Kur kuptoni se vuani nga fibrilacioni atrial, është një gjë shumë normale të jeni i shqetësuar ose anksioz.

Mënyra më e mirë për të kapërcyer tronditjen e një diagnose si fibrilacioni atrial është të kuptoni se çfarë do të thotë kjo diagnozë. Sa më shumë të dini për të, aq më mirë mund ta menaxhoni. Kjo ju vendos juve nën kontroll dhe mund të lehtësojë stresin lidhur me të. Studimet tregojnë se njerëzit me fibrilacion atrial që e kuptojnë gjendjen e tyre dhe se si ndikon te ta, kanë më pak simptoma.

Gjërat që duhen bërë menjëherë


Së pari, lexoni rreth fibrilacionit atrial në mënyrë që të dini mjaftueshëm për të, në këtë mënyrë do të kuptoni se cilat janë çështjet që duhet të flisni me mjekun tuaj.

Pasi të keni mësuar diçka rreth diagnozës, lini një takim me doktorin tuaj dhe paraqituni me një listë pyetjesh. Një gjë shumë e rëndësishme për të diskutuar janë opsionet më të mira të trajtimit për ju.

Ja disa pyetje që mund të bëni:

Si mund ta di nëse kam një episod fibrilacioni atrial?
A do më shkaktojë një goditje në tru?
A duhet të bëj ndonjë operacion?
A mund të bëj aktivitet fizik?
A do të bëhet më mirë apo më keq problemi im në të ardhmen?

Ndryshime që mund të ndihmojnë


Ka shumë gjëra që mund të bëni në jetën e përditshme për të lehtësuar simptomat tuaja dhe për t'ju ndihmuar të ndiheni më mirë. Ato përfshijnë:

Ushtrimet


Të qenit aktiv mund t'ju ndihmojë në shumë mënyra të ndryshme. Mund:
Të përmirësoni gjendjen tuaj shpirtërore
Të lehtësoni simptomat tuaja
Të mbani një peshë të shëndetshme
Të ulni rrahjet e zemrës suaj në pushim
Të ulni mundësitë e goditjes në tru apo në zemër

Nuk është e nevojshme të bëni stërvitje të rënda. E rëndësishme është të ushtroni rregullisht. Filloni me hapa të vegjël dhe shtojeni ngarkesën me kohën. Shikoni se si ndiheni me një shëtitje 10-minutëshe ose një xhiro me biçikletë, pastaj provoni të shtoni disa stërvitje kardio 30 minutëshe gjatë javës.

Ushtrimet e trupit dhe mendjes si Joga mund të ndihmojnë gjithashtu. Praktika e rregullt e Jogës mund të relaksojë mendjen dhe zemrën tuaj dhe mund të ulë shanset tuaja për një episod tjetër fibrilacioni atrial.

Sigurohuni që t'i tregoni mjekut tuaj nëse ndonjë veprimtari e caktuar ju shkakton ndryshime të rrahjeve të zemrës.

Njerëzit me fibrilacion mund të jenë nervozë për sa i përket aktivitetit seksual. Por ky i fundit mund të forcojë zemrën dhe sistemin tuaj imunitar. Nëse ndjeni sikur keni nevojë të merrni medikamente ose shtesa për probleme seksuale, bisedoni me mjekun tuaj para se t’i provoni.


Hani shëndetshëm


Pesha e lartë mund të shkaktojë simptoma, prandaj është e rëndësishme që të mbani një peshë të shëndetshme. Dieta juaj duhet të përmbajë shumë:

Fruta dhe perime
Drithëra të plota
Fruta të thata
Yndyrna të shëndetshme
Përpiquni të qëndroni larg nga gjërat me shumë sheqer, kripë apo yndyrnat trans.

Flisni me mjekun tuaj për ushqimet që mund të ndikojnë te barnat që po merrni. Për shembull, nëse jeni duke marrë hollues të gjakut, është mirë të kufizoni ushqimet me shumë vitaminë K si spinaqi dhe majdanozi.

Shmangni nxitësit


Disa gjëra mund të nxisin simptoma, ose t'i përkeqësojnë ato. Gjërat që duhen kufizuar ose shmangur përfshijnë:

Alkooli
Kafeina
Stresi
Pirja e duhanit
Ankthi
Disa medikamente kundër kollës dhe ftohjes
Mungesa e gjumit mund të jetë gjithashtu një faktor. Bëni ç'të mundeni për të bërë një gjumë të mirë.

Mund të provoni:

Të shkoni në shtrat dhe zgjoheni në të njëjtën orë çdo ditë, madje edhe në fundjavë.
Të krijoni një ambient të qetë, të freskët dhe të errët për të fjetur.
Të kufizoni dremitjet gjatë ditës.
Lehtësoni mendjen tuaj.

Stresi dhe depresioni mund të tendosin zemrën dhe t’i përkeqësojnë simptomat e fibrilacionit atrial. Flisni me miqtë dhe familjen për atë që po kaloni.

Nëse ndiheni të dëshpëruar për më shumë se dy javë, shkoni të vizitoni një profesionist të shëndetit mendor. Mjeku juaj mund t’ju ​​rekomandojë një të tillë.

Përdorni teknologjinë


Mund të gjurmoni ritmin e zemrës tuaj me pajisje EKG të lëvizshme. Disa janë aq të vogla sa një stilolaps. Të dhënat që merrni nga këto pajisje mund t`ja dërgoni menjëherë kardiologut tuaj.

Gjithashtu mund të përdorni një gjurmues të simptomave. Këtë mund ta bëni në formë elektronike, me anë të shumë aplikacioneve në smartphone-in tuaj ose duke mbajtur shënim simptomat. Sigurohuni që të shënoni çdo ndryshim në simptomat tuaja dhe diskutojini ato me mjekun.

Si të kuptosh simptomat e një infarkti?