Kanceri nuk është një sëmundje por një kompleks sëmundjesh të cilat mund të kenë shumë shkaqe, që nga ato gjenetiket deri te ekspozimi ndaj toksinave të ndryshme. Dieta jonë e përditshme mund të luaj gjithashtu një rol për zhvillimin ose jo të kësaj sëmundjeje.

Studimet kanë treguar se rreth 20% e llojeve të ndryshme të kancerit janë të lidhura me mbipeshën, jetën sedentare, keq-ushqyerjen dhe konsumin e tepërt të alkoolit.

Në këtë artikull do të gjeni lidhjen ndërmjet kancerit dhe dietës, gjithashtu çfarë duhet të hani për të parandaluar kancerin dhe për të rikuperuar nëse po përballeni me këtë sëmundje.

Cilat janë ushqimet që rrisin rrezikun për kancer?


Në fakt studimet nuk kanë treguar se ka një lidhje solide mes një diete specifike dhe rrezikut për zhvillim të kancerit apo mundësisë për parandalim të kancerit. Mbi të gjitha, duhet thënë se studimet për identifikimin e një faktori të tillë si dieta janë shumë të vështira për të kryer, pasi ne hamë ushqime të ndryshme dhe i gatuajmë ato në mënyra të ndryshme, çka mund të kenë ndikim të ndryshëm në trupat tanë. Për këtë arsye, këto lloj studimesh janë në shumicën e rasteve sugjeruese për llojet e ushqimeve që mund të ndryshojnë riskun tonë për të zhvilluar kancer.

Ushqimet që kanë treguar se mund të rrisin rrezikun për kancer janë:


Ushqimet e përpunuara


Një studim i vitit 2018 me mbi 100.000 persona tregoi se kishte një lidhje midis ngrënies së ushqimeve të përpunuara dhe kancerit - me një rritje prej 10% të rrezikut për kancer.

Ushqime të tilla si:


- Buka e paketuar
- Ëmbëlsirat e paketuara ose ushqime të kripura të paketuara
- Pijet e ëmbëlsuara me gaz
- Pijet me sheqer (lëngjet e frutave të paketuara)
- Mishi i përpunuar (Sallam, salsiçe, etj.)
- Supat e paketuara
- Ushqimet e përbëra kryesisht nga sheqeri, vaji dhe yndyra

Mishi i kuq dhe mishi i përpunuar


Disa lloje mishi mund të rrisin rrezikun për zhvillim të kancerit. Autorët e një meta-analize të disa studimeve kanë sugjeruar se konsumi i mishit të përpunuar mund të rrisë rrezikun për kancer të fshikëzës urinare. Por nuk është gjetur një lidhje ndërmjet konsumit të mishit të kuq dhe rritjes së rrezikut për zhvillim të këtij kanceri.

Gjithashtu, ngrënia e shpeshtë e mishit të përpunuar rrit rrezikun për kancer të stomakut dhe kancer kolorektal.

Mishi i përpunuar përfshin:


- Proshutat e të gjitha llojeve (edhe ajo e pulës apo e gjelit)
- Bacon
- Salsice
- Sallam

Disa studime kanë treguar se konsumi i më shumë se 500 gram mish të kuq (ose 3 porcione) në javë, rrit rrezikun për kancer kolorektal (kancer i zorrës). Megjithatë, për sa i përket mishit të kuq, studimet janë kontroverse, pasi është shumë e rëndësishme edhe mënyra e gatimit të mishit. Për më shumë mbi këtë temë, mund të lexoni një tjetër artikull mbi mishin e kuq dhe lidhjen e tij me kancerin: Demonizimi i mishit të kuq dhe kanceri.

Alkooli


Ka fakte të qarta që pirja e alkoolit rrit rrezikun për kancer të:

- Gojës
- Faringut (fytit)
- Laringut
- Mëlçisë
- Ezofagut
- Gjirit
- Kolorektumit

Edhe pse ende nuk dihet saktësisht arsyeja se pse ndodh kjo, disa studime tregojnë se mund të jetë për shkak të dëmtimit të ADN-së ose të çrregullimit të aftësisë së trupit për të përthithur dhe përpunuar nutrientët.

Të gjitha studimet tregojnë gjithashtu se nëse pirja e alkoolit shoqërohet edhe me duhanpirjen, rreziku rritet edhe më shumë. Rekomandohet maksimumi dy gota për meshkuj në ditë dhe një gotë për gratë. Nëse vërtet nuk hiqni dot dorë nga alkooli, atëherë të paktën përpiquni që të jetë një gotë verë e kuqe cilësore.

A ndikon mbipesha në riskun për kancer?


Mbipesha rrit rrezikun për shumë probleme shëndetësore, si diabeti i tipit 2, sëmundjet e zemrës dhe gjithashtu rrit edhe rrezikun për kancer.

Arsyet pse mbipesha lidhet me rrezikun për kancer janë si më poshtë:


- Mbipesha rrit nivelin e insulinës dhe IGF-1.
- Obeziteti shkakton inflamacion kronik.
- Sasia e madhe e dhjamit në trup rrit nivelin e estrogjenit në qeliza.
- Qelizat dhjamore mund të ndryshojnë procese të ndryshme në trup që lidhen me zhvillimin e kancerit.

Personat mbipeshë ose ata obezë kanë risk më të lartë për:


- Kancer gjiri
- Kancer kolorektal
- Kancer endometri
- Kancer ezofagu
- Kancer i veshkave
- Kancer pankreasi
- Kancer prostate
- Kancer të vezoreve

Cilat janë ushqimet që mund të luftojnë kancerin?


Të gjitha studimet për ushqimet që mund të ulin rrezikun për kancer të çojnë në dietat e pasura me fruta dhe perime. Edhe pse arsyet e sakta për këtë efekt nuk dihen, shpesh spekulohet mbi përmbajtjen e fitonutrientëve në këto ushqime, të cilat mund të ndihmojnë me:

- Rregullimin e hormoneve si estrogjeni, i cili mund të çojë në disa lloje kanceri
- Ngadalësimin e rritjes së qelizave kanceroze
- Parandalimin e inflamacionit, i cili mund të cojë në kancer dhe sëmundje të tjera
- Shmangien e dëmtimit nga oksidantët, të cilët dëmtojnë ADN-në

Sigurisht që ndryshimet dietetike nuk mund të parandalojnë për cdo rast kancerin, por ngrënia e frutave dhe perimeve të pasura me nutrientë të rëndësishëm mund të ndihmojë në këtë proces.

Rekomandimet si më poshtë:


- Mollët
- Dardhët
- Fasulet dhe bizelet
- Manaferrat
- Boronicat
- Karrotat
- Qershitë
- Specat djegës
- Kafeja
- Boronicat e kuqe
- Perimet me gjethe jeshile si spinaqi, sallata jeshile
- Farat e lirit (më mirë të bluara për përthithje më të mirë)
- Hudhra
- Qitro
- Rrushi
- Mjedra
- Çaji
- Arrat
- Drithërat si orizi kaf, tërshëra, elbi, drithërat e melit
- Kungulli

Shumë prej ushqimeve të listës së mësipërme janë të pasura me fibra. Fibrat janë esenciale për një tretje të duhur dhe ndihmojnë në uljen e riskut për kancer kolorektal.

A ndihmojnë suplementet për të parandaluar kancerin?


Vitaminat, mineralet dhe antikosidantët mund të reduktojnë riskun për kancer, por gjithmonë rekomandohet që të merren më mirë nga ushqimet.

Studimet nuk kanë treguar se marrja e vitaminave dhe suplementeve te tjera mund të ndihmojë në uljen e riskut për kancer. Madje në disa raste disa lloj suplementesh mund të shkaktojnë efekte të padëshiruara. Psh. disa studime kanë treguar se dozat e larta të beta-karotenit mund të rrisin riskun për kancer të mushkërisë dhe dozat e larta të vitaminës E mund të rrisin riskun për kancer prostate.

Për këtë arsye, para fillimit të një suplementi është mirë që të këshilloheni gjithmonë me mjekun ose farmacistin.