E dini pse çdo vizitë në konsultë me mjekun fillon me matjen e tensionit? Kjo ndodh sepse presioni arterial tregon shumë mbi gjendjen tuaj shëndetësore dhe riskun për sëmundje të tjera në të ardhmen.

Hipertensioni arterial kronik është drejtpërdrejtë i lidhur me sëmundjet kardiovaskulare. Por, lajmi i mirë është se normalizimi i presionit të gjakut mund të reduktoj riskun për këto sëmundje.

Arsyeja pse hipertensioni trajtohet është për shkak se në këtë mënyrë mund të parandalohen një sërë sëmundjesh si: goditjet në tru – stroke, ataku në zemër, dëmtimi i veshkave dhe insufiçenca kardiake. Normalizimi i vlerave të tensioni nën 120/80 mm Hg ul rrezikun për zhvillim të këtyre sëmundjeve të rrezikshme për jetën.


Çfarë është presioni i gjakut?


Presioni i gjakut është forca me të cilën gjaku shtyn muret e arterieve. Matet në milimetra zhivë (merkur) mmHG, me anë të pajisjes së matjes së tensionit, që të gjithëve na ka rënë rasti të paktën një herë në jetë ta përdorim apo shohim.

Presioni optimal i gjakut duhet të jetë më pak se 120/80 mmHg, që do të thotë se sa herë zemra kontraktohet, gjaku pompohet me një forcë 120 mmHg. Kur zemra relaksohet, kjo forcë bie në 80 mmHg.

Nëse presioni i gjakut është në mënyrë kronike i rritur, kjo tregon që rezistenca është më e madhe dhe zemrës tuaj i duhet të punoj më fort për të pompuar gjakun në gjithë trupin. Në këtë pikë, për t`ju ndihmuar në uljen e tensionit, mjeku mund t`ju këshilloj disa ndryshime në stilin e jetesës si psh. të humbisni disa kilogram, të ushtroheni dhe të mos konsumoni shumë kripë.

Nëse tensioni juaj arrin në vlerat 130/80 mmHg, thuhet se keni hipertension. Nw këtë rast risku për sëmundje kardiovaskulare fillon të rritet eksponencialisht. Ndaj mund të lind nevoja për trajtim me medikamente për të ulur shifrat e tensionit.

Mos harroni se mjekimet e tensionit duhen marrë edhe nëse nuk keni simptoma.


Jo vetëm që ato mund të parandalojnë goditjet në tru dhe sëmundjet e zemrës, por studimet e fundit kanë treguar se ulja e presionit të gjakut ul edhe incidencën për çrregullime konjitive të lidhura me moshën.




A është presioni i lartë i gjakut dhe hipertensioni e njëjta gjë?


Shpesh këto dy terma zëvendësohen me njëri-tjetrin. Por duhet te kemi parasysh se jo çdo kush që ka një episod me presion të lartë të gjakut ka hipertension. Hipertensioni është një diagnozë që vendoset kur një individ ka episode të shpeshta me presion të rritur të gjakut mbi 130/80 mm Hg.

Pra, vetëm me një episod presioni të rritur të gjakut nuk mund të thuhet se vuani nga hipertensioni.


Çfarë e shkakton hipertensionin?


Forma më e shpeshtë e hipertensionit është hipertensioni primar. Është një sëmundje që mund të shkaktohet nga gjenetika dhe mosha. Në moshën 80 vjeçare, rreth 90% e personave do të kenë hipertension, kjo për shkak të atherosklerozës.

Por hipertensioni mund të jetë edhe sekondar, gjendje e cila mund të shkaktohet si pasojë e sëmundjeve të veshkave apo çrregullimeve hormonale.


Si dëmton hipertensioni?


Në qetësi, një zemër normale ka rreth 60 deri në 100 rrahje në minutë, kjo në varësi të moshës ose aktivitetit fizik. Kjo do të thotë se, zemra rreh rreth 86,400 herë në ditë ose 31,536,000 në vit. Duket një punë shumë e madhe për një muskul në madhësinë e një grushti. Dhe si çdo muskul që ushtrohet, edhe muskuli i zemrës do të zmadhohet nëse detyrohet të sforcohet.

Por një zemër e madhe, nuk është një shenjë e mirë për shëndetin. Kur ventrikuli i majtë i zemrës arrin një madhësi të caktuar, ai nuk kontraktohet më me forcën e mjaftueshme për të pompuar gjakun siç duhet. Kjo gjendje mund të çojë në insufiçencë kardiake.

Hipertensioni mund të shkaktoj edhe ngurtësim të muskulit të zemrës, duke mos e lejuar relaksimin e duhur të këtij muskuli, gjendje kjo që gjithashtu mund të çojë në insufiçencë kardiake.

Hipertensioni ushtron një stres të vazhdueshëm edhe në arterie, çka mund t`i bëj ato më të prirura për t`u dëmtuar dhe për të shkaktuar stroke hemorragjik. Edhe formimi i pllakave atherosklerotike është më i favorizuar në personat me hipertension, çka rrit rrezikun për stroke ishemik dhe atak në zemër.

Shumica e hemorragjive cerebrale të lidhura me hipertensionin janë spontane dhe ato janë rreth 60% më shumë të shprehura në personat me hipertension.


Si ulet risku i hipertensionit?


Nëse vlerat tuaja të tensionit nuk janë shumë të larta, udhëzuesit rekomandojnë si fillim mënyra jo-medikamentoze për t`i ulur ata. Ndër to përfshihen:

  • Mos pirja e alkoolit
  • Shmangia e kripës. Dieta më e rekomanduar është dieta DASH
  • Aktivitet fizik
  • Rënie në peshë

Nëse këto ndryshime të stilit të jetesës nuk i ulin mjaftueshëm vlerat e tensionit, ose nëse keni risk të shtuar ose keni kaluar një atak në zemër apo një stroke, është i nevojshëm trajtimi me medikamente. Medikamentet për hipertension janë të ndryshme, ndaj mjeku juaj mund të provoj disa kombinime deri sa arrini në kombinimin e duhur për ju.

Hipertensioni nuk shkakton simptoma, kjo është arsyeja pse njihet si “vrasës i heshtur”. Ndaj shpesh njerëzit mendojnë se nuk kanë nevojë për trajtim për sa kohë ndihen mirë. Për këtë arsye është e rëndësishme që personat me hipertension të njihen me pasojat që hipertensioni mund të shkaktoj në shëndetin e tyre dhe të marrin masat e duhura për t`i parandaluar ato në kohë.



Lexo më shumë:


15 numra që duhet të njihni për shëndetin