Çfarë është prostatiti?


Prostatiti është infeksion apo inflamacion i gjëndrës së prostatës. Prostata është një gjëndër (me permasat e një arre), e cila gjëndet vetëm tek meshkujt, e vendosur poshtë fshikëzës së urinës rreth uretrës (tubit që çon urinën nga fshikëza në dalje të penisit). Prostata prodhon lëngun që ushqen dhe transporton spermen. Prostatiti prek burrat e të gjitha moshave, por tenton të jetë më i shpeshtë në burrat nën 50 vjec.


Cilët janë tipet dhe shkaktarët e prostatitit?


Prostatiti mund të jetë akut ose kronik.


Prostatiti akut përgjithësisht shkaktohet nga bakteret.


Prostatiti kronik ndonjëherë shkaktohet nga bakteret, por mund të ndodhë edhe në mungesë të infeksionit bakterial dhe ndonjëhere shkaku nuk është e mundur të identifikohet. Prostatiti kronik zgjat për muaj të tërë ose rishfaqet vazhdimisht.


Në varësi të shkakut prostatiti mund të shfaqet gradualisht ose papritur dhe mund të përmirësohet spontanisht ose me trajtim

Dëmtimi i nervave të traktit të poshtëm urinar, që mund të shkaktohet nga kirurgjia apo trauma në këtë zone, mund të kontribuojnë në prostatit jobakterial. Në disa raste prostatitesh shkaku mund të mos identifikohet.


Cilat janë shenjat e prostatitit?


Burrat me prostatit akut mund të shfaqin:   


-  Ethe

-  Të dridhura

-  Shenja të gripit

-  Dhimbje muskulare

-  Dhimbje gjatë urinimit

-  Dhimbje rreth zonës gjenitale

-  Urinë e turbullt apo me gjak


Burrat me prostatit kronik nganjëherë nuk kanë shenja apo ankesa. Nganjëherë ata shfaqin:


- Vështirësi në urinim ( urinim me pika apo hezitim)

- Dhimbje apo djegje gjatë urinimit
- Urinim i shpeshtë, sidomos natën
- Nevojë urgjente për të urinuar
- Dhimbje rreth zonës gjenitale
- Temperaturë lehtësisht të rritur


    Kur duhet të kerkoni ndihmë mjekësore?


    Nëse keni dhimbje të shprehur në zonën gjenitale, probleme gjatë urinimit apo të dridhura dhe ethe duhet te drejtoheni për vizitë tek mjeku specialist. Nëse lihen pa trajtuar disa tipe prostatiti mund të shkaktojnë përkeqësim të infeksionit ose probleme të tjera shëndetësore (shih komplikacionet).


    Cilët janë faktorët e riskut për prostatit?


    Faktoret e riskut janë:

    - Mosha e re apo e mesme

    - Histori prostatiti të mëparshëm
    - Infeksioni i fshikëzës së urinës  
    - Trauma pelvike (e legenit) sic mund të jetë dëmtimi nga ciklizmi apo kalërimi
    - Përdorimi i kateterit urinar
    - HIV/AIDS
    - Biopsia e prostatës


      Cilët janë komplikacionet më të shpeshta të prostatitit?


      - Infeksioni bakterial në gjak

      - Inflamacioni i kanalit që gjendet në pjesën e pasme të testikujve (epididymitis)
      - Absces në prostate (kavitet i mbushur me pus)
      - Çrregullime të spermës dhe infertilitet mund të ndodhin në rastet e prostatitit kronik 


        Është e rëndesishme të theksohet se nuk ka asnjë të dhënë që lidh direkt prostatitin me kancerin e prostates


        A ekziston një test per diagnostikimin e prostatitit?


        Ekziston, por nuk është perfekt. Mjeku mund të kerkojë analizën e urinës, analizën e sekrecioneve uretrale pas masazhimit të prostatës, analizën e gjakut dhe teste imazherike (ekografi apo skaner të traktit urinar). Këto teste jo gjithmonë janë në gjendje të identifikojnë problemin.


        A mund të influencojë stili i jetës në lehtesimin e shenjave të prostatitit?


        - Një vaske me ujë të nxehtë apo një kopertë me ngrohje mund të lehtesojë  
        - Këshillohet limitimi ose heqja dore nga alkooli, kafeina, ushqimet pikante apo acide që mund të irritojnë fshikëzën
        - Këshillohet të shmangen aktivitetet që irritojnë prostatën si ciklizmi i zgjatur apo qëndrimi i zgjatur ndenjur
        - Rekomandohet konsumi i pijeve pa kafeine. Kjo do të shkaktojë urinim në sasi të shtuar dhe shplarje të fshikëzës së urinës.  


          Si trajtohet?


          Trajtimi i prostatitit varet nga shkaku. Mund të përdoren klasat e mëposhtme të ilaceve:


          Antibiotikët - 
          Janë trajtimi më i përshkruar për prostatitin. Mjeku do të zgjedhë tipin e antibiotikut në varësi të tipit të bakterit, që ka shkaktuar infeksionin. Nëse simptomat janë të renda ju mund t’ju nevojitet trajtim me antibiotike venozë dhe më pas te vazhdoni trajtimin me antibiotikë nga goja për 4-6 javë dhe ndonjëherë edhe me gjatë (për prostatitin kronik bakterial apo atë që rishfaqet).


          Alfa-bllokuesit - 
          Këto medikamente ndihmojnë relaksimin e qafës së fshikëzës dhe fibrave muskulare ku prostata takon vezikën. Ky trajtim lehtëson simptomat gjatë urinimit (si p.sh. urinimi i dhimbshëm).


          Anti-inflamatorët - 
          Mund të përmiresojnë simptomat.

          Lexo më shumë:


          A janë infeksionet urinare ngjitëse?