Pyetja:
Jam diagnostikuar me fibrilacion atrial dhe kardiologu më ka përshkruar metoprolol, që me sa di përdoret edhe për trajtimin e anginës. Por unë rrallë kam dhimbje kraharori. Mos ndoshta duhet të marrë edhe ndonjë medikament tjetër?

Përgjigja: Gjatë një episodi fibrilacioni atrial, rrahjet e zemrës janë të përshpejtuara dhe jo të rregullta. Si rezultat, zemra nuk e pompon gjakun në mënyrë efektive, çka mund të shkaktojë simptoma si vështirësi në frymëmarrje dhe lodhje. Këto episode mund të jenë okazionale dhe të përkohshme ose mund të zgjasin me orë, ditë, muaj, madje edhe vite.

Trajtimi për fibrilacion atrial ndryshon nga një person në tjetrin dhe varet nga simptomat, mosha dhe sëmundje të tjera shoqëruese që mund të keni.


Janë dy qasje kryesore për menaxhimin e rrahjeve kaotike të zemrës, të cilat karakterizojnë fibrilacionin atrial. Njëra prej tyre është kontroll i rrahjeve (frekuencës), me anë të të cilit ngadalësohen rrahjet e zemrës duke përdorur barna si beta-bllokuesit (metoprololi për shembull). Tjetra është kontrolli i ritmit, ku përdoren barna anti-aritimike (flekainide, dofetilide, propafenon, etacizine etj.) Këto barna rikthejnë dhe ruajnë një ritëm të qëndrueshëm të zemrës.

Meqenëse fibrilacioni atrial e ka fillesën nga një ritëm anormal i zemrës, duket logjike se medikamente për kontrollin e ritmit janë zgjidhja. Por nuk është domosdoshmërish kështu. Barnat anti-aritmike kanë efekte anësore, shpesh edhe serioze. Ky risk dhe nevoja për monitorim të vazhdueshëm gjatë marrjes së këtyre barnave, mund të ndikojë në cilësinë e jetës suaj.

Si rezultat, kontrolli i ritmit rekomandohet kryesisht në personat me simptoma më të rënda dhe më të shpeshta si pasojë ë fibrilacionit atrial. Gjithashtu, te personat në moshë të re dhe aktive, të cilët vuajnë nga fibrilacioni atrial mund të konsiderohet trajtimi me anë të kontrollit të ritmit. Përfitimi potencial në këtë rast është parandalimi i përkeqësimit të fibrilacionit atrial në të ardhmen me pasojë edhe dëmtimin e zemrës.

Megjithatë, në një person më të moshuar me fibrilacion atrial, i cili nuk ka simptoma shumë shqetësuese, kontrolli rrahjeve të zemrës është një qasje e sigurt dhe e mjaftueshme për trajtim. Efektet anësore të këtij trajtimi janë më të pakta dhe të lehta se ato të barnave anti-aritmike.

Duhet të shtojmë se personat me fibrilacion atrial duhet të marrin edhe barna anti-koagulante për të parandaluar strokun. Gjatë një episodi fibrilacioni atrial, rrahjet kaotike të zemrës shkaktojnë depozitimin e gjakut në dhomat e zemrës çka favorizon formimin e trombëve që mund të transportohen më vonë në tru.