Shoku i ngushtë i fëmijës suaj ka shfaqur një skuqje të lëkurës. Tre shokë të klasës u dërguan në shtëpi me grip. Duket se kudo që të merrni fëmijën tuaj, njerëzit po kolliten dhe teshtijnë. Kur duhet të shqetësoheni? Çfarë mund të bëni?

Ky udhëzues për sëmundjet e zakonshme tek fëmijët ju tregon se cilat janë dhe cilat nuk janë ngjitëse. Ai gjithashtu ofron këshilla se si ta ruani fëmijën tuaj ose ta ndihmoni atë në rrugën e shërimit.

Rrufa dhe gripi: ngjitëse


Nuk është çudi që quhet rrufë e zakonshme - fëmija në moshën parashkollore dhe në fillore vuan nga gjashtë deri në 10 episode rrufe në vit. Simptomat e rrufës - përfshirë dhimbjen e fytit, rrjedhjen e hundëve, kollën, teshtitjen dhe lodhjen - mund të zgjasin për disa ditë deri në dy javë.

Si përhapet?  Viruset sezonale, pra ato që shkaktojnë rrufën, arrijnë tek fëmijët përmes pikave në ajër kur një i sëmurë kollitet ose teshtin. Fëmijët gjithashtu marrin rrufën përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me miqtë ose duke prekur sipërfaqet mikrobike - si lodrat ose tavolinat në klasë - dhe më pas duke prekur fytyrën e tyre, veçanërisht gojën ose sytë.

Parandalimi. Një vaksinë vjetore e gripit është mënyra më e mirë për të parandaluar gripin. Ju gjithashtu mund të zvogëloni rrezikun e rrufës dhe gripit duke e mësuar fëmijën të lajë duart shpesh me sapun dhe ujë të ngrohtë. Fëmijët gjithashtu duhet të mësojnë të shmangin kontaktin e ngushtë dhe ndarjen e ushqimit dhe enëve me njerëzit e tjerë. Ata gjithashtu duhet të shmangin futjen e duarve dhe sendeve të tjera jo-ushqimore në gojën e tyre.

Trajtimi. Ndërsa nuk ka kurë për rrufën, ju mund t’i krijoni rehati fëmijës tuaj kur është paqejf. Jepini acetaminofen (Paracetamol) për dhimbje dhe shumë lëngje. Gargarat me ujë të kripur mund të lehtësojnë dhimbjen e fytit dhe avulli ndihmon në pastrimin e bllokimit të hundës. Nëse simptomat e rrufës shoqërohen nga një ethe e lartë, dhimbje të forta muskulore dhe lodhje, fëmija juaj mund të ketë grip. Flisni me mjekun pediatër për mënyra të tjera për të lehtësuar simptomat.

Sëmundja Duar, Këmbë e Gojë: ngjitëse


Sëmundja e duarve, këmbëve dhe gojës është një sëmundje e zakonshme virale që prek më shpesh foshnjat dhe fëmijët nën moshën 5 vjeç. Simptomat përfshijnë ethe, plagë në gojë dhe skuqje të lëkurës.

Si përhapet? Viruset që shkaktojnë sëmundje të duarve, këmbëve dhe gojës kalojnë në pështymë, mukus të hundës, në fekale dhe lëng nga flluskat e gojës të njerëzve të infektuar. Fëmija juaj gjithashtu mund ta kapë atë duke prekur çdo gjë që preket nga një person që e ka atë.

Parandalimi. Larja e shpeshtë e duarve ndihmon në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve të duarve, këmbëve dhe gojës. Fëmija juaj duhet gjithashtu të shmangë kontaktin e ngushtë ose ndarjen e ushqimit ose enëve me fëmijët e tjerë. Nëse një fëmijë i infektuar ka qenë në shtëpinë tuaj, lani lodrat dhe sipërfaqet e shtëpisë që mund të mbajnë mikrobet. Më pas dezinfektoni ato, duke përdorur 1 lugë gjelle zbardhues në 4 gota ujë.

Trajtimi. Nuk ka ndonjë trajtim specifik për sëmundjen e duarve, këmbëve dhe gojës. Meqenëse është shkaktuar nga një virus, nuk kërkohen antibiotikë. Por ka gjëra që mund të bëni për të ndihmuar në lehtësimin e simptomave të fëmijës tuaj. Jepni acetaminofen (Paracetamol) për dhimbje dhe ethe. Mjeku juaj mund të rekomandojë përdorimin shpëlarësve të gojës me analgjezike. Sigurohuni që fëmija të marrë mjaft lëngje për t'u siguruar që nuk po dehidrohet. 

