Personat me diabet të tipit 2 mund të mbajnë nën kontroll nivelin e glukozës me dietë, aktivitet fizik dhe medikamente. Por nëse nuk e kontrolloni cdo ditë nivelin e glukozës në gjak, nuk mund të kuptoni nëse gjërat po shkojnë sic duhet. Kur ndiqni rregullisht nivelin e glukozës, mjeku juaj mund të kuptojë nëse terapia që jeni duke marr është duke funksionuar apo jo.

Shenjat dhe simptomat të cilat mund të tregojnë se niveli i glukozës nuk është i stabilizuar janë:


Jeni vazhdimisht të etur


Etja dhe urinimi i shpeshtë janë dy shenja klasike të diabetit dhe shkaktohen nga niveli i lartë i glukozës në gjak. Ndërkohë që veshkat tuaja punojnë më shumë për të filtruar glukozën, ato marrin edhe më shumë ujë nga indet, çka ju bën të urinoni më shpesh se zakonisht. Etja është mënyra se si trupi ju njofton se duhet të zëvendësoni sasinë e humbur të lëngjeve. Nëse nuk pini më shumë ujë, mund të dehidratoheni.


Jeni vazhdimisht të lodhur


Lodhja është po ashtu një shenjë që niveli i glukozës nuk është nën kontroll. Kur glukoza qarkullon në gjak në vend që të jetë e drejtuar ndaj qelizave të trupit, muskujtë nuk kanë mjaftueshëm glukozë për energji. Mund të ndiheni pak të lodhur por lodhja mund të jetë aq e madhe sa keni nevojë vazhdimisht për gjumë. Personat me diabet ndihen vecanërisht të lodhur pas ngrënies së një vakti të bollshëm.


Keni marrje mendsh


Ndjenja e marramendjes mund të jetë një shenjë e nivelit të ulët të glukozës në gjak (hipoglicemisë). Meqenëse truri ka nevojë për glukozë për funksionimin e tij, rënia e nivelit të glukozës mund të jetë shumë i rrezikshëm – edhe kërcënues për jetën nëse nuk veproni në kohë. Një gotë më lëng frutash mund ta rikthejë nivelin e glukozës në një kohë të shkrutër. Nëse keni patur shenja të hipoglicemise, duhet të flisni me mjekun tuaj për të përshtatur trajtimin.


Ënjtje të duarve dhe këmbëve


Nëse vuani nga hipertensioni dhe njëkohësisht nga diabeti, të dyja këto gjendje mund të dëmtojnë aftësinë e veshkave për filtrim të lëngjeve me kohën. Në këto kushte, sasia e lëngjeve në trup mund të rritet dhe mund të shkaktojë ënjtje të këmbëve dhe duarve – një shenjë paralajmëruese të problemeve me veshkat. Këto lloj problemesh mund të parandalohen nëse merrni sipas rekomandimit të mjekut barnat për tension dhe diabet. Ndryshimet në dietë mund të ndihmojnë gjithashtu, për të ruajtur një nivel optimal të glukozës në gjak.


Mpirje dhe shpime në këmbë


Dëmtimi i nervit, i quajtur – neuropati periferike, mund të jetë një tjetër shenjë e nivelit të lartë të glukozës në gjak. Kjo gjendje mund të shkatojë mpirje dhe shpime në këmbë dhe duar ose mosndjeshmëri ndaj dhimbjes dhe ndryshimit të temperaturës. Personat me neuropati nuk e kuptojnë shpesh që janë dëmtuar dhe në shumë raste plagët e tyre infektohen. Në disa raste, personat me neuropati janë më shumë të ndjeshëm ndaj dhimbjes dhe kanë dhimbje konstante edhe në gjendje qetësie.


Probleme me stomakun


Diabeti dëmton gjithashtu edhe nervin që ndihmon në zbrazjen e stomakut dhe kalimin me lehtësi të ushqimit për në vazhdim të traktit digjestiv. Kur stomaku nuk zbrazet në kohë, mund të ndodh ajo që njihet si – gastropareza, e cila shkakton nauze, të vjella, fryrje barku, urth ose ngopje të menjëhershme edhe pas vakteve të lehta. Gastropareza e bën edhe më të vështirë kontrollin e diabetit.


Probleme me shikimin


Niveli i lartë i glukozës në gjak dhe hipertensioni mund të dëmtojnë strukturat e syrit dhe të shkaktojnë probleme të shikimit. Retinopatia diabetike – e shkaktuar nga dëmtimi i enëve të gjakut në sy, është një nga shkaqet kryesore të verbimit te të rriturit. Shikimi i turgulluar, njollat apo vizat që shfaqen në shikim janë arsye për t`u kunsultuar me mjekun.


Rënia në peshë


Rënia në peshë është gjithmonë një ide e mirë për të menaxhuar diabetin e tipit 2. Por nëse po humbisni më shumë kile se ç`duhet pa u përpjekur, mund të jetë një shenjë që niveli i glukozës në gjak është i lartë. Kur niveli i glukozës është i lartë, eliminohet me urinën, duke eliminuar në këtë mënyrë edhe kaloritë dhe lëngjet.


Infeksione të shpeshta


Infeksionet e shpeshta dhe rekurrente mund të jenë një shenjë e nivelit të lartë të glukozës në gjak. Probleme të mishrave të dhëmbëve, infeksione urinare, infeksione bateriale ose mykotike të lëkurës dhe infeksionet gjinekologjike janë të shpeshta në diabet. Infeksione të tjera mund të jenë: pneumonia dhe infeksione të tjera të traktit respirator, të veshkave, tëmthit, si dhe infeksione të veshit dhe sinuseve.


Plagë që nuk shërohen


Nëse niveli i glukozës në gjak nuk është i mirë kontrolluar, ju mund të shikoni që plagët tuaja shërohen me vështirësi. Mjekimi i plagëve, sado të vogla në pacientët me diabet është shumë i rëndësishwm, pasi mund të përbëjnë një burim infeksioni. Infeksioni po ashtu, përkeqëson nivelin e glukozës, çka e bën edhe më të vështirë për sistemin imunitar të luftojë kundër këtyrë infeksioneve.


Është shume e rëndësishmë të mos panikojmë për komplikacionet nga diabeti – mundohuni t`i shmangni ato me kujdes dhe të ndiqni këshilat e mjekut. Merrni rregullisht medikamentet, hani sipas një dietë të shëndetshme dhe kryeni aktivitet fizik për të ruajtuar në normë nivelin e glukozës.

Lexo më shumë:

Cilat janë shenjat e hershme të diabetit të tipit 2?