Djali im dy vjeçar dhe unë po pushonim së bashku dhe papritur ai ndaloi së ledhatuari fytyrën time dhe më qëlloi në sy dhe më pas më thumboi. U trondita shumë dhe e ekzagjerova pak dhimbjen time për ta bërë të kuptonte se po më lëndonte, më pas i kapa duart e tij dhe e pashë në sy duke i thënë “Nuk gjuajmë në sy”.

Ndërkohë para disa javësh, e kapa vajzën time duke parë videot e TikTok në shtratin e saj, nën batanije. Fatmirësisht, ishte vetëm një grup fëmijësh që po këndonin disa këngë. Megjithatë, ne i kishim shpjeguar se nuk i lejohej të përdorte aplikacionin dhe ajo përsëri e bëri këtë. Që prej asaj dite ia kemi ndaluar kohën para ekranit përveç kohës që i duhet për të zhvilluar detyrat e shkollës.

Megjithëse asnjë nga këto situata nuk ishte e këndshme, kam qenë në gjendje të merrem me fëmijët e mi në mënyrë të arsyeshme sepse jam e vetëdijshme se këto veprime janë të justifikuara nga mosha e tyre. Nuk reagova dhunshëm siç mund të kishin bërë babai dhe nëna ime gjatë rritjes sime. Jo për të treguar se unë jam më e mirë se prindërit e mi (edhe pse po përpiqem) por unë di si t’i trajtoj me qetësi disa incidente që shkaktojnë fëmijët e mi sepse kam bërë disa kërkime dhe e di çfarë pres.

Kur ne kemi qenë të vegjël, prindërit tanë nuk kanë bërë kërkime apo të kenë studiuar mbi zhvillimin e fëmijës. Nuk ka qenë si sot. Tashmë janë bërë shumë zhvillime shkencore për sa i përket fëmijëve dhe trurit të tyre. Kjo gjë na ndihmon ne prindërve për të mos qenë “të verbër” gjatë prindërimit.

Kur u bëra për herë të parë nënë lexoja pothuajse çdo gjë që lidhej me zhvillimin e fëmijërisë së hershme. Pa dyshim vendosja në praktikë e atyre informacioneve në jetën e përditshme më ndihmoi të bëhem një nënë më e mirë.

Gjëja më e rendësishme që kam mësuar për zhvillimin e fëmijëve është se janë 4 faza kryesore të zhvillimit sipas moshës:


  • Sensorimotore
  • Preoperacionale
  • Operacionale konkrete
  • Operacionale formale


Faza sensorimtore


Im bir, djali i vogël që më qëlloi në sy është në fazën sensorimotore. Ai përdor shumë shqisat e tij për të kuptuar çfarë po ndodh rreth tij. Kur ishte më i vogël ai fuste çdo gjë në gojë. Atij i duhej ta provonte diçka për të kuptuar se çfarë ishte. Qëkur filloi të fliste i pëlqente të nxirrte tinguj të ndryshëm për të na imituar dhe për të parë se si njerëzit do të reagonin ndaj tyre. Edhe pse ai tashmë është duke e kaluar këtë fazë është ende shumë vëzhgues dhe vë re gjithçka. Ai është vazhdimisht i vëmendshëm  për të provuar gjëra të reja.

Për disa prindër kjo fazë mund të jetë intensive dhe e vështirë, për mua padyshim ka qenë e tillë. Djali im është duke mësuar gjëra të reja çdo moment dhe unë duhet të jem vazhdimisht pranë tij për ta ndihmuar t’i kuptojë ato. Vërtet është e lodhshme por është dhe shumë interesante të jesh në gjëndje të shikosh zhvillimin e trurit të tij.