Skuqja e syve (konjuktiviti): ngjitëse


Syri rozë, ose konjuktiviti, është një acarim i syrit dhe e qepallës. Simptomat mund të përfshijnë kruajtje, djegie, skuqje, lotim të shtuar, ndjeshmëri ndaj dritës dhe koricka në kapak ose qerpik.

Si përhapet?
Viruset, bakteret, alergjenët ose irrituesit mund të shkaktojnë skuqjes e syve. Kur një virus ose bakter është shkaku, fëmijët mund ta kapin atë lehtësisht duke prekur një sipërfaqe të ndotur dhe më pas duke prekur sytë e tyre.

Parandalimi. Për të mbrojtur fëmijët tuaj dhe veten, lani duart shpesh me sapun dhe ujë të ngrohtë. Kur sapuni dhe uji nuk janë në dispozicion, përdorni një pastrues me bazë alkooli. Mos lejoni që fëmijët të ndajnë peshqirët, jastëkët, apo rroba ose sende të tjera me dikë që është i infektuar. Nëse ju ose dikush tjetër në shtëpinë tuaj ka skuqje sysh, lani jastëkët, çarçafët dhe peshqirët në ujë të nxehtë dhe detergjent për të shmangur përhapjen e tij.

Trajtimi. Konjuktiviti i lehtë shpesh përmirësohet vetë. Lotët artificialë dhe kompresat e ftohta mund të ndihmojnë në lehtësimin e thatësisë dhe inflamacionit. Nëse fëmija juaj ka dhimbje në sy, ethe, probleme me shikimin, dhimbje koke ose skuqje të fortë, ose nuk është më mirë brenda dy ditësh, kontaktoni mjekun pediatër.

Ftohja e Stomakut: ngjitëse


"Ftohja i stomakut" nuk është në të vërtetë ftohje por gastroenterit, një stomak i trazuar zakonisht i shkaktuar nga një virus. Simptomat mund të përfshijnë dhimbje barku, ngërçe, diarre, ethe dhe të vjella. Ato gjithashtu mund të përfshijnë një skuqje të lëkurës. Zakonisht përmirësohen brenda pak ditësh.

Si përhapet? Fëmija juaj mund ta marrë gastroenteritin përmes kontaktit të ngushtë me dikë që e ka atë ose duke ngrënë ushqim që është përgatitur ose prekur nga dikush që ka qenë sëmurë.

Parandalimi. Mundohuni ta mbani fëmijën tuaj larg njerëzve që kanë gastroenterit. Mësojeni atë të lajë duart shpesh, veçanërisht para ngrënies dhe pas përdorimit të banjës. Mësojeni fëmijën tuaj të shmangë ndarjen e ushqimeve dhe enëve me fëmijët e tjerë. Mësojeni të mos fusë gishtat në gojë.

Trajtimi. Nuk ka ndonjë trajtim specifik për ftohjen e stomakut. Jepini fëmijës lëngje shtesë të pastra për t'u siguruar që ai të jetë i hidratuar mirë dhe vëreni të pushojë. Shmangni ushqimet pikante dhe ushqimet e skuqura. Jepni në fillim sasi të vogla ushqimesh neutrale si tost, biskota pa shumë yndyrë, oriz, ose banane.

Madje mund të mendoni shtimin e një probiotiku për të rritur bakteret e shëndetshme dhe normale në zorrën e tij. Pastaj kthehuni në dietën e tij të rregullt, por ushqeni shpesh e me sasi të vogla. Nëse mendoni se fëmija juaj nuk pi mjaftueshëm ose po bën zbrazje të shpeshta (një fëmijë 1 vjeç ose më i madh duhet të defekojë të paktën një herë në katër orë) telefononi mjekun tuaj. Nëse i vogli juaj është më pak se 1 vjeç dhe ka të vjella ose diarre, këshillohuni me mjekun tuaj.

Skuqja në fytyrë ("Shpulla në faqe"): ngjitëse


Kjo sëmundje virale zakonisht prek fëmijët e moshës shkollore, më shpesh në dimër dhe pranverë. Zakonisht fillon me ethe të shkallës së ulët, dhimbje koke dhe hundë të zëna apo që rrjedhin. Por, simptoma kryesore është një skuqje e ndezur që fillon në faqe - duke dhënë pamjen e faqeve të goditura - dhe mund të përparojë në trung, krahë dhe këmbë.

Si përhapet? Parvovirus B19, i cili shkakton sëmundjen e faqeve të skuqura, përhapet përmes pështymës dhe mukusit të hundës.

Parandalimi. Kjo sëmundje është më ngjitëse në fazën e "hundës së zënë", para se të fillojë skuqja, kështu që është e vështirë të parandalohet. Mbrojtja më e mirë e fëmijës suaj është të shmangë kontaktin me fëmijët që kolliten dhe teshtinë. Larja e shpeshtë e duarve - veçanërisht para se të prekni sytë, hundën ose gojën - gjithashtu ndihmon.

