Çfarë është sëmundja inflamatore e zorrëve?


Sëmundja inflamatore e zorrëve (SIZ) i referohet gjendjeve kronike që shkaktojnë inflamacion në disa pjesë të zorrëve. Muret e zorrëve fryhen, skuqen dhe zhvillojnë ulçera, të cilat mund të shkaktojnë shqetësime dhe probleme serioze të tretjes. Simptomat e sakta varen nga cila pjesë e traktit tretës është e prekur.

Llojet e SIZ


Sëmundja Crohn


Sëmundja Crohn është një formë e SIZ që mund të ndodhë kudo përgjatë traktit digjestiv, që nga goja deri në anus. Ndikon në shtresat më të thella të murit të traktit të tretjes dhe mund të shtrihet në zona të caktuara midis zonave të shëndetshme. Crohn shpesh përfshin zorrën e hollë, zorrën e trashë, ose të dyja. Në indet e brendshme mund të zhvillojnë plagë sipërfaqësore që duken si gërryerje të indeve ose plagë më të thella në formën e kratereve apo edhe një model si gurët e kalldrëmit.

Koliti Ulçeroz


Ndryshe nga sëmundja Crohn, Koliti Ulceroz përfshin vetëm zorrën e trashë dhe rektumin. Inflamacioni dhe ulçerat zakonisht prekin vetëm mukozën në këto zona (shtresën më të brëndshme), krahasuar me lezionet më të thella që shihen në sëmundjen e Crohn. Shpesh preket vetëm koloni i poshtëm (sigmoid), por mund të ndodhë edhe më lart. Sa më e madhe sipërfaqja e zorrës së trashë që preket, aq më të rënda do të jenë simptomat.

Simptomat e SIZ


Simptomat e kolitit ulçerativ dhe sëmundjes Crohn janë të ngjashme:

Dhimbje barku ose krampe
Diarre më shumë se një herë në ditë
Jashtëqitje me gjak
Humbje në peshë

Njerëzit me SIZ mund të kenë simptoma edhe jashtë traktit tretës, të tilla si:

Plagët në gojë dhe probleme të lëkurës
Artriti
Problemet me shikimin

Cili është shkaku?


Mjekët nuk janë të sigurt pse disa njerëz e zhvillojnë SIZ. Shumica besojnë për një reaksion inflamator jo të shëndetshëm në traktin tretës. Studiuesit kanë gjetur gjene specifike të lidhura me kolitin ulceroz dhe sëmundjen Crohn.

Kush e zhvillon atë?


SIZ godet burrat dhe gratë në mënyrë të barabartë. Më shpesh fillon gjatë viteve të adoleshencës ose moshës së pjekurisë së hershme, por mund të zhvillohet edhe në periudha të tjera. Njerëzit me një histori familjare të SIZ kanë të paktën 10 herë më shumë gjasa të zhvillojnë këtë gjendje sesa ata që nuk kanë histori.

SIZ nuk është SZI


SIZ ngatërrohet ndonjëherë me SZI, që qëndron për Sindromën e Zorrës së Irritueshme. Të dyja gjendjet mund të shkaktojnë probleme kronike të tretjes, por ka dallime thelbësore midis të dyjave. Njerëzit me SIZ kanë inflamacion, ulçera dhe dëmtime të tjera të dukshme brenda traktit tretës. Ndryshe nga SIZ, Sindroma e zorrës së irritueshme (SZI) është shumë më e zakonshme, por më pak serioze sesa sëmundja inflamatore e zorrëve.

Gjendjet shëndetësore që imitojnë SIZ


Ka çrregullime të tjera të tretjes që fillimisht mund të ngatërrohen me SIZ. Simptomat e divertikulitit janë dhimbje barku, fryrje dhe diarre, pak a shumë si SIZ. Por kjo gjendje përfshin qeska të përflakur ose të infektuar përgjatë murit të zorrës së trashë. Një shembull tjetër është sëmundja celiake, e cila shkakton krampe dhe diarre të shpeshtë, por shkaktari është një proteinë në ushqim e quajtur gluten.

Si diagnostikohet?


