Shmangni përplasjet dhe rrëzimet


Holluesit e gjakut që mjeku ju përshkruan, për të parandaluar formimin e koagujve në zemër apo enët e gjakut mund të ndihmojnë në parandalimin e një ataku në zemër apo në tru. Por duke qenë se këto barna e bëjnë të vështirë ndalimin e gjakderdhjes, edhe një plagë e vogël mund të bëhet serioze. Shmangni sportet e kontaktit apo aktivitete të tjera ku keni mundësi të dëmtoheni. Ecni, notoni apo bëni sporte të tjera të sigurta. Mos harroni kokën, vishni një helmetë, edhe kur shanset e përplasjes janë të vogla.

Merrini barnat me rregull


Merreni ilaçin tuaj çdo ditë në të njëjtën kohë. Disa hollues të gjakut nuk funksionojnë mirë nëse nuk i merrni në kohën e duhur. Përdorni një kuti organizuese të pilulave ose kalendar në telefonin tuaj për t’u kujtuar. Nëse harroni, merreni pilulën sa më shpejt që të mundeni. Mos e kapërceni radhën. Nëse deri në ditën tjetër nuk e kuptoni që keni humbur një dozë, pyesni mjekun tuaj se çfarë të bëni. Mos merrni doza dyfishe.

Mësoni rreth barnave tuaja


Para se të sillni në shtëpi ndonjë recetë të re ose medikament pa recetë, kontrolloni me mjekun ose farmacistin tuaj për t'u siguruar që është e sigurt të merret me holluesin e gjakut. Edhe vitaminat dhe suplementët mund të ndryshojnë mënyrën e funksionimit të disa holluesve të gjakut ose të shtojnë efektet e tyre anësore. Për shembull, nëse merrni një qetësues të dhimbjeve ose barna për ftohjen me përmbajtje aspirine, rreziku për gjakderdhje mund të rritet.

Prisni me kujdes


Holluesit e gjakut mund ta shndërrojnë një prerje të vogël në një gjakderdhje të madhe. Vishni doreza kur punoni me thika, gërshërë të mëdha kopshtesh ose mjete të tjera të mprehta. Jini shumë të kujdesshëm kur rruheni. Përdorni një brisk elektrik, nëse është e mundur, në mënyrë që të shmangni gërvishtjet. Mos i shkurtoni thonjtë shumë afër lëkurës.

Nëse priteni, ushtroni presion derisa të ndalojë gjakderdhja. Nëse nuk ndalon, kërkoni ndihmë mjekësore.

Kujdesuni për vitaminën K


Sasia e tepërt mund ta bëjë një hollues gjaku të quajtur Varfarinë, të humbasë efikasitetin e saj. Lakrat e Brukselit, sallata jeshile dhe spinaqi kanë shumë vitaminë K. Këto ushqime nuk janë të ndaluara kur merrni vafarinë, por duhet të flisni me mjekun tuaj në lidhje me sasinë që është e sigurt për të ngrënë.

Bëni analizat


Ndërsa jeni duke marrë hollues, mund t'ju duhen analiza të rregullta për të matur mpiksjen e gjakut. Rezultatet ndihmojnë mjekun tuaj të vendosë nëse do të ndryshojë dozën e mjekimit apo nëse do t'ju kalojë në një medikament tjetër.

Lajmëroni mjekun


Tregojini çdo mjeku që vizitoni që merrni hollues të gjakut, veçanërisht para se të bëni një procedurë mjekësore ose kur merrni një recetë të re. Ata duhet të dinë që ju jeni në rrezik të shtuar për gjakderdhje.

Mbani një byzylyk ose etiketë identifikuese mjekësore për të njoftuar edhe punonjësit e urgjencës mjekësore për rrezikun tuaj të gjakderdhjes. Shkruani emrin e barnave tuaja në një kartelë të cilën mund ta mbani në portofol ose në çantë.

Lani në mënyrë delikate dhëmbët


Mishrat e dhëmbëve janë delikatë, prandaj pastrojeni gojën me një prekje më të lehtë. Përdorni një furçë të butë dhëmbësh, dhe mos fërkoni fort.

Njoftojini dentistin tuaj që merrni hollues të gjakut. Ai do të ketë kujdes më të madh gjatë kontrolleve dhe gjithashtu mund t'ju japë barna për të zvogëluar gjakderdhjen gjatë procedurave dentare.

Vëreni efektet anësore


Ndonjëherë holluesit e gjakut mund të shkaktojnë:

- Gjakderdhje e mishrave të dhëmbëve
- Mavijosje që nuk i shpjegoni dot
- Marramendje
- Perioda me më shumë fluks se zakonisht
- Urinë ose jashtëqitje të kuqe ose kafe të errët

Telefononi mjekun tuaj nëse vëreni ndonjë nga këto.

Mbajini pajisjet ndihmëse lehtësisht të gjindshme


Mbani ankeplast dhe garza në shtëpi. Gjithmonë mbani ca me vete, në rast se pësoni ndonjë prerje. Pudra speciale mund të ndalojë një rrjedhje gjaku shpejt dhe ta mbajë atë nën kontroll derisa të jeni në gjendje të merrni ndihmën mjekësore. Ju mund t'i blini këto produkte pa recetë në farmacinë tuaj afër shtëpisë. Ato janë të sigurta për t’u përdorur ndërsa po merrni hollues të gjakut.