Çfarë është insufiçenca e zemrës?


Nga emri mund të kuptojmë se zemra nuk punon aq mirë sa duhet. Kjo patologji ndodh kur zemra nuk pompon dot mjaftueshëm gjak dhe oksigjen në trupin tuaj. Kjo mund të ndodhë sepse muskuli i zemrës mund të jetë dobësuar, por ka gjithashtu arsye të tjera që mund ta bëjnë zemrën të punojë me më pak efikasitet se sa do duhej. Zemra vetë mund të kompensojë për pak kohë, por në njëfarë pike do t’ju duhej të merrnit mjekim.

Çfarë e shkakton atë?


Zemra juaj mund të fillojë të dështojë ndërsa plakeni, por kjo gjendje mund të prekë të rinjtë gjithashtu. Shumica e njerëzve që vuajnë nga sëmundje të zemrës kanë pasur një problem të mëparshëm. Mund të jetë presion i lartë i gjakut, sëmundje e arterieve koronare, një sulm në zemër, një defekt i lindur i zemrës, ose një sëmundje që godet muskulin që pompon gjakun.

Sëmundjet e mushkërive gjithashtu mund të çojnë në insufiçencë të zemrës. Obeziteti, diabeti dhe apnea e gjumit gjithashtu janë të lidhura me të.

Simptoma: Vështirësi në frymëmarrje


Kjo është një nga shenjat e para që mund të vini re, veçanërisht pasi të keni kryer aktivitet fizik. Mund të ndodhë gjithashtu ndërsa pushoni pasi insufiçenca të jetë përkeqësuar. Ndonjëherë mund të ndiheni pa frymë ndërkohë që jeni shtrirë ose në gjumë. Arsyeja përse kjo ndodh është për shkak se zemra nuk e mban dot ritmin e fluksit të gjakut që kthehet nga mushkëritë. Kur kjo ndodh, lëngjet mblidhen në mushkëri, gjë që do ta vështirësonte edhe më shumë frymëmarrjen.

Simptoma: Lodhje


Nëse zemra juaj nuk po pompon siç duhet, truri e rishpërndan gjakun nga zonat më pak të rëndësishme të trupit, si p.sh. nga muskujt e gjymtyrëve, në ato më të rëndësishmet si: në tru apo organe të tjera jetësore. Kjo mund të bëjë që krahët dhe këmbët tuaja të ndihen të dobëta. Ju mund të ndiheni të lodhur duke bërë gjëra të përditshme si ngjitja e shkallëve, ose ecja nëpër dhomë. Gjithashtu mund të ndjeni marrje mendsh.

Simptoma: Kollë e ngjirur dhe fishkëllima


Kjo është një shenjë tjetër që zemra juaj po vuan dhe se gjaku që vjen tek ajo nga mushkëritë po kthehet mbrapsht. Kjo do të thotë që në mushkëritë tuaja akumulojnë lëngje. Ndonjëherë, kolla mund të shoqërohet me sekrecione të bardha ose rozë. Në këtë rast duhet të njoftoni mjekun tuaj.

Simptoma: Enjtja dhe shtimi në peshë


Lëngjet mund të mblidhen në inde gjithashtu. Kjo mund të bëjë që këmbët, kyçet, pulpat ose barku të fryhen. Veshkat, meqenëse kanë më pak gjak për të punuar, mund të mbajnë natriumin (kripën) në organizëm. Kjo do të bënte që më shumë lëngje të qëndronin në indet tuaja. Flisni me mjekun tuaj menjëherë nëse keni ënjtje të vazhdueshme ose shtim të papritur të peshës.

Simptoma: Nauze


Mund të përjetoni të përziera (nauze) ose thjesht mund të ndiheni të ngopur, sikur nuk mund të hani më. Në secilin rast, kjo mund të çojë në mungesë oreksi. Kjo ndodh sepse sistemi juaj i tretjes nuk po merr gjak dhe oksigjen të mjaftueshëm.

Simptoma: Rrahje të shpeshta të zemrës


Është një shenjë e shpeshtë paralajmëruese. Kur zemra juaj nuk pompon mjaftueshëm gjak, trupi juaj e di. Ai mund ta kompensojë këtë në disa mënyra:

- Duke i nxitur muskujt në zemrën tuaj për të punuar më fort
- Duke zgjeruar zemrën tuaj në mënyrë që të mund të shtrihet dhe të rikthehet në normë më mirë
- Duke e bërë zemrën tuaj të rrahë më shpejt

Simptoma: Konfuzioni


Ju mund të dukeni të hutuar ose të ngadaltë. Mund të çorientoheni, ose mund të filloni të harroni gjërat. Kur organet e tjera nuk po funksionojnë mirë për shkak të mungesës së gjakut, kjo ndikon në sasinë e disa elementëve (si natriumi) në gjak, gjë e cila mund të ndikojë trurin tuaj.

Këshilla për të parandaluar insufiçencën e zemrës


Ka disa mënyra se si të ulni shanset tuaja për ta pasur këtë gjendje. Sigurohuni që të ushqeheni mirë dhe të kryeni aktivitet fizik. Nëse pini duhan, lëreni. Nëse i keni disa kile të tepërta, bëni çmos t'i humbisni ato. Nëse tashmë jeni në rrezik të lartë, ose zemra juaj është dëmtuar, mjeku mund t’ju ndihmojë në uljen e rrezikut nëpërmjet medikamenteve. E rëndësishme është që ju dhe mjeku juaj të punoni si një ekip.

Trajtimi i insufiçencës së zemrës


Zakonisht nuk flasim për shërim përfundimtar në lidhje me këtë problem, por ai mund të trajtohet. Në shumicën e rasteve, plani do të përfshijë ndërhyrje të tilla si ushtrime dhe një dietë me pak kripë. Mjeku mund t'ju kërkojë që të peshoheni çdo ditë për t'u siguruar që nuk mbani shumë lëngje. Ju gjithashtu do të duhet të mbani shënim sa lëngje apo ushqime merrni çdo ditë. Do t’ju duhet të merrni medikamente. Me shumë mundësi gjithashtu, do të keni nevojë për të menaxhuar stresin dhe do ju duhet të shmangni kafeinën. Në disa raste, mjeku juaj mund të rekomandojë kirurgji për të implantuar pajisje për të ndihmuar zemrën tuaj.

Të jetosh me insufiçencën e zemrës


Kjo gjendje nuk ka përse të drejtojë jetën tuaj. Përqendrohuni në atë që mund të bëni me situatën tuaj, jo në atë që nuk mund të bëni. Pa dyshim që do ju duhet të zgjidhni ndërmjet gjërave të rëndësishme dhe atyre që mund dhe të anashkaloni. Por mbi të gjitha, mos harroni që duhet të pushoni.


Si t`i kuptojmë rrahjet e zemrës?

Si të kuptosh simptomat e një infarkti?


Çfarë duhet të dini për ënjtjen e këmbëve?