Përpara se të filloni të merrni barna antidepresive për një periudhë kalimtare, kini parasysh rreziqet që ndërmerrni.

Mund të mendoni se përdorimi i një antidepresivi përkohësisht mund t’iu ndihmojë përgjatë një periudhe sfiduese, siç mund të jetë zija, stresi i tejskajshëm apo sëmundjet e rënda. Por, nuk duhet që të nxitoni në marrjen e një antidepresivi pasi nuk ka të dhëna shkencore, që marrja e një antidepresivi për një kohë të shkurtër do iu ndihmojë që të parandaloni pasojat afatgjata të stresit, si në rastin e çrregullimit të stresit post traumatik.


Llojet e antidepresivëve


Antidepresivët përdoren për të trajtuar disa forma të depresionit, ankthit, çrregullimet obsesivo-kompulsive dhe çrregullimin e stresit post traumatik. Ato funksionojnë në sajë të ndryshimit të mënyrës se si qelizat nervore komunikojnë në tru.

Llojet e antidepresivëve përfshijnë:

  • inhibitorët selektivë të rikapjes së serotoninës (SSRI-të), si Fluoxetina ose Sertralina
  • inhibitorët e rikapjes së serotoninës dhe norepinefrinës (SNRI), si Venlafaxina dhe Duloxetina
  • antidepresivët triciklik dhe tetraciklik, si Nortriptilina dhe Imipramina
  • inhibitorët e monoaminë oksidazës (IMAO), si Tranilcipromine dhe Fenelzina
  • " Antidepresivët “atipikë”, si Bupropioni dhe Mirtazapina

Antidepresivi i duhur për ju varet nga vlerësimi i mjekut, shëndeti juaj dhe nga ndonjë mjekim tjetër që jeni duke marrë.

Nuk është kaq e thjeshtë


Marrja e një antidepresivi nuk është e njëjta gjë me marrjen e qetësuesi për dhimbjet e kokës. Nuk është se ju merrni një kokërr, përjetoni qetësim të menjëhershëm dhe vendosni që të mos i pini më atëherë kur ju dëshironi. Përkundrazi, antidepresivët përmbajnë shumë sfida dhe rreziqe.

Barnat mund të mos jenë efektive në rastet e lehta. Nevojitet një episod depresiv i moderuar ose i rëndë, në mënyrë që mjekimi të japi një ndryshim të dukshëm.

Antidepresivët kërkojnë kohë para se të japin efekt. Disa njerëz fillojnë të ndihen më mirë pas disa ditësh, por për pjesën më të madhe të njerëzve duhet të paktën katër deri në gjashtë javë.

Mund të jetë i nevojshëm rregullimi i dozës. Ne fillojmë me dozë të ulët në mënyrë që të jemi të sigurt që pacienti e toleron mirë mjekimin dhe më pas fillojmë që të rrisim dozën gradualisht. Mund të duhen pak muaj deri sa të arrijmë dozën e duhur.

Antidepresivët mund të kenë efekte anësore. Për shembull, SSRI-të dhe SNRI-të mund të shkaktojnë nauze, disfunksion seksual, shtim në peshë ose probleme me gjumin. Si dhe bupropioni mund të përkeqësojë ankthin dhe simptomat e panikut në disa njerëz.

Ndërprerja e një antidepresivi është e ndërlikuar. Ndërprerja e menjëhershme e mjekimit mund të shkaktojë simptomat e tërheqjes si përkeqësim i depresionit, lodhje, irritueshmëri, diarre, pagjumësi, marramendje.


Po në rast se jeni vërtet në depresion?


Flisni me mjekun tuaj nëse jeni duke përjetuar mërzitje të tejskajshme ose ankth përgjatë një periudhe të vështirë. Antidepresivët mund të jenë një mundësi trajtimi, por barnat nuk do të jenë zgjedhja e parë. Edhe nëse depresioni është i pritshëm për një periudhë të shkurtër, ne këshillojmë rregullimin e gjumit, ushtrimet fizike dhe dietë ushqimore.

Antidepresivët duhet të ruhen për rastet e moderuara dhe të rënda ose për njerëzit që kanë kaluar më parë depresion dhe ata, te të cilët simptomat fillojnë të rishfaqen.

Çfarë është një rast i rëndë? Nëse dikush është tepër i stresuar, ndihet gjithmonë e më shumë i pashpresë dhe ka mendime të llojit ‘Do të ishte më mirë nëse nuk do të zgjohesha nesër në mëngjes’, atëherë mjeku do të ishte më i prirur për të filluar një antidepresiv, edhe pse depresioni është i pranishëm prej pak kohësh. Në anën tjetër, nëse depresioni është i lehtë, por nuk ka patur përmirësim pavarësisht ndryshimit të mënyrës së jetesës dhe psikoterapisë, atëherë mund të mendohet për nisjen e një antidepresivi.

Për sa kohë duhet ta merrni mjekimin?


Sapo simptomat nuk janë të pranishme, nis fillimi i ndërprerjes së mjekimit. Rekomandimi është që do duhet të jeni rreth gjashtë deri në nëntë muaj pa simptoma në mënyrë që të mund të ndërprisni mjekimin. Dhe në vend që të ndërprisni tërësisht mjekimin, mjeku mund të përcaktojë që do të ishte më mirë që të vazhdoni të merrni një dozë të vogël mbajtëse.

Ndërprerja e antidepresivit mund të marrë muaj të tërë dhe kërkon mbikëqyrjen e mjekut. Çelësi i suksesit është që mjekimi të kombinohet me kthim në veprimtaritë që i rikthejnë pacientit qëllimin në jetë dhe që i dhurojnë kënaqësi. Sa më shumë veprimtari të tilla të ushtroni në rutinën tuaj të përditshme aq më shumë gjasa keni që të largoni ose të mos bini në depresion.

Ndjeni se antidepresivët nuk po funksionojnë më? Ja çfarë mund të ketë ndodhur.