Trajtimi. Sëmundja e faqeve të skuqura është zakonisht e lehtë dhe nuk kërkon trajtim tjetër përveç pushimit. Nëse është e nevojshme, acetaminofeni (Paracetamoli) ose ilaçet kundër kruajtjes mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave. Sidoqoftë, parvovirus B19 mund të shkaktojë komplikime serioze tek njerëzit me një sistem imunitar të dobësuar ose anemi kronike, ose në gratë shtatzëna. Atëherë është e rëndësishme ta vizitoni fëmijën te mjeku.

Ekzema: Jo ngjitëse


Ekzema, ose "dermatiti atopik" prek rreth një në 10 foshnje dhe fëmijë. Simptomat mund të fillojnë para ditëlindjes së parë të fëmijës dhe pothuajse gjithmonë para moshës 5 vjeç. Ekzema fillon si një skuqje kruajtjeje në fytyrë, bërryla ose gjunjë që mund të përhapet në zona të tjera duke përfshirë lëkurën e kokës dhe prapa veshëve. Skuqja mund të përmirësohet dhe madje të zhduket herë pas here, por rikthehet.

Shkaqet. Gjenet dhe faktorët e mjedisit - të tilla si ushqimet, poleni, pluhuri, lëkura e kafshëve - besohet se shkaktojnë ekzemën. Fëmijët me ekzemë kanë një rrezik në rritje që të kenë alergji dhe astmë.

Parandalimi. Nuk mund ta ndaloni ekzemën te fëmija juaj, por mund të ndihmoni në parandalimin e flakërimit të saj. Lëkura e thatë është një shkas, kështu që mbajeni të hidratuar lëkurën e fëmijës tuaj shpesh, veçanërisht pas larjes. Vishini rroba të buta me pëlhura që "marrin frymë" si pambuku. Shmangni sapunët ose locionet me parfum si dhe banjot me flluska sepse ato mund të irritojnë lëkurën. Mos përdorni shumë sapun, sepse mund të thajë lëkurën. Mësoni të dalloni shenjat e infeksionit të lëkurës dhe trajtojini ato herët.

Trajtimi. Banjat e ftohta mund të ndihmojnë në lehtësimin e kruajtjes. Mjeku i fëmijës suaj mund të ketë këshilla të tjera dhe të përshkruajë trajtim, nëse është e nevojshme. Kjo mund të përfshijë kremra ose pomada kortikosteroide, ilaçe lokale, përgatitje katrani, antihistaminikë për lehtësimin e kruajtjes dhe antibiotikë oralë ose lokalë për infeksione që mund të shoqërojnë shpërthimet.

Infeksioni i veshit: Jo ngjitës


Shumica e fëmijëve kanë të paktën një infeksion të veshit të mesëm nga mosha 2 vjeç. Ftohjet ose alergjitë mund të shkaktojnë rritjen e baktereve në veshin e mesëm të një fëmije, duke bllokuar tubat e eustakit, të cilët lidhin veshin e mesëm me fytin. Kjo mund të shkaktojë dhimbje, ethe dhe ndonjëherë vështirësi në të dëgjuar.

Shkaku. Megjithëse fëmijët nuk mund të marrin infeksione të veshit nga fëmijët e tjerë, ata mund të sëmuren me rrufë, gjë që i bën më të mundshme infeksionet e veshit.

Parandalimi. Për të zvogëluar rrezikun e infeksioneve të veshit, ndihmoni fëmijën tuaj të mbajë një distancë të shëndetshme nga njerëzit që janë të sëmurë dhe lajani duart shpesh. Shmangni ekspozimin e tij ndaj tymit të cigares, gjë që mund të rrisë rrezikun e infektimit të veshit. Dhe mos e lini të pijë me shishe ndërsa është shtrirë.

Trajtimi. Nëse fëmija juaj ka dhimbje dhe ethe nga një infeksion në vesh, jepni acetaminofen (Paracetamol) për ta qetëusuar dhe vizitojeni te një mjek. Ai mund të ketë nevojë për antibiotikë, megjithëse shumë infeksione të veshit zhduken vetvetiu tek fëmijët më të mëdhenj se 2 vjeç. Shumica e simptomave të infeksionit të veshit zhduken brenda disa ditësh pasi të fillojnë antibiotikët.


Pse fëmija juaj duhet të vazhdojë vaksinimin edhe gjatë pandemisë së Koronavirusit?


Si të ndihmojmë fëmijët që kanë kapsllëk kronik



Dhimbjet e kokës te fëmija me rifillimin e shkollës