COVID-19 ka veçse një vit që qarkullon rreth nesh. HIV është me ne për gati 40 vjet. Atëherë, pse për COVID-19 ka një vaksinë dhe për HIV jo?

Ja pse ...

Zhvillimi i shpejtë i disa vaksinave për COVID-19 ka nxitur njerëzit të pyesin se pse e njëjta gjë nuk është bërë për HIV-in, një pandemi që ka zgjatur gati 40 vjet më shumë sesa koronavirusi.

Një vështrim më i hollësishëm i virologjisë së ndryshme të Koronavirusit dhe HIV-it ndihmon në shpjegimin pse kundër të parit ka një vaksinë dhe kundër të dytit ende jo.

Shumë njerëz aludojnë se mungesa e një vaksine kundër HIV-it është për shkak se HIV prek më shumë burrat dhe gratë trans që kanë marrëdhënie seksuale me burra të tjerë, njerëz me ngjyrë dhe përdorues të drogërave intravenoze - njerëz të margjinalizuar që priren të kenë më pak para dhe fuqi politike. Kështu, mungesa e një vaksine kundër HIV-it duket si një teori konspirative që aludon për qëllimin e lënies së këtyre komuniteteve të vdesin.

Në fakt, sipas National Institute of Allergy and Infectious Diseases  arsyeja pse vaksina kundër HIV nuk është zhvilluar është se virusi "pëson mutacione të shpejta dhe ka mënyra unike për të shmangur sistemin imunitar".

Aktualisht, shkencëtarët kanë hulumtuar rreth 14 lloje të ndryshme të virusit HIV. Krahasimisht, ka të paktën gjashtë lloje të koronavirusit, por që shkalla e mutacionit është e ulët dhe virusi tregon pak ndryshueshmëri, duke e bërë më të lehtë zhvillimin e një vaksine.

HIV futet në ADN-në tonë dhe mbetet aty derisa ato qeliza të vdesin, ndërsa koronavirusi nuk e bën këtë. Një tipar ky, që shpjegon një tjetër ndryshim thelbësor mbi mënyrën se si secili virus vepron në trup.


Shumica e vaksinave janë zhvilluar bazuar në përgjigjet imunitare të pacientëve të rikuperuar, por deri më tani, nuk ka ndonjë rast të ndonjë personi HIV pozitiv, sistemi imunitar i të cilit të ketë çrrënjosur virusin nga trupi. Krahasoni këtë me gati 17.5 milion amerikanë që kanë rikuperuar nga COVID-19, duke dhënë përgjigje të shumta imune për studim.

Shumë vaksina gjithashtu përdorin forma të çaktivizuara ose të dobësuara të virusit. Por format e çaktivizuara të HIV nuk kanë prodhuar ndonjë përgjigje imune gjatë provave të mëparshme të vaksinave dhe shkencëtarët e konsiderojnë shumë të rrezikshme futjen e një forme të dobësuar të HIV-it në trup pasi mund të shkaktojë infektimin e një personi të shëndetshëm.

Vaksina COVID-19 nuk përdor një formë të dobësuar të virusit. Ajo përdor ARN mesazhere (mARN) për të nxitur prodhimin e një proteine që viruset injektojnë në sipërfaqet e qelizave përpara se të riprodhohen. Kur trupi ynë identifikon praninë e kësaj proteine, ai fillon të prodhojë antitrupa për të luftuar infeksionin.

Studiuesit kanë studiuar proteinat e ARN-së mesazhere për dekada të tëra. Përhapja e viruseve respiratore të ngjashme në Azi, si SARS dhe MERS, i kanë bërë studiuesit më të njohur me lloje të ndryshme të koronavirusëve. Vaksinat për sëmundje të tilla kanë qenë në vëmendje të veçantë për zhvillim të vaksinës edhe për shkak të lehtësisë së transmetimit dhe aftësisë së tyre për të infektuar shpejt miliona njerëz.

Për më tepër, duhet theksuar se ka pasur një përpjekje të madhe globale për të mbledhur burime për zhvillimin e shpejtë të një vaksine kundër COVID-19 dhe ky zhvillim i shpejtë ka përfshirë qeveritë, shkencëtarët, bizneset, shoqërinë civile, filantropët dhe organizatat globale të shëndetit, si dhe investime të pashembullta financiare dhe bashkëpunime shkencore. Diçka e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë në të njëjtën shkallë për HIV-in.

Por kjo nuk do të thotë se nuk ka shpresë për një vaksinë kundër HIV-it. Në fakt, tre studime të ndryshme  kanë sjellë shpresë se një vaksinë kundër HIV-it mund të jetë e disponueshme që në vitin 2021. Këto vaksina përdorin viruse të padëmshme për të ndihmuar në dërgimin e informacionit gjenetik të HIV-it në qelizat njerëzore, duke nxitur kështu shkaktimin e përgjigjes imunitare.


Këta përbërës të vaksinës mund të ndihmojnë trupin të prodhojë bNAbs (disa lloje antitrupash), të cilët mund të ndalojnë shumë shtama të HIV-it të infektojnë qelizat njerëzore. Ndërkohë që disa njerëz i prodhojnë këta antitrupa shpejt pasi janë infektuar me HIV, në më të shumtën e rasteve, virusi replikohet shumë më shpejt në trup sesa bNAbs-et të jenë në gjendje të luftojnë infeksionin.

Studiuesit gjithashtu po shqyrtojnë nëse infuzionet e gjakut të pasur me bNAb ose viruset që mbartin informacion gjenetik për bNAb mund të ndihmojnë trupin të parandalojë infeksionet e reja me HIV.

Testi serologjik për COVID-19 - kur duhet të kryhet?