Një nga padrejtësitë e jetës (nëse mund ta quajmë kështu) është se disa njerëz duhet të kenë shumë kujdes për gjithçka hanë për të ruajtur peshën e tyre, ndërsa të tjerë mund të hanë çdo gjë dhe prapë nuk ndryshojnë peshë. Cili është sekreti i gjithë kësaj? Si ia dalin disa njerëz të mos shtojnë në peshë?

Nuk mund t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje me një përgjigje të vetme. Është kompleksiteti i disa faktorëve që ndikojnë duke nisur nga gjenetika, ushqyerja, madje edhe mënyra e sjelljes dhe shkalla e ndikimit që secili prej këtyre faktorëve ka tek individi.

Një nga faktorët më të rëndësishëm që në fakt, nuk lidhet me formën e trupit të njeriut, apo metabolizmit, është perceptimi. Shumë njerëz që duket se hanë gjithçka dhe nuk shëndoshen realisht nuk janë duke ngrënë më shumë se ne të tjerët. Për shembull, nëse një mik i juaji që ha akullore përditë, natyrshëm i kompenson kaloritë e tepërta duke ngrënë më pak në vaktin e radhës, ose nëse janë duke ngrënë një picë hanë më ngadalë dhe ndihen më shpejtë të ngopur, çka si përfundim i bën ata të hanë më pak.

Po të vini re sasinë e kalorive që këta njerëz marrin gjatë ushqimit nuk janë aq shumë sa mendoni. Ata thjesht hanë ushqime të pasura me kalori vetëm gjatë vakteve kryesore dhe nuk hanë ushqime të tilla ndërmjet vakteve.

Aktiviteti fizik gjithashtu është i rëndësishëm, por jo domosdoshmërish gjithmonë bëhet fjalë për ushtrime fizike në palestër. Disa njerëz thjesht lëvizin më shumë. Për shembull, ata mund të bëjnë lëvizje të shpejta kryesisht kur janë në presion pune apo kur  humbasin durimin, mund të kenë një punë aktive ose të shpenzojnë gjithë ditën duke u kujdesur për fëmijët. Ka të dhëna që thonë se disa njerëz janë gjenetikisht më të predispozuar për të pasur dëshirë të lëvizin më shumë.

Kjo lëvizje ekstra mund të nxisë funksionimin më të shpejtë të metabolizmit.

Sa më shumë të lëvizni aq më shumë rritet numri dhe aktiviteti i mitokondrive brenda qelizave muskulore. Mitokondritë prodhojnë energji e cila përdoret për lëvizjen apo kryerjen e punës, sa më shumë mitokondri aq më shumë kalori digjen.

Ka pak të dhëna që sugjerojnë se pa bërë aktivitet fizik disa njerëz kanë lindur të tillë, pra që mund të djegin më shumë kalori se të tjerët. Megjithatë, në disa persona, mund të ketë ndryshime fiziologjikë që i lejon ata, në mënyre natyrale, të frenojnë sasinë e kalorive që marrin, pa ndonjë stërmundim.

Kaskadat e sinjaleve të sistemit nervor dhe hormoneve që qarkullojnë në gjak bashkëveprojnë për të na treguar nëse jemi të uritur ose të ngopur. Ky përbën sistemin rregullues të urisë i cili në disa njerëz është më i ndjeshëm.

Një hormon i rëndësishëm i përfshirë në këtë sistem është leptina. Leptina ndihmon në rregullimin e sasisë së ushqimit që duam të hamë për intervale të gjata kohore dhe jo vetëm nga vakti në vakt. Pra, një person me një sistem të ndjeshëm mund të konsumojë për pak kohë shumë ushqim dhe të ndihet i/e ngopur për pjesën tjetër të ditës dhe ditëve në vazhdim dhe rrjedhimisht hanë më pak ushqim. Ekuilibrohet biologjikisht energjia sepse sistemi i ushqyerjes sinjalizon për energji të mjaftueshme për të kryer punë.

Gjenetika mund të luaj një rol në tendencën që ka një person për të fituar ose humbur në peshë. Sipas një studimi të publikuar në Plos Genetics janë zbuluar mbi 250 rajone të ndryshme të ADN që lidhen me obezitetin. Për të realizuar këtë studim shkencëtarët krahasuan 1622 njerëz të shëndetshëm me indeks të ulët të peshës trupore (BMI) kundrejt 1985 njerëzve që vuanin nga obeziteti dhe 10433 të tjerave me peshë normale. Shkencëtarët arritën në përfundimin se pjesëmarrësit më të dobët kishin më pak gjene që lidheshin me obezitetin.

Megjithatë studiuesit raportojnë se nuk janë vetëm gjenet ato që përcaktojnë peshën trupore pasi në përfundim të studimit nuk u zbuluan gjene që mbronin ndaj obezitetit apo që ishin drejtpërdrejtë përgjegjëse të shkaktimit të tij. Pra, fakti nëse ne shëndoshemi apo jo nuk përcaktohet plotësisht nga baza jonë gjenetike, nuk është plotësisht në dorën tonë. Nuk ka një komandë gjenetike që “ndizet apo fiket” për të lejuar njerëzit të hanë ushqimin që dëshirojnë pa shtuar në peshë e nga ana tjetër as për të mundësuar shtimin në peshë e megjithatë, shtimi në peshë jo domosdoshmërish lidhet me mungesën e vullnetit për t’u kujdesur për mënyrën si ushqehemi.


Disa mënyra të thjeshta se si të pasuroni dietën me fibra