Stres i fuqishëm dhe ankth serioz janë përjetimet që priten pasi fëmijët kanë përjetuar një ngjarje të rëndë e traumatike.

Cilat janë llojet e ngjarjeve traumatike?

Ngjarje që të përballin me vdekjen, plagosjen e dëmtimin e rëndë fizik, përjetimin e kërcënimit të vdjekjes të vetes apo të familjarëve, të qenit dëshmitar i një ngjarje të rëndë me pasojë vdekjen, etj.

Individët (këtu jo vetëm fëmijët) kanë shqetësim emocional (stres, ankth, mërzi) në të gjithë rastet, kur e kanë përjetuar vetë ngajrjen, kur kanë qenë dëshmitarë të saj, e kