Dimri po afron dhe bashkë me temperaturat e ulëta, kjo stinë sjell dhe një sërë problemesh shëndetësore – kryesisht për të moshuarit.


Cila është lidhja me temperaturat e ulëta?


Moti i ftohtë nuk shkakton sëmundje, por mund t`i favorizoj ato. Studimet kanë treguar se virozat e dimrit përhapen më lehtësisht në temperatura të ftohtë dhe lagështi. Po ashtu, i ftohti ul qarkullimin e gjakut në zonën e hundës, fytit dhe mushkërive, çka ul funksionin e sistemit imunitar.


Por ajo çka vërtet nxit virozat e dimrit është ekspozimi më i madh ndaj patogjenëve. Temperaturat e ulët i bëjnë njerëzit të qëndrojnë në ambiente të mbyllura. Është më e thjeshtë të infektohesh me një virus nëse gjendesh në ambient të mbyllur dhe me ajër që qarkullon me vështirësi.


Të moshuarit kanë më shumë rrezik


Kjo ndodh për shkak se me moshën sistemi ynë imunitar mund të dobësohet. Po ashtu me moshën, shtohen edhe patologji të tjera të cilat mund të rëndojnë gjendjen shëndetësore në përgjithësi dhe po ashtu ndikojnë në sistemin imunitar.


Cilat janë sëmundjet më të shpeshta të dimrit?


Të ftohtët

Ajo që shpesh i referohemi si të ftohtët ka të bëjë me rinitin viral dhe mund të shkaktohet nga më shume se 200 lloje virusesh. Simptomat shfaqen gradualisht dhe mund të përfshijnë një fyt të irrituar, hundë e sinuse të bllokuara, teshtima, kollë dhe ngjirje zëri.


Sinusiti

Është një infeksion që mund të shkaktohet nga viruse apo baktere. Ënjtjet e shtresave të sinuseve bllokojnë mukusin në hapësirat e sinuseve. Simptomat mund të jenë presion dhe dhimbje në faqe dhe sy, bllokim të hundës, sekrecione të verdha ose jeshile, reduktim të nuhatjes, temperaturë, dhimbje koke dhe lodhje.


Bronkiti

Është një inflamacion i shtresave bronkiale i shkaktuar kryesisht nga infeksionet virale por shkak mund të bëhen edhe infeksionet bakteriale. Simptomat mund të jenë shtrëngim në gjoks, kollë dhe sekrecione.


Pneumonia

Është një inflamacion më në thellësi të mushkërive, Shkaktarë të kësaj gjendje mund të jenë si viruset edhe bakteret. Simptomat mund të jenë temperaturë, kollë me sekrecione, vështirësi në frymëmarrje, lodhje dhe ndonjëherë dhimbje gjoksi në frymëmarrjet e thella.


Gripi

Është një sëmundje virale ngjitëse dhe potencialisht shumë e rrezikshme. Simptomat shfaqen shumë shpejt dhe mund të jenë temperaturë, kollë, dhimbje fyti, bllokim të hundëve, dhimbje muskulore, lodhje, te vjella e diarre.


Si t`i parandalojmë?


Për të shmangur këto gjendje të shpeshta në dimër mund të marrim disa masa paraprake.


- Vaksinohuni nga gripi.

- Nëse jeni mbi 65 vjeç merrni vaksinën e pneumokokut.

- Lani duart shpesh gjatë ditës.

- Shmangni kontaktin e afërt me persona të sëmurë.