Çfarë është?


E thënë thjesht, kur muskujt e zemrës nuk furnizohen me gjak, e si rrjedhojë nuk furnizohen me oksigjenin e nevojshëm. Pa oksigjen, qeliza dëmtohet dhe vdes. Zgjidhja në këto raste është të rikthesh sa më shpejtë qarkullimin e gjakut.

Cili mund të jetë shkaku?


Me kohën, në muret e brendshme të arterieve të zemrës - arteriet koronare, mund të depozitohen pllaka yndyrore. Depozitimi i tyre vështirëson kalueshmërinë dhe qarkullimin e gjakut. Ataku në zemër ose infarkti i miokardit, në më të shumtën e rasteve, ndodh kur një pjesë e këtyre pllakave shkëputet dhe përreth saj formohen koagula gjaku, të cilat bllokojnë kalueshmërinë dhe si pasojë bllokojnë qarkullimin e lirë të gjakut.

Cilat janë simptomat?


Mund të ndjeni dhimbje, shtrëngim ose diskomfort në kraharor. Mund të keni marrje fryme, djersitje dhe dhimbje në qafë, nofull ose shpatull.

Burrat dhe gratë mund të kenë simptoma të ndryshme. Burrat janë më të prirur të kenë djersë të ftohta dhe dhimbje që përhapet në krahun e majtë.

Gratë kanë më shumë gjasa të kenë dhimbje në qafë dhe shpatulla, djegie stomaku dhe marrje fryme. Mund të kenë edhe të vjella, lodhje dhe marrje mendsh. Disa javë para atakut në zemër, gratë mund të kenë simptoma të ngjashme me ato të gripit dhe probleme me gjumin.

Çfarë duhet të bëjmë?


Nëse ju ose dikush që është me ju ka simptoma të një infarkti miokardi, duhet të telefonini menjëherë urgjencën. Nëse është vërtetë një infarkt, shanset për të mbijetuar janë më të mëdha nëse arrini në spital brenda 90 minutave. Gjatë kohës që jeni duke telefonuar, personi që po pëson atak duhet të marrë një aspirinë (përveç rasteve kur është alergjik ndaj aspirinës).

Si diagnostikohet?


Së pari kryhet një EKG, e cila tregon aktivitetin elektrik të zemrës, çka mund t`i ndihmojë mjekët për të parë për shenja të mundshme të një ataku në zemër. Gjithashtu, EKG mund të tregojë edhe se cila arterie është e bllokuar.

Teste të tjera që mund t`ju kërkohen janë analiza gjaku, të cilat detektojnë proteina që çlirohen nga qelizat kardiake pas dëmtimit të tyre.

Si trajtohet?


Përpjekjet kryesore janë për rikthimin e qarkullimit të gjakut në zemër. Ndër të tjera, mund të merrni barna kundër mpiksjes së gjakut në arterie.

Gjithashtu, mund t`i nënshtroheni një procedure mjekësore të quajtur koronarografi - e cila ka për qëllim zhbllokimin e arteries së bllokuar. Në shumicën e rasteve, në këtë arterie vendoset një stent, i cili siguron kalueshmërinë në arterie.

Çfarë e rrit riskun?


Risku për të pësuar një infarkt miokardi rritet me moshën. Burrat janë më shumë të rrezikuar se gratë. Gjithashtu, historia familjare luan në rol të rëndësishëm duke rritur riskun. Të tjerë faktorë janë: duhanpirja, hipertensioni arterial, niveli i lartë i kolesterolit, diabeti, stresi, mungesa e aktivitetit fizik dhe depresioni.

Si mund të parandalohet?


Një ndër mënyrat më efikase është të mos pini duhan - e ulni riksun me 1/3.

Bëni aktivitet fizik dhe hani shëndetshëm. Shoqata Amerikane e Zemrës (AHA) rekomandon 30 minuta aktivitet fizik të moderuar në ditë, për 5 ditë të javës. Hani fruta, perime dhe drithëra për të ruajtur të shëndetshme arteriet tuaja.

Disa persona i ndihmon edhe marrja e aspirinës çdo dite, megjithatë duhet të flisni me mjekun tuaj nëse është një mënyrë e përshtatshme për ju.

Dhe sigurisht, menaxhoni stresin.

Si është jeta pas një ataku në zemër?


Nëse keni qenë shtruar në spital, mund të riktheheni në shtëpi pas disa ditës dhe mund t`i riktheheni jetës tuaj normale pas disa javësh.

Rehabilitimi kardiak mund t`ju ndihmojë të rikuperoni. Këshillohuni për një program fitnesi të përshtatshëm për ju dhe si të mbani një stil jetese të shëndetshëm.

Gjithçka mbi kolesterolin