Nëse një person është i mirë hidratuar, ngjyra normale e urinës është e verdhë e hapur. Personat që konsumojnë shumë ujë ose shumë lëngje, ose ata që marrin diuretikë (shkarkues) kanë një urinë me ngjyrë pothuajse transparente. Urina me ngjyrë të verdhë të theksuar mund të tregoj që është e nevojshme të rrisni sasinë e lëngjeve që konsumoni.

Urina e kuqe shpesh kthehet në një arsye shqetësimi. Por para se të shqetësoheni, kujtoni atë çfarë keni ngrënë së fundmi. Panxhari dhe manaferrat mund të shkaktojnë ngjyrosjen e urinës në rozë apo të kuqe, çka mund të ngatërrohet me prezencën e gjakut. Ky fenomen ndodh në rreth 10-14% të popullsisë. Shansi për të ndodhur kjo është më i lartë nëse njëkohësisht vuani edhe nga mungesa e hekurit. Po ashtu, disa barna, si fenitoina ose rifampina mund të shkaktojnë ngjyrë të kuqe të urinës. Në disa raste edhe barna kundër infeksioneve urinare si Furamag mund të shkaktojnë ngjyrojse të urinës në portokalli, por kjo nuk është për t`u shqetësuar.

Nëse nuk e lidhni ngjyrën e urinës me një ushqim apo medikament që mund të keni marrë, duhet të drejtoheni te një mjek. Mjeku do të kryej analizat e nevojshme për të kuptuar nëse në urinë është apo jo prezenca e hemoglobinës, element i rruazave të kuqe të gjakut që transporton oksigjenin. Nëse vihet re prezenca e rruazave të kuqe të gjakut në urine, kjo gjendje njihet si hematuri. Shkaqet më të shpeshta të hematurisë janë infeksionet fshikëzës urinare dhe gurët në veshka. Zakonisht, personat me infeksion të fshikëzës urinare kanë njëkohësisht edhe simptoma të tjera si urinim me dhimbje dhe të shpeshtë.

Gurët në veshka po ashtu, shpesh shkaktojnë hematuri. Zakonisht, shoqërohen me dhimbje mesi (në anën e veshkës se prekur), të cilat mund të jenë edhe shumë të forta.

Urina me gjak pa prezencën e simptomave të tjera, mund të jetë për shkak të tumorit të fshikëzës urinare ose të veshkave, ose të goditjeve dhe dëmtimit të mundshëm në zonën abdominale ose të mesit.

Urina me ngjyrë kafe ose ngjyrë Coca-Cola gjithashtu, duhet të jetë një arsye për një vizitë mjekësore. Ky ndryshim i ngjyrës shpesh ndodh si pasojë prezencës se bilirubinës ose mioglobinës në urinë.

Në rastet e dëmtimit të mëlçisë ose bllokimit të duktuseve biliare, veshkat kthehen në rrugën kryesore të eliminimit të bilirubinës. Shkaqet më të shpeshta mund të jenë: sëmundje të mëlçisë (hepatiti ose cirroza) ose bllokim i duktuseve biliare (gurët në tëmth).

Mioglobina është një proteinë që gjendet në muskuj. Inflamacioni ose dëmtime të tjera të muskujve çlirojnë mioglobinën në gjak, çka e bën atë prezente edhe në urinë. Nëse ngjyra kafe e urinës nuk është si pasojë e bilirubinës, duhet të kryhet një vlerësim për sëmundje të muskujve.

A janë infeksionet urinare ngjitëse?