Nëse jeni diagnostikuar me ADHD ose njihni dikë që vuan, atëherë ju e dini që mundësitë e trajtimeve janë të ndryshme për këdo.

Në varësi të moshës, simptomave dhe reagimit të trupit tuaj ndaj mjekimit, ju mund të zgjidhni që të anashkaloni mjekimet tradicionale dhe të kërkoni për trajtime më natyrale. Fatmirësisht, janë disa mundësi premtuese për trajtimin e këtij çrregullimi në fëmijë dhe të rritur.

Por mos harroni që të këshilloheni me mjekun përpara se të bëni ndryshime në planin e trajtimit që keni. Mjekimet shtëpiake mund të jenë shumë të mira, por ato nuk mund të jenë zëvendësuese të një trajtimi të përshkruar nga mjeku. Madje për disa njerëz mund të jenë të dëmshme.

ADHD është më tepër se një stereotip që lidhet me një shpërqendrim të vëmëndjes së dikujt. Ky çrregullim e bën më të vështirë që të përqëndrohesh dhe të përmbushësh një detyrë brenda një afati – diçka që na duhet të bëjmë të gjithë në përditshmërinë tonë në punë ose shkollë – gjë e cila e bën më të vështirë që të jesh i frytshëm. Gjithashtu mund të të bëjë harraq, aspak të suksesshëm në të qënit i organizuar dhe të prirur për të humbur gjërat.

Tëk fëmijët, mund të bëjë që ata të duken trazovaç që s’lënë dy gurë bashkë, të lëvizshëm ose të shfaqin sjellje që të tjerët i quajnë si të paedukatë.

Tek të rriturit, ADHD shkakton padurim dhe ndjesi parehatie, e cila e bën të qënit i përqëndruar edhe më të vështirë. Ndonjëherë një i rritur me ADHD mund të përshkruhet sikur “drejtohet nga një motor” (vazhdimisht në lëvizje ose sikur është gjithmonë gati për të ikur).

Të rriturit me ADHD mund të jenë shpesh ata që kërkojnë të nisin projekte të reja por kanë vështirësi t’i çojnë deri në fund.

Ndërkohë që mjekime si Adderall mund të ndihmojë në pakësimin e simptomave, disa njerëz mund të mos e pëlqejnë mënyrën se si trupi i tyre reagon nga mjekimit. Këto barna mund të kenë efekte anësore si ndryshime humori, probleme me gjumin dhe humbje të oreksit.

Nëse jeni të shqetësuar për efektet anësore, flisni me mjekun tuaj. Megjithatë, nuk duhet të shqetësoheni sepse ka mundësi të tjera që mund të provoni.


Drejt natyrales: 10 mënyra – për të lehtësuar ADHD-në

Më poshtë do të gjeni disa mënyra natyrale për t’i shtuar në përditshmërinë tuaj. Por mos harroni se ndikimi i këtyre trajtimive është i lehtë në krahasim me atë të barnave të përshkruara nga mjeku. E megjithatë, kur këto bashkohen me një lloj jetese të shëndetshme, mund të sjellin njëfarë lehtësimi.

1. Vaji i peshkut


Acidet yndyrore të Omega-3 njihen për cilësitë në zhvillimin e trurit dhe ka shumë arsye se pse duhet ti kemi ata si një shtesë ushqimore të një diete të shëndetshme. Por siç duket, ata mund të jenë të dobishëm edhe në pakësimin e simptomave të ADHD.

Studimet kanë treguar se omega-3 ndikon në vlerat e serotoninës dhe dopaminës në tru dhe pakësojnë stresin oksidativ, i cili ndonjëherë ndodh edhe te njerëzit me ADHD.

Suplementet e vajit të peshkut janë mënyra më e thjeshtë për të shtuar sasi të përqëndruara të omega-3 në dietën tuaj. Po ashtu, ju mund të shtoni marrjen e omega-3 duke ngrënë më tepër prodhime deti.

2. Melatonina


A e dini se mungesa e gjumit ndikon në çdo gjë duke nisur nga kujtesa te sistemi tretës?

Është e ditur tashmë se mungesa e gjumit mund të marr një rëndësi të madhe për shëndetin mendor dhe atë fizik. Tek njerëzit me ADHD, gjumi i pakët mund ta vështirësojë të qënit i vëmëndshëm.

Një nga mënyrat që t’u përballur me shqetësimet e gjumit është marrja e melatoninës çdo natë para se të shtriheni. Melatonina është një hormon, të cilin trupi ynë e prodhon natyralisht për të rregulluar vënien në gjumë dhe kur cikli i gjumit çrregullohet, atëherë edhe vlerat e melatoninës mund të jenë çrregulluar.