Radiografia me barium

Disa teste mund të ndihmojnë në diagnostikimin e sëmundjes inflamatore të zorrës. Një nga ekzaminimet më të zakonshme është radiografia me barium. Bariumi është një lëng i shkumëzuar që mund ta merret nga goja ose të aplikohet si klizmë. Ndërsa rrjedh nëpër zorrë ai vesh muret dhe bëhet i dukshëm gjatë ekzaminimit me rreze X. Kjo i ndihmon mjekët të dallojnë zonat problematike, të tilla si ulçera, enjtjet, ngushtimet ose bllokime të zorrëve. Nëse ky ekzaminim rezulton i pamjaftueshëm, mjeku mund t’ju kërkojë të bëni më shumë ekzaminime imazherike, siç është skanimi me CT.

Kolonoskopia

Ky është ekzaminimi më i rëndësishëm për diagnostikimin e SIZ. Kjo procedurë përdor një tub të hollë me një kamerë të inkorporuar për t'i dhënë mjekëve një pamje të drejtpërdrejtë të pjesës së brendshme të zorrës së trashë. Edhe ulçerat e vogla dhe inflamacioni i lehtë mund të shihen në këtë mënyrë. Nëse ndonjë zonë duket e pazakontë, mjeku mund të marrë një mostër indi (biopsi) për hetim të mëtejshëm. Testet e tjera për SIZ përfshijnë testet e gjakut për të kërkuar shenja të inflamacionit ose infeksionit.

Çfarë do të thotë të jetosh me SIZ?


Simptomat e SIZ variojnë nga të lehta deri te ato të rëndat dhe mund përkeqësohen ose lehtësohen vazhdimisht me kalimin e kohës. Shumica e njerëzve kanë shpërthime të pasuara nga periudha të gjata pa simptoma. Kjo quhet remision, dhe mund të zgjasë me muaj apo edhe vite. Në kolitin ulceroz, rreth 5% deri 10% e njerëzve kanë simptoma gjatë gjithë kohës. Dhimbja kronike e barkut dhe nevoja urgjente për të shkuar në banjë mund të ndërhyjnë në punë, kujdesin ndaj fëmijëve dhe jetën sociale.



Si ndikon stresi?


Edhe pse stresi nuk shkakton SIZ, disa njerëz raportojnë se simptomat e tyre përkeqësohen në periudha stresi. Pra, kur jeni nën presion, filloni të vini re nëse ndikon në simptomat tuaja ose shkakton një përkeqësim të menjëhershëm nëse keni qenë në remision.

A mund të sjellë komplikime?


Obstruksionet/bllokimet

Në sëmundjen Crohn, inflamacioni kronik mund ta bëjë pjesën e brendshme të zorrëve aq të ngushtë sa asgjë nuk mund të kalojë. Mjekët e quajnë këtë "bllokim të zorrëve". Shkakton bllokimin e ushqimit dhe gazit në traktin tretës. Simptomat përfshijnë ngërçe të rënda, të përziera, të vjella dhe bark të fryrë. Pengesat e zorrëve trajtohen në spital. Nëse pengesa nuk pastrohet vetvetiu, mund të keni nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.

Abscesi ose Fistula

Ulçerat e thella ndonjëherë krijojnë një xhep me qelb, të quajtur absces. Simptomat përfshijnë ethe, dhimbje dhe enjtje. Nëse një ulçerë depërton në një organ afër, ajo krijon një tunel të quajtur fistul. Një fistul midis zorrës së trashë dhe vaginës mund të lejojë bakteret në vaginë. Një fistul në fshikëz mund të shkaktojë infeksione kronike të traktit urinar. Ajo që arrin në lëkurë mund të krijojë plagë të jashtme. Fistulat dhe disa abscese shpesh trajtohen me kirurgji.

A shkakton SIZ kancer të zorrës së trashë?


Shumica e njerëzve me SIZ nuk zhvillojnë kancer të zorrës së trashë. Por ata që kanë SIZ për të paktën 8 vjet kanë një rrezik më të lartë të prekjes nga kanceri i zorrës së trashë. Rreziku është edhe më i madh kur inflamacioni prek të gjithë zorrën e trashë. Pyesni mjekun tuaj për kontrollet e rregullta, kanceri i zorrës së trashë është më i lehtë për tu trajtuar kur zbulohet herët.

