Ne nuk e lidhim shpesh depresionin me dhimbjen fizike, por studimet tregojnë se kjo sëmundje mendore dhemb vërtet.

Depresioni dhemb. Ndërkohë që ne shpesh lidhim sëmundjet mendore me dhimbjen emocionale si mërzitja, të qarit dhe ndjenja të mungesës së shpresës, studimet tregojnë se depresioni mundet të shfaqet edhe me dhimbje fizike.

Ndërkohë që ne nuk e mendojmë shpesh depresionin si dhimbje fizike, disa kultura të tjera e mendojnë si të tillë – veçanërisht në ato ku është ende “tabu” që të flitet rreth shëndetit mendor.

Për shembull, në kulturën kineze dhe atë koreane, depresioni është një mit. Kështu,  pacientët të pavetëdijshëm që dhimbja fizike mund të jetë shenjë e stresit psikologjik, shkojnë te mjeku për të trajtuar simptomat fizike në vend që të përshkruajnë depresionin.

Por mbajtja përbrenda e këtyre simptomave është po aq e rëndësishme sa edhe ndikimet emocionale.

Simptomat fizike mund të na sinjalizojnë se kur mund të fillojë një periudhë depresive ose të japi të dhëna nëse jeni duke përjetuar depresion ose jo.

Në anën tjetër, simpotmat fizike tregojnë se depresioni është më se i vërtetë dhe mund të dëmtojë të gjithë mirëqenien tonë.

Më poshtë gjenden shtatë shenjat më të zakonshme të simptomave fizike të depresionit:

1. Lodhje ose mungesë energjie e vazhdueshme



Lodhja është një shenjë e zakonshme e depresionit. Zakonisht ne të gjithë përjetojmë ulje të energjisë dhe mund të ndihemi paksa të ngadaltë në mëngjes, duke shpresuar që të qëndrojmë në krevat dhe të shikojmë TV në vend që të shkojmë në punë.

Ndërkohë që ne shpesh besojmë se rraskapitja buron nga stresi, depresioni gjithashtu mund të shkaktojë lodhje. Megjithatë, ndryshe nga lodhja e përditshme, lodhja që lidhet me depresionin mund të shkaktojë gjithashtu probleme me përqendrimin, nervozizëm dhe plogështi (apati).

Njerëzit depresiv shpesh përjetojnë gjumë jo çlodhës, duke u ndjerë të plogësht ndonëse mund të kenë fjetur gjatë gjithë natës.

Megjithatë, për shkak se shumë sëmundje fizike, si infeksionet apo viruset mund të shkaktojnë lodhje, mund të jetë sfiduese për të bërë dallimin nëse kjo rraskapitje është e lidhur me depresionin.

Një mënyrë për ta dalluar: Ndërkohë që lodhja e përditshme është shenjë e kësaj sëmundjeje mendore, simptoma të tjera si mërzitja, mungesa e shpresës dhe anhedonia (mungesa e kënaqësisë nga veprimtaritë e përditshme) janë të pranishme kur vuani nga depresioni.

2. Ulje e pragut të dhimbjes (që do të thotë çdo gjë dhemb më shumë)


A ndiheni ndonjëherë sikur i keni nervat “tel”, por nuk e gjeni dot asnjë arsye fizike për dhimbjen tuaj? Siç edhe është vërtetuar, depresioni dhe dhimbja shpesh shkojnë bashkë.

Një studim i 2015-ës tregon një lidhje ndërmjet njerëzve që janë në depresion dhe ulje të pragut të dhimbjes, ndërkohë që një studim i 2010-ës tregon se dhimbja ka një ndikim të madh te njerëzit që janë në depresion.

Këto dy simptoma nuk kanë një marrëdhënie shkak-pasojë të qartë, por është e rëndësishme që t’i vlerësojmë ato së bashku, veçanërisht kur mjeku do iu rekomandojë një mjekim.

Disa studime tregojnë se përdorimi i antidepresivëve mund të ndihmojë jo vetëm në lehtësimin e depresionit, por mund të veprojë edhe si analgjezik, duke luftuar kështu dhimbjen.

3. Dhimbje shpine ose muskujsh në të gjithë trupin


Mund të ndiheni mirë në mëngjes, por sapo shkoni në punë ose uleni në bankat e shkollës, filloni që të keni dhimbje shpine. Mund të jetë si pasojë e stresit, por mund të jetë depresion. Ndonëse dhimbjet e shpinës janë të lidhura me qëndrimin e keq ose me dëmtime, ato mund të jenë gjithashtu edhe simptoma të një stresi psikologjik.

Një studim i vitit 2017, i cili përfshiu 1013 studentë të Universitetit Kanadez, gjeti një lidhje të drejtpërdrejtë midis depresionit dhe dhimbjeve të shpinës.

Psikologët dhe psikiatrit prej një kohe të gjatë besojnë se çështjet psikologjike mund të shkaktojnë dhimbje kronike, por veçantitë ende mbeten për t’u studiuar. Sikurse lidhja ndërmjet depresionit dhe përgjigjes inflamatore të trupit.

Studimet më të reja na tregojnë se inflamacioni i trupit mund të ketë të bëjë me një qark nervor (neurocirkuit) në trurin tonë. Mendohet se inflamacioni mund të ndërpresë sinjalet e trurit dhe në këtë mënyrë ka ndikim në depresion dhe se si mund ta trajtojmë atë.


4. Dhimbjet e kokës


Pothuajse çdokush nga ne përjeton dhimbje koke një herë në kaq. Ato janë aq të zakonshme sa ne shpesh i quajmë ato si jo të dëmshme. Situatat stresuese në punë, si psh. mosmarrëveshjet me kolegët, mund të na i nxisin këto dhimbje koke.