Marrja e një shtese melatonine mund t’ju ndihmojë që niveli i saj të shkojnë në vlerat normale.

Nuk është ende e qartë nëse melatonina ka ndonjë ndikim tjetër në simptomat e ADHD. Ndërkohë që dihet se përdorimi afatshkurtër i melatoninës është i sigurtë si për fëmijët dhe për të rriturit, pak dihet për përdorimin afatgjatë të saj.

Provoni të filloni me një dozë shumë të vogël (aq pak sa 0.2 mg) dhe më pas ngadalë të përcaktoni dozën ideale për të marrë çdo natë. Këshillimi me mjekun është i rëndësishëm për të shmnagur përdorimin e tepëruar.

3. Terapia e dritës


Ekspozimi i trupit tuaj ndaj dritës ditën dhe ndaj errësirës natën është shumë i rëndësishëm për të mbajtur nën kontroll ritmin tuaj circadian – i cili, siç e dimë, mund të ndihmojë në largimin e ndikimeve negative të gjumit të pakët.

Më mirë akoma, një studim me pacientë me ADHD gjeti se terapia me dritë në mëngjes përmirësoi humorin e pacientëve dhe ndihmoi në lehtësimin e sipmtomave kryesore të ADHD.

Nëse ju punoni në një mjedis pa ndriçim të vazhdueshëm nga drita e diellit (ndoshta punoni në turne natën), ju mund të përfitoni duke shtuar terapinë e dritës përgjatë mëngjeseve tuaja.

Kutitë e terapisë së dritës përdoren gjërësisht në trajtimin e çrregullimit depresiv madhor me një përbërës stinor (i njohur ndryshe edhe si çrregullimi afektiv stinor) dhe mund të gjenden online.

Këto kuti i japin trupit tuaj një sasi rrezesh së diellit në mëngjes, gjë e cila do ju ndihmojë që të bini për të fjetur më lehtë natën. Nëse ju duhet të flini kur jashtë është ditë, mundohuni të përdorni një maskë për sytë në mënyrë që të imitojë errësirën.

4. Zinku


Ky mineral, që gjendet te mishi, bishtajoret, farat, arrat dhe ushqime të tjera, fuqizon sistemin tuaj imunitar dhe ndihmon trupin tuaj që të prodhojë proteina që mbështesin rritjen e membranave qelizore.

Ajo çka përbën rëndësi është se mungesa e zinkut shfaq simptoma të ngjashme me pavëmëndjen e ADHD, dëmtim të zhvillimit konjitiv dhe ndjesi parehatie. Por, mungesa e zinkut nuk është e lidhur drejtpërdrejt me simptomat e ADHD.

Nëse vlerat e zinkut janë normale, ky trajtim me shumë mundësi nuk do të sjelli ndonjë përfitim për ju. Por, nëse ju apo fëmija juaj këni mungesë të zinkut (gjë që ka më tepër mundësi nëse jeni vegjetarian ose vegan), marrja e një shtese ushqimore me zink do të mund të lehtësonte simptomat e hiperaktivitetit.

Bëni kujdes që të flisni me mjekun tuaj para se të merrni një shtëse në zink, sepse marrja e më tepër seç duhet e zinkut mund të shkaktojë problem. Filloni përdorimin e tij vetëm nëse mjeku iu jep dritën jeshile.



5. Magnezi


Ashtu si dhe shtesat ushqimore të zinkut, edhe shtesat ushqimore me magnez mund të ndihmojnë në rastet kur keni mungesë të magnezit.

Në një studim të vitit 2017 te fëmijët me ADHD u gjet se më tepër se 70% kishin mungesë të magnezit dhe rrjedhimisht përfituan nga marrja e shtesave ushqimore të magnezit.

6. Ndryshimet në dietë


Studimet kanë treguar se një dietë e varfër në ushqime të konservuara dhe me kimikate, duke vënë theksin në shmangjen e alergjenëve ushqimorë mund të ndihmojë në lehtësimin e simptomatikës së ADHD në të gjitha grupmoshat.

Nëse më parë nuk i keni kushtuar rëndësi reagimit të trupit tuaj ndaj ushqimeve të ndryshme, atëherë mund të provoni të shmangni disa produkte nga dieta juaj në mënyrë që të shikoni se ndaj cilit produkt jeni i ndjeshëm. (dietologu ose mjeku juaj mund t’iu ndihmojnë me këtë gjë).

