vaccine