Të bësh një banjë të ngrohtë ose sauna është një mënyrë shumë e mirë për t`u relaksuar. Sipas disa studimeve, nëse i ktheni ato në një zakon, ato mund të parandalojnë atakun në zemër dhe strokun. Njerëzit që frekuentojnë shpesh saunat ose banjat e ngrohta mund të reduktojnë riskun e problemeve të zemrës por bëni kujdes nëse vuani nga tensioni i ulët.

Sipas specialistëve temperaturat e larta në vaskën me ujë të ngrohtë apo në sauna shkaktojnë zgjerimin e enëve të gjakut duke çuar në ulje të presionit të gjakut. Sasia e gjakut që pompohet nga zemra rritet kryesisht në banjat e ngrohta. Kjo ndodh sepse presioni i ujit në trup, rrit ngarkesën e punës së zemrës.

Banjo japoneze


Një studim i kohëve të fundit në Japoni, aty ku përdorimi i vaskave është pjesë e kulturës së tyre, përfshiu më shumë se 30.000 njerëz për rreth 20 vite. Në fillim të studimit pjesëmarrësit u pyetën në lidhje me shëndetin në tërësi dhe zakonet për larjen, duke përfshirë këtu edhe temperaturën e preferuar të ujit (për shembull, ujë i nxehtë apo i ngrohtë). Studiuesit i ndanë pjesëmarrësit në tre grupe: ata që bënin banjë dy ose më shumë herë në javë, ata që bënin banjë tre ose katër herë në javë dhe ata që bënin banjë çdo ditë ose thuajse çdo ditë të javës. Rreth 72% e tyre rezultoi se bënin banjë thuajse çdo ditë.

Krahasuar me njerëzit që bënin banjë më pak se dy herë në javë, ata që bënin banjë thuajse çdo ditë kishin 28% risk më të ulët për sëmundjet kardiovaskulare dhe 26% risk më të ulët për goditje në tru. Studiuesit dolën në këtë përfundim pasi kontrolluan edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në shëndetin e zemrës të tilla si: dieta, ushtrimet fizike dhe duhanpirja. Temperatura e ujit (që në Japoni është rreth 40-420C) duket se nuk ndikon. Ky studim u publikua në Maj të 2020 në revistën Heart.



Sauna finlandeze


Tradita finlandeze e përdorimit të saunave daton mijëra vjet më parë. Finlandezët bëjnë sauna mesatarisht dy ose tre herë në javë për 20 minuta. Saunat janë dhoma me dru me ajër të nxehtë e të thatë. Në vitin 2018 një ekip studiuesish finlandezë publikuan një përmbledhje të përfitimeve shëndetësore të përdorimit të saunave në Mayo Clinic Proceedings.

Disa studime tregojnë për lidhjen midis përdorimit të shpeshtë të saunave (4 deri 7 herë në javë) me uljen e presionit të gjakut dhe riskun e reduktuar për sëmundjeve kardiovaskulare, duke përfshirë atakun në zemër por edhe goditjen në tru. Sipas studiuesve kjo vjen si rezultat i funksionimit më të mirë të enëve të gjakut, niveleve të përmirësuara të kolesterolit si dhe inflamacionit të ulët të vërejtur tek përdoruesit e shpeshtë të saunës. Por është gjithashtu e mundur që relaksimi që na jep frekunetimi i saunave, për mos të përmendur stilin e jetesës që mundëson frekuentimin e shpeshtë të saunave, mund të shpjegojnë rezultatet e këtyre studimeve.

Tregohuni të kujdesshëm


Saunat dhe banjat e ngrohta duket të jenë të sigurta për njerëzit me zemër të shëndetshme apo me problematika të vogla të zemrës. Por njerëzit me anginë (dhimbje në krahëror), hipertension të pastabilizuar ose probleme serioze të zemrës, duhet t`i shmangin ato.

Mjekët specialistë thonë se njerëzit që janë tek të 70-at dhe më të vjetër në moshë dhe që janë me tension të ulët duhet të jenë tepër të kujdesshëm. Nëse temperatura e ujit është shumë e ngrohtë, mund të shkaktojë ulje të mëtejshme të presionit të gjakut, çka mund të shkaktojë marramendje. Me presion të ulët të gjakut nënkuptojmë presion sistolik (numri i parë në matjen e tensionit) rreth 110 mmHg ose më të ulët. Temperatura e ujit 37-40 gradë celsius është e pranueshme. Në mënyrë që trupi të përshtatet me temperaturën këshillohet hyrja në ujë në mënyrë graduale.  

Në saunat finlandeze temperatura mesatarisht është 800C. Këshillohet qëndrimi për 15-20 minuta dhe në rast se keni tension të ulët duhet të qëndroni për një kohë edhe më të shkurtër. Nëse ndodh të mos ndiheni mirë apo të keni marrje mendsh dilni prej saj dhe qëndroni ulur për pak kohë. Këshillohet të përshtateni me temperaturën e jashtme në mënyrë graduale, mos dilni menjëherë jashtë në mot të freskët apo të ftohtë. Për ta përmbyllur, pini sa më shumë ujë pas seancës së saunës për të ripërtërirë lëngjet e humbura nga djersitja.


5 gjërat që duhet të bëni çdo ditë për ta mbajtur zemrën tuaj të shëndetshme

Një udhëzues mbi insufiçencën (pamjaftueshmërinë) e zemrës


Çfarë i shkakton palpitacionet në zemër?