Faza preoperacionale


Ne jemi duke shkuar drejt fazës tjetër, faza preoperacionale, dhe unë mezi po e pres këtë. Kur vajza ime ishte në këtë fazë, prej moshës 2 deri 6-7 vjeçare, ajo ishte thjesht mahnitëse. Nuk e kisha menduar ndonjëherë se fëmijët mund të ishin më të këndshëm se sa në periudhën që ishin foshnje, por ime bijë më vërtetoi të kundërtën. Fëmijët në fazën preoperacionale i shikojnë gjërat “bardh e zi” dhe nga një këndvështrim krejt të tyre. Megjithatë, ata fillojnë të kuptojnë se jo të gjithë i shohin dhe i mendojnë gjërat saktësisht si ata dhe kur fëmijët e kuptojnë këtë gjë, ju duhet të përgatiteni për shumë “pse” dhe “po sikur”.

Vajza ime dhe unë kemi pasur bisedat më të bukura gjatë kësaj faze dhe unë nuk ngopesha duke parë atë të eksploronte natyrën njerëzore.


Faza operacionale konkrete


Fëmijët në këtë fazë janë zakonisht miqtë më të ngushtë të prindërve të tyre. Kjo fazë ndodh nga mosha 6 ose 7 vjeçare deri në moshën 11 ose 12 vjeçare. Në këtë fazë ata janë empatik, mund të kuptojnë koncepte më të vështira dhe abstrakte se sa më parë dhe dinë të shprehin shumë mirë emocionet e tyre. Nga përvoja ime me time bijë e cila është në këtë fazë tani, kam kuptuar se është shumë e rëndësishme ta dëgjoj dhe ta ndihmoj në lidhje me marrëdhëniet dhe emocionet e saj. Ajo kërkon të shpreh gjithçka. Duke qenë se ajo i shpreh gjërat siç i mendon unë kam më tepër mundësi ta kuptoj e ta mbështes atë për të qenë e vendosur, e sigurt dhe ta ndihmoj të bëj zgjedhjet e duhura. Shpresoj se nëse vazhdoj ta dëgjoj dhe t’i tregoj se unë do të jem mbështetje për të pavarësisht rrethanave, ne mund të qëndrojmë të lidhura edhe në kalimin e saj në fazën e fundit të zhvillimit neurologjik të fëmijëve.


Faza operacionale formale


Shumë prindër janë nervoz për kalimin në këtë fazë dhe me të drejtë. Kur unë isha mësuese shpenzoja një pjesë të madhe të kohës me fëmijët e kësaj faze zhvillimore. Prej moshës 12 vjeçare deri në vitet e adoleshencës fëmijët zhvillojnë aftësinë e arsyetimit. Ndaj në varësi të zhvillimit, ata nuk veprojnë gjithmonë në bazë të arsyes sepse i marrin vendimet nëpërmjet trurit të mesëm që është qendra e emocioneve.

Kur studentët e mi futeshin në telashe, ata gjithmonë e kuptonin se nuk kishin bërë gjënë e duhur. Por për ta ishte si të mos kishin kontroll në atë moment. Duke qenë se truri i tyre nuk është formuar plotësisht, presioni i bashkëmoshatarëve dhe emocionet e momentit i ndikojnë ata, prandaj në ato momente, e kanë shumë të vështirë të bëjnë gjënë e duhur.

Duke i mbajtur të zënë në këtë moshë, duke i dhënë një mundësi për të bërë plane për të përdorur trurin e tyre të analizojnë gjërat është mënyra më e mirë sesi mund t’i ndihmojmë ata të kalojnë këtë fazë disi të vështirë.

Unë e di fort mirë se të qenit prind kërkon kohë e përkushtim dhe të shpenzosh kohë për të lexuar mbi zhvillimin e fëmijëve mund të jetë e vështirë. Megjithatë, mendoj se hulumtimi mbi zhvillimin e tyre, më ka kursyer kohë dhe durim. Duke e pasur të qartë se çfarë është duke ndodhur me fëmijët e mi, jam më e qetë dhe arrij të kuptoj se çfarë është normale dhe çfarë jo.