Megjithatë, dhimbja e kokës mund të mos jetë gjithmonë si pasojë e stresit, veçanërisht nëse ju i keni duruar kolegët tuaj më herët. Nëse vini re një shtim të dhimbjes së kokës gjatë ditës, kjo mund të jetë shenjë e depresionit.

Ndryshe nga dhimbjet torturuese të migrenës, dhimbjet e kokës që lidhen me depresionin nuk dëmtojnë me patjetër funksionimin e përditshëm. Këto përshkruhen si “dhimbje tensive” nga ana e Shoqatës Kombëtare të Dhimbjes së Kokës dhe këto lloj dhimbjesh mund të ngjajnë me një ndjesi të lehtë mpirjeje, veçanërisht në zonën rreth vetullave.

Ndërkohë që për qetësimin e tyre na vijnë në ndihmë analgjezikët e zakonshëm, ato zakonisht rishfaqen rregullisht. Ndonjëherë dhimbja tensive kronike e kokës mund të jetë simptomë e çrregullimit depresiv madhor.

Megjithatë, dhimbjet e kokës nuk janë e vetmja e dhënë që dhimbja jote mund të jetë psikologjike. Njerëzit me depresion shpesh përjetojnë simptoma shtesë si mërzitja, nervozizmi dhe pakësim të energjisë.

5. Probleme me sytë ose ulje të shikimit


A ju duket sikur bota është e turbullt? Ndërkohë që depresioni mund t`ju bëjë që ta shihni botën gri dhe të ftohtë, një studim i 2010-ës në Gjermani tregoi se ky problem i shëndetit mendor mundet që të ndikojë vetë shikimin e individit.

Në këtë studim prej 80 pjesëmarrësish, individët me depresion kishin vështirësi që të bënin dallimin ndërmjet ngjyrës së zezë dhe asaj të bardhë. I njohur nga shkencëtarët si “perceptimi i kontrastit”, kjo mund të shpjegojë se pse depresioni e bën botën që të duket e mjegullt.

6. Dhimbjet e stomakut ose ndjesi parehatie në bark


Ndjesia e zbrazëtisë në stomak është një nga shenjat më të njohura të depresionit. Megjithatë, kur filloni të ndjeni krampe në bark, mundet që lehtësisht ta quajmë si dhimbje si pasojë e gazrave ose dhimbje menstruale.

Dhimbje, e cila përkeqësohet, veçanërisht me rritjen e stresit, mund të jetë shenjë e depresionit. Studiuesit e Shkollës Mjekësore të Harvardit thonë se ndjesia e parehatisë në stomak, si krampet, fryrja ose nauzeja mund të jenë shenja të një shëndeti të varfër mendor.

Cila është lidhja? Sipas këtyre studiuesve të Harvardit, depresioni mund të shkaktojë (ose të jetë pasojë e) një inflamacion të sistemit tretës, me dhimbje, e cila lehtësisht mund të ngatërrohet me sëmundje si psh. sëmundja inflamatore të zorrëve ose sindromin e zorrës së irrituar.

Mjekët dhe shkencëtarët ndonjëherë i quajnë zorrët si “trurin e dytë”, sepse ata kanë gjetur lidhje të shumta midis shëndetit të zorrëve dhe mirëqenies mendore. Stomaku ynë është plot me baktere  “të mira” dhe nëse ka një çekuilibër të baketereve të mira, mund të shfaqen simptomat e ankthit dhe depresionit.

Ngrënia e një diete të balancuar dhe marrrja e probiotikëve mund të përmirësojë shëndëtin e zorrëve, gjë e cila mund të përmirësojë humorin, por ende nevojiten studime të mëtejshme rreth kësaj çështjeje.

7. Probleme të tretjes ose orare të çrregullta të zorrëve


Probleme të tretjes, si psh. konstipacioni (kapsllëku) dhe diarreja mund të jenë të sikletshme dhe të parehatshme. Shpesh shkaktohen nga helmimet nga ushqimi ose nga viruset gastrointestinale, duke bërë që ne në hamendësojmë që parehatia e zorrëve dhe barkut e ka origjinën te sëmundjet fizike.

Por, emocionet si mërzitja, ankthi dhe mbingarkesa mund të ndërpresin rrugët e zakonshme të sistemit tonë tretës. Një studim i 2011-ës tregoi se ka një lidhje ndërmjet ankthit, depresionit dhe dhimbjes gastrointestinale.

Dhimbja është një mënyrë tjetër më të cilën komunikon truri ynë


Nëse nuk ndiheni rehat dhe të gatshëm për të dalluar dhe folur rreth emocioneve tuaja, si mërzitja, inati dhe turpi, kjo mund të shkaktojë që këto ndjenja të shfaqen ndryshe, në një tjetër formë në trupin tuaj.

Nëse jeni duke përjetuar dhimbje fizike si ato të mësipërmet, për një kohë të gjatë, lini një takim me mjekun tuaj.

Depresioni mund të shkaktohet nga një sërë faktorësh, si gjenetikë, ekspozimi ndaj stresit dhe traumës në fëmijëri. Njerëzit me depresion kanë shpesh nevojë për ndihmë profesionale, si psikoterapi ose mjekim me barna, në mënyrë që të përmirësohen.

Ndaj kur ju të takoni mjekun tuaj, nëse dyshoni që këto simptoma fizike mund të mos jenë thjesht sipërfaqësore, kërkoni që të bëni edhe një kontroll për ankthin dhe depresionin.


A është depresion apo është ankth?