Para se të jeni të sigurtë për arsyen e etjes suaj duhet të kuptoni nëse keni të bëni me etje të shtuar që në gjuhën mjekësore njihet si polydipsi apo keni të bëni me gojë të thatë, ose të dyja bashkë.


Polydipsia është ndjenja e vazhdueshme e etjes që ju bën të pini vazhdimisht ujë. Edhe pas pirjes së lëngjeve, shpesh etja nuk mund të shuhet. Polydipsia mund të shoqërohet me gojë të thatë.


Goja e thatë ndodh kur gjëndrat salivare (gjendrat e pështymës) nuk prodhojnë mjaftueshëm salivë për të ruajtur lagështinë e gojës. Kjo mund të bëj të ndjeni gojën, fytin dhe gjuhën e thatë. Po ashtu mund të shkaktoj çarje të buzëve dhe vështirësi në gëlltitje. Goja e thatë mund të jetë edhe shkak edhe simptomë e etjes.


Shkaqet më të shpeshta të etjes së shtuar i gjeni më poshtë.


Diabeti


Një ndër shkaqet kryesore te etjes së shtuar është niveli i lartë i glukozës në gjak. Sasia e tepërt e glukozës e filtruar nga veshkat merr me vete dhe sasi lengjesh nga trupi, çka ju bën të urinoni më shpesh, dehidraton trupin dhe shkakton etje. Etja e shtuar është një ndër simptomat e para të diabetit.


Anemia


Kur trupi nuk ka mjaftueshëm rruaza të kuqe të gjakut (eritrocite), për shkak se shume prej tyre eliminohen ose nuk prodhohen mjaftueshëm, ju mund të keni anemi. Etja e shtuar mund të jetë një simptomë e saj dhe mund të shoqërohet me marrje mendsh, rrahje të shpeshta të zemrës dhe krampe muskulore.


Sindromi Cushing


Ndodh kur trupi juaj ka nivel të lartë të hormonit kortizol. Etja e shtuar mund të jetë një simptomë e këtij sindromi. Simptoma të tjera shoqëruese mund të jenë forma rrumbullake e fytyrës, strije ngjyrë vjollcë ose të kafta në lëkurë, shtim në peshë dhe sasi e shtuar dhjami në pjesën mes shpatullave.




Sindromi Sjogren


Goja e thatë është një ndër simptomat primare të kësaj sëmundje autoimunologjike. Thatësia mund të shfaqet në sy dhe në pjesë të tjera të trupit. Simptoma të tjera shoqëruese mund të jenë dhimbje të artikulacioneve dhe lodhje e përgjithshme.


Shtatzënia


Sasia e shtuar e gjakut që qarkullon në trup gjatë shtatzënisë e rrit shpeshtësinë e urinimit. Kjo gjendje mund të shkaktoj dehidratim. Në këto raste është mirë të shtohet sasia e lëngjeve të konsumuara.

Në disa raste, etja gjatë shtatzënisë mund të jetë një shenjë e diabetit gestational, ndaj është e rëndësishme të konsultoheni me gjinekologun për t`u siguruar që çdo gjë po shkon mirë.


Duhanpirja


Duhani mund të ndikoj në sasinë e prodhuar të salivës. Kjo mund të çojë në gojë të thatë dhe shtim të etjes. Duhani po ashtu mund të ndryshoj edhe përbërjen e salivës duke e kthyer atë ne më viskoze dhe me pak të aftë për të lagëshutuar siç duhet gojën.


Dehidratimi


Ndonjëherë, ju thjesht mund të jenë të etur sepse nuk konsumoni sa duhet lëngje. Po ashtu, të vjellat, diarreja, djerësitja mund të shkaktojnë dehidratim.


Dehidratimi mund t`ju bëj të keni marrje mendsh dhe të errësoj ngjyrën e urinës.


Probleme të veshkave


Nëse vuani nga sëmundje kronike të veshkës, etja e shtuar mund të jetë pasojë e kësaj gjendjeje. Shoqëruar me etjen mund të keni dobësi të përgjithshme trupore, kruarje, lëkurë të thatë, dhimbje koke, nauze, humbje oreksi dhe rënie në peshë.

Lexo më shumë:


Cilat janë shenjat e hershme të diabetit të tipit 2?