Me rritjen e numrit të rasteve çdo ditë e më shumë, ju mund të pyesni veten se çfarë ndodh në të vërtetë diagnostikoheni me koronavirus (COVID-19).

Apo ndoshta pyesni veten se çfarë mund të ndodhte nëse mendoni se mund ta keni.
Natyrisht, njerëzit janë kureshtarë kur diçka është e panjohur. A do të duhet të shtroheni në spital? Do të keni nevojë për oksigjen? Apo do të kalojë si një ftohje e zakonshme?

E para dhe më e rëndësishmja, COVID-19 është një virus i aparatit të frymëmarrjes, që do të thotë se pushton dhe sulmon sistemin tuaj të frymëmarrjes. Kështu që mbrojtja e këtij sistemi dhe mbi të gjitha mbrojtja e mushkërive, nuk është vetëm përparësia kryesore e trupit tuaj, por edhe përparësia kryesore e mjekut tuaj.

Sipas një raportimi, rreth 80% e personave me COVID-19 e kalojnë atë duke pasur një sëmundje shumë të lehtë, e këto raste zgjasin e shumta 2 javë. I njëjti raportim thotë gjithashtu se mbi 13% e të infektuarve do të përjetojnë një sëmundje më të rëndë, e cila mund të zgjasë disa javë.

Kur infektoheni me Koronavirus, trupi juaj ka dy opsione:


1. Mund të përjetoni një reagim të lehtë deri në të moderuar, që do të kërkojë izolim për 14 ditë, zakonisht në shtëpi, e nuk do të kërkojë ndonjë mjekim të veçantë. Mund të mos ndiheni mirë, të keni kollë të thatë, ethe, temperaturë, lodhje, dhimbje fyti apo diarre. Shumica e njerëzve do t’i përgjigjen virusit me këtë lloj reagimi, por është thelbësisht e rëndësishme që gjatë kësaj kohe të qëndroni në shtëpi dhe larg personave të tjerë.

Gjithashtu është shumë e rëndësishme për t’u theksuar: Ndonjëherë personat mund të mos përjetojnë fare simptoma, por sidoqoftë të jenë të infektuar. Kjo është një arsye tjetër pse distancimi social është i nevojshëm për të ngadalësuar përhapjen e COVID-19.


2. Mund të keni një reagim të rëndë të organizmit, që mund të përfshijë vështirësi në frymëmarrje, ngushtim në kraharor, kollë me sekrecione të trasha, humbje oreksi, ethe dhe djersitje. Një reagim i rëndë ndaj COVID-19 mund t’ju çojë në terapi intensive dhe mund të shkaktojë pneumoni, pamundësi për t’u mbushur me frymë, sepsis, dhe më e keqja, vdekje. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 1 në 5 njerëz do të përjetojnë një reagim të rëndë. Të moshuarit dhe ata me sëmundje të tjera kronike (si diabeti apo sëmundjet e mushkërive e zemrës) kanë më shumë gjasa për të pasur këtë lloj reagimi.




Si trajtohet Koronavirusi në shtëpi?


Pjesa më e madhe e njerëzve me COVID-19, rreth 80% mund dhe duhet ta kalojnë në shtëpi. Rastet e lehta dhe të moderuara të infeksionit mund të menaxhohen me medikamente që merren pa recetë, shumë lëngje dhe pushim.

Qetësuesit e dhimbjeve për koronavirusin:


Çfarë barnash mund t’ju duhen? Qetësuesit e dhimbjeve si acetaminophen (Tachipirina, Daleron, Paracetamol), ose ibuprofen (Advil, Brufen, Rapidol S, Nurofen), mund të lehtësojnë dhimbjet e lehta dhe mesatare.  Lehtësuesit e kollës ose holluesit e sekrecioneve mund të rekomandohen gjithashtu, por e mira është t’i merrni me recetën e mjekut.

Çfarë ndodh kur shtroheni në spital me COVID-19?


Nëse diagnostikoheni me COVID-19 ose besoni që e keni infeksionin, kërkoni vëmendje mjekësore të menjëhershme nëse shihni që sëmundja po përkeqësohet apo keni vështirësi në frymëmarrje.  Gjithashtu është e rekomanduar të telefononi mjekun tuaj të familjes dhe të vendosni një maskë përpara se të shkoni në çfarëdo klinike mjekësore. Në rast emergjent telefononi numrin 127.

Nëse shkoni në spital:


- Do të shtroheni dhe monitoroheni për shkak të përkeqësimit të gjëndjes, veçanërisht të situatës me frymëmarrjen dhe mushkëritë tuaja.

- Mund t’ju jepet oksigjen për të lehtësuar frymëmarrjen.

- Mund t’ju jepet një injeksion adrenaline, albuterol apo medikamente të ngjashme me inhalacion (në formë të gaztë). Këto barna synojnë të ndihmojnë në qetësimin e muskujve në rrugët e frymëmarrjes për të lehtësuar kalimin e ajrit.

-  Stafi mjekësor do t’ju mbajë nën vëzhgim për shenja infeksionesh dytësore, duke qenë se COVID-19 ul imunitetin tuaj.

- Nëse dëmtimi i mushkërive tuaja vazhdon, mund të zhvillohet Sindromi i Distresit Respirator Akut (ARDS), që do të thotë se mund të shkoni në insuficence respiratore (pamundësi për të marrë frymë). Në këtë pikë do të keni nevojë për një ventilator për të marrë ajër.

- Nëse virusi vazhdon të qëndrojë në nivele të larta në organizmin tuaj, mund të shkaktojë sepsis. Sepsis është një gjendje serioze mjekësorë e shkaktuar nga përgjigja e trupit ndaj një infeksioni, që trajtohet duke bërë një diagnozë të shpejtë dhe duke dhënë trajtim të menjëhershëm, i cili mund të përfshijë antibiotikë dhe barna të tjera.

- Mund të ndodhë që terapisë suaj t’i shtohen edhe barnat antivirale, ndërkohë që jeni në spital, në rast se shihet e nevojshme dhe e përshtatshme nga stafi mjekësor.

Zakonisht nëse shtroheni në spital për COVID-19, do të qëndroni për disa javë derisa ta merni veten dhe t’ju lejojnë të ktheheni në shtëpi.

COVID-19 mund të variojë nga një infeksion i lehtë në një shumë serioz, por është e rëndësishme për njerëzit të kuptojnë që jo të gjitha rastet kanë nevojë për vëmendje mjekësore emergjente.

Pjesa më e madhe e njerëzve do të jenë në gjendje të monitorojnë simptomat e tyre dhe t’i menaxhojnë nëpërmjet barnave pa recetë në shtëpi. Ndërkohë që kushdo mund të infektohet me COVID-19, ata që janë më shumë në risk dhe kanë nevojë për hospitalizim dhe suport mjekësor më intensiv janë të moshuarit dhe ata me sëmundje të tjera kronike.