Ushqime ndaj të cilave duhet treguar kujdes


Ushqimi nuk e shkakton këtë sëmundje, por produkte të veçanta mund t’i përkeqësojnë simptomat tuaja. Këto ushqime nxitëse janë të ndryshme për secilin person, por disa fajtorë të zakonshëm janë alkooli, kafeja, pijet me gaz, ushqimet pikante, fasulet, ushqimet me yndyrë, ushqime me shumë fibra, arrat dhe farat, frutat dhe perimet e papërpunuara, mishi i kuq dhe bulmeti (nëse jeni intolerant ndaj laktozës).

Nevojat ushqimore


Kur sëmundja Crohn sulmon zorrën e hollë, trupi mund të mos jetë në gjendje të përthithë të gjithë lëndët ushqyese që i duhen. Përthithja e dobët plus oreksi i dobët mund të çojë në kequshqyerje. Për ta shmangur këtë, përpiquni të mbani një dietë të ekuilibruar mirë me vakte më të vogla më shpesh gjatë gjithë ditës, dhe të pini mjaft lëngje për të qëndruar të hidratuar.

Ul stresin


Mësimi i teknikave të menaxhimit të stresit mund t'ju ndihmojë të trajtoni SIZ. Joga, meditimi dhe ushtrimet mund të jenë të dobishme. Terapia e të folurit ose terapia në grup mund të jenë gjithashtu mënyra të mira për të menaxhuar anën emocionale të sëmundjes.

Trajtimi


Medikamentet

Në rastet e lehta deri të moderuara të SIZ, trajtimi zakonisht fillon me barna të quajtura aminosalicilate. Këto janë barna anti-inflamatore që mund të ndihmojnë në trajtimin e SIZ dhe mbajtjen e tij në remision. Gjatë një shpërthimi, mjeku juaj mund të përshkruajë kortikosteroide për të zvogëluar inflamacionin dhe për t'ju ndihmuar të arrini remisionin. Medikamente të tjera për raste më të rënda synojnë të ndalojnë sistemin imunitar të shkaktojë inflamacion. Këto përfshijnë "imunomodulatorët" dhe "barnat biologjike".

Terapia e Kombinuar

Marrja e një imunomoduluesi dhe një bari biologjik mund të funksionojë më së miri për njerëzit me sëmundje të moderuar deri të rëndë të Crohn. Imunomodulatorët e bëjnë sistemin tuaj imunitar më pak aktiv. Barnat biologjike, të cilat i merrni me injeksion, bllokojnë veprimin e proteinave që janë thelbësore në përgjigjen imune që shkakton inflamacion.

Kirurgjia

Kur SIZ shkakton dëmtime të mëdha në zorrën e trashë, mund të duhet të hiqet me rrugë kirurgjikale. Kjo mund të shërojë kolitin ulceroz, sepse gjendja prek vetëm zorrën e trashë. Kirurgjia zakonisht nuk mund të shërojë sëmundjen Crohn, sepse simptomat mund të vazhdojnë në pjesë të tjera të traktit tretës. Falë përparimeve kirurgjikale, shumica e njerëzve që u hiqet zorra e trashë do të jenë në gjendje të kenë lëvizje normale të zorrëve pa një stomë.

Ushtrimet dhe SIZ


Mjekët mund të rekomandojnë ushtrime të lehta për njerëzit me sëmundje inflamatore të zorrëve. Kjo përfshin aktivitete si joga, tai chi ose ecja, të cilat nuk përfshijnë shumë aktivitet që mund të përkeqësojnë simptomat e tretjes. Ushtrimet e rregullta mund të ndihmojnë tretjen. Mund t'ju ndihmojë gjithashtu të ndiheni më mirë dhe më pak të stresuar, gjë që mund të mbajë nën kontroll simptomat.

Të jetosh më mirë me SIZ


SIZ mund të jetë një gjendje e përjetshme, por ka mënyra për ta mbajtur atë nën kontroll. Përmes barnave, ndryshimeve të stilit të jetesës dhe menaxhimit të stresit, shumë njerëz me SIZ mund të bëjnë jetën që duan të bëjnë. Nëse SIZ pengon jetën tuaj të përditshme, diskutojeni me mjekun tuaj.


Kanceri i kolonit: Çfarë duhet të dini (në çdo moshë)