Edhe pse mund të mos kufizoheni nga disa lloj ushqimesh, të paktën mundohuni të keni një dietë të pasur në perime, fruta, peshk, bishtajore dhe të gjithë llojet e miellrave dhe të varfër  në sheqer, ëmbëlsira artificiale, nitrate dhe ngjyrosës.

Dieta mesdhetare, e cila përmban një shumëllojshmëri të tërë ushqimesh të freskëta dhe shumë peshk (ju rikujtojmë rëndësinë e omega-3), është një mënyrë e mirë nga t’ia nisni nësë po mendoni të ndryshoni dietën tuaj për mirë. Për më tepër mund t’iu ndihmojë në disa simptoma të ADHD.

7. Terapia e sjelljes


Për fëmijët e vegjël, truri dhe sjellja e të cilëve janë në ndryshueshmëri, terapia e sjelljes mund të ndihmojë në lehtësimin e prirjeve për rëndesë të simptomave.

Kjo mund të bëhet nga një terapist i liçencuar, i specializuar në terapi sjelljeje dhe natyrisht përfshin prindërit dhe fëmijët që ndjekin seancat së bashku.

Profesionisti mund t’iu mësojë ju se si të përforëconi sjelljet pozitive dhe të krijoni një strukturë, e cila do e ndihmojë të voglin tuaj që të qëndrojë i qetë e të jetë i frytshëm në veprimtaritë e tij.

Gjithashtu, të rriturit me ADHD mund të përfitojnë nga terapia e sjelljes por gjendja duket pak më ndryshe në këtë rast.

Terapia konjitive-bihejviorale (CBT) është një lloj trajtimi i shëndetit mendor, e cila u mëson njërëzve se si të përqëndrohen në një çast të caktuar. Zakonisht përdoret për të trajtuar ankthin ose depresionin, të cilat mund të jenë efekte anësore të ADHD te të rriturit.

Mbani në dije se kërkimet shkencore që studiojnë CBT si një trajtim të veçantë për ADHD janë në hapat e parë, por ndikimet pozitive në çrregullimet e ankthit janë të mirë njohura sot. Nëse doni të dini a është CBT trajtimi i duhur për ju, atëherë kërkoni një terapist me një përvojë në këtë fushë.

8. Probiotikët


Nuk është më e fshehtë që probiotikët luajnë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e shëndetit, duke nisur nga nxitja e tretjes te lehtësimi i alergjisë. Sot, shkenca po drejton gjithmonë e më shumë gishtin drejt përdorimit të probiotikëve si një ndihmesë në gjendje të ndryshme që prekin shëndetin mendor.

Ndërkohë që kërkimet shkencore që lidhin probiotikët me trajtimin e ADHD janë në hapat e parë, disa studime tregojnë se ato kanë disa ndikime pozitive tepër premtuese. Të paturit e një mikrobiome të shëndetshme të zorrëve ndihmon në zhvillimin e një truri me funksionim të lartë.

9. Ushtrimet fizike


Ndonjëherë nuk ka asgjë më të mirë se një djersitje e mirë për të qartësuar mendimet dhe për të na qetësuar.

Kërkimet shkencore janë të kufizuara në këtë pikëpamje, por studimet fillestare na tregojnë se ka një lidhje midis një mënyre jetese aktive dhe lehtësimit të simptomave të ADHD, sidomos te fëmijët. Të ushtruarit mund të ndihmojë në zhvillimin dhe funksionimin e trurit, gjë që i ndihmon fëmijët që të përqëndrohen më mirë.

10. Trajtime të  tjera të mundshme natyrale


Studimet tregojnë disa mjekime të tjera natyrale që mund të jenë të dobishme në trajtimin e ADHD, por shkenca është e pasigurtë për ndikimet e tyre në tërësi. St. John’s wort (Hipepricum Perforatum), ginsengu dhe druri i pishës (ekstrakt) janë disa nga këto lloj mjekimesh natyrale.

Nëse nuk keni gjetur lehtësim nga mënyrat e tjera që keni provuar, do t’ia vlente mundi që t’i provonit, por ndikimi i tyre më shumë mundësi do të jetë i pakët. Gjithmonë filloni ngadalë kur doni të provoni një lloj të ri vitamine apo bime në mënyrë që të keni mundësinë të matni ndikimin e tzre në trupin tuaj.

Nëse keni dyshime, pyesni mjekun tuaj për t`ju udhëhequr në protokollin e duhur për fillimin e një trajtimi të ri.




Nxitësit që duhet të shmangni

Ndonjëherë kontrolli i ADHD mund të jetë thjesht çështje e të shmangurit të ndonjë substance ose sjelljeje të caktuar.

Më poshtë do të gjeni pesë nxitës të zakonshëm:

1. Ngjyruesit dhe kimikatet ushqimore


Kjo është disi e vështirë, duke patur parasysh që kimikatet ndodhen në pothuaj çdo gjë në ditët e sotme, por një numër i rëndësishëm studimesh ka lidhur përdorimin e këtyre kimikateve me rritjen e hiperaktivitetit te fëmijët.

2. Gluteni (por vetëm nëse e dini që jeni i ndjeshëm ndaj tij)


Nevojiten më tepër studime, por një studim ka gjetur se te njerëzit të cilët vuajnë nga Sëmundja e Celiakisë dhe nga ADHD kishin një përmirësim të rëndësishëm të simptomave të ADHD kur përdornin një dietë pa gluten.

Çelësi është që të vëzhgoni nëse jeni i ndjeshëm ndaj ndonjë ushqimi dhe të shmangni konsumin e tyre.

Marrja e të gjitha vitaminave dhe mineraleve të duhura dhe largimi i të gjithë ushqimeve që nuk bëjnë për trupin tuaj do iu ndihmonte që t’i mbanit simptomat e ADHD nën kontroll.

3. Vlerat e ulëta ose të larta të sheqerit në gjak


Të tilla studime të cilat janë përqëndruar te fëmijët, tregojnë se përdorimi i ushqimeve dhe pijeve me përmbajtje sheqeri rrisin hiperaktivitetin dhe e bëjnë më të vështirë të qënit i vëmendshëm.

Në anën tjetër, vlerat e ulëta të sheqerit në gjak mund të imitojnë simptomat e ADHD. Mënyra më e mirë do të ishte që të arrinit t’i mbanit vlerat e sheqerit në gjak brenda kufijve në mënyrë që të këni edhe vëmëndjen të mprehtë.

4. Teknologjia


Teknologjia vërtët mund ta këtë dërguar njeriun në hënë dhë të ketë sjelljë rrymën elektrike në shtëpitë tona, por kjo nuk do të thotë që është e gabuar që të kërkojmë ta largojmë disi nga jetët tona. Një studim ka gjetur se koha e zgjatur e përdorimit të teknologjisë mund të rrisi impulsivitetin, hiperaktivitetin dhe mungesën e vëmëndjes te adoleshentët.

Nuk është nevoja që të shkëputim çdo marrëdhënie më celularin, por të paktën të bëjmë një pushim nga ekrani herë pas here (sidomos para se të shtrihemi për të fjetur).

5. Stresi


ADHD mund të jetë burimi juaj i stresit, sidomos kur sipmtomat tuaja ju shkaktojnë mos respektim të afateve, duke bërë që t’ju grumbullohen shumë projekte dhe detyra të pa përfunduara.

Sipas një studimi, stresi ka mjaftueshëm fuqi që të shkaktojë te të rriturit e shëndetshëm simptoma të ADHD.

Merrni frymë thellë dhë qendroni pak çaste pa bërë asgjë.

Mundohuni të merrni pjesë në disa orë Joga, ndizni një qiri aromatizues, qëndroni disa çaste në heshtje që t’ia rinisni, merrni një sy gjumë ose lini një takim për kafe me një mik të besuar që mund t’i rrëfeheni dhe të qeshni së bashku.

Por mbi të gjitha: Faleni veten nëse ndiheni si të shkatërruar dhe i dorëzoheni pushimit. Jeni thjesht njeri dhe e meritoni një pushim të mirë.




Mbani mend:


Ndërkohë që mund të duhen disa prova deri në gjetjen e zgjidhjes së duhur për ju ose fëmijën tuaj, kini parasysh që çdokush reagon në mënyra të ndryshme ndaj trajtimeve të ndryshme.

Nëse doni t’i drejtoheni një profesionisti për ndihmë (është gjithmonë zgjidhja e zgjuar kur ndiheni tepër të rënduar) gjeni një mjek ose terapist i cili të ketë përvojë me ADHD dhe simptomat e saj.

Bëni durim! Ndryshimi nuk vjen brenda natës- por sa më shumë të dini, aq më shumë do jeni të përgatitur për të zvogëluar ndikimin e ADHD në jetën tuaj.



Lexo më shumë:


Nga ndryshon hiperaktiviteti nga ADHD?