Të gjithë e kemi një të afërm që në bisedë e sipër na tregon “hallin” e tij me kolesterolin.

“Shiko si më kanë dalë rezultatet e analizave.”
“Doktori më tha që LDL-ja është shumë e ulët.”
“Pse i kam trigliceridet kaq të larta?”
“Çfarë është LDL, ke ndonjë ide?”
“Pse është kolesteroli total i lartë kur vlerat e tjera janë normale?”

Më poshtë do të gjeni disa informacione për të kuptuar më shumë mbi të dhënat e analizave tuaja të kolesterolit.

Bëjmë një përllogaritje:


Si fillim, duhet të dini se si përllogaritet kolesteroli total. Në fakt, është shumë e thjeshtë: mbledhim LDL me HDL dhe më pas shtojmë një të pestën e triglicerideve. Kaq e thjeshtë!

Psh. nëse LDL = 100, HDL = 50 dhe trigliceridet = 100, totali i kolesterolit është i barabartë 100 (LDL) + 50 (HDL) + 100/5 (TG) = 100 + 50 + 20 = 170.

Kolesteroli total duhet të jenë në vlerë më të ulët se rreth 200, por nëse HDL është e lartë, nuk është shqetësuese pasi vlera e lartë e HDL-së ul riskun për sëmundje të arterieve koronare.

Të kuptojmë kolesterolin HDL dhe trigliceridet


Kur kryejmë një analizë të kolesterolit, sytë duhet të shkojnë te HDL dhe trigliceridet. Këto dy shifra janë ndjeshëm të ndikuara nga konsumi i karbohidrateve dhe ushqimeve shumë të përpunuara. Sa më shumë miell të bardhë, sheqer, oriz të bardhë, vaj misri ose vajra të tjerë vegjetalë të konsumoni, aq më e ulët është vlera e HDL-se dhe aq më e lartë është vlera e triglicerideve.

Vlera e triglicerideve duhet të jetë më e ulët se 150; vlera më të larta se kaq rrisin riskun për atak në zemër. Vlera e HDL-së varet edhe nga gjinia; për femrat është të paktën 55 ose më shumë dhe për meshkujt është të paktën 45. Vlerat më të ulëta se këto, janë një faktor risku i pavarur për sëmundje të zemrës. Pra, sa më e lartë HDL-ja, aq më mirë.

Po nëse rezultati është me HDL të ulët dhe trigliceride të larta?


Në këtë rast, është koha për të rivlerësuar dietën. Diçka nga gjërat që konsumoni po shkakton ulje të HDL-së dhe rritje të triglicerideve. Mund të jetë mos rezistenca juaj ndaj ëmbëlsirave ose zakonet për të ngrënë fast-food. Mund të jetë edhe për shkak të një coca-cola përditë (e cila përmban 12 lugë çaji sheqer). Çfarëdo qoftë, shumë karbohidrate dhe ushqime të përpunuara janë problemi. Në raste të rralla, mund të jetë edhe si pasojë e gjenetikës.

Çfarë tjetër e bën HDL-në të bjerë?


Ushqimet e shpejta (fast-food) dhe ushqimet e përpunuara luajnë një rol kryesor. Mos harroni që një kombinim i patateve të skuqura dhe djath të përpunuar, sheqer dhe miell të bardhë, është receta për një atak në zemër.

Si të rrisësh HDL-në dhe të ulësh trigliceridet?


Hani më shumë karbohidrate që vijnë nga frutat e perimet dhe yndyra nga peshku, vaji i ullirit dhe arrat. Perimet me ngjyrë jeshile të errët dhe të kuqe janë një fabrikë e shkëlqyer nutrientësh të rëndësishëm. Dhe mbani mend se, aktiviteti fizik rrit nivelin e HDL, ndaj filloni të ecni dhe shifrat do të përmirësohen.

Po kur HDL është normal por trigliceridet janë të rritura?


Bëni kujdes me sasinë e alkoolit që konsumoni, përfshirë birrën. Alkooli në sasi të limituar rrit nivelin e HDL-së, por birra rrit nivelin e triglicerideve. Çdo gjë duhet konsumuar në mënyrë të moderuar. Jo më shumë se një gotë për gra dhe dy gota për burra në ditë.

Çfarë është kolesteroli LDL?


Është e rëndësishme t`i kushtohet vëmendje edhe LDL-së. LDL-ja lidhet me konsumin e ushqimeve me prejardhje shtazore, përfshirë bylemtin, vezët, pulën, gjelin, vicin dhe qengjin. Nëse LDL-ja juaj është rreth 130 ose më pak dhe nuk keni faktorë të tjerë risku për sëmundje të arterieve koronare, çdo gjë është në rregull. Por sa më shumë faktorë risku të keni, aq me ulët duhet të jetë vlera e LDL-së.

Faktorët e riskut që rrisin gjasat për atak në zemër përfshijnë duhanpirjen, diabetin, hipertensionin, obezitetin, histori familjare me sëmundje kardiake dhe qëndrimin tuaj të gjatë ulur. Jeta sedentare (jo aktive) është faktor i rëndësishëm risku, i cili mund të modifikohet.

Edhe sikur të keni vetëm një faktor risku, si ai i historisë familjare me atak në zemër, mjeku mund t`ju këshilloj të synoni një LDL rreth 100.

Nëse jeni diabetik, LDL duhet të jetë rreth 70. Pse? Sepse diabeti është një faktor kaq i rëndësishëm për atak në zemër, gati i barabartë me një episod ataku kardiak në të shkuarën.

Gjenetika gjithashtu mund të jetë një faktor i rëndësishëm për vlerën e LDL-së. Për disa persona është shumë e vështirë ulja e nivelit të LDL-së vetëm me anë të dietës, për këtë arsye barnat për uljen e kolesterolit përshkruhen shumë shpesh.

15 numra që duhet të njihni për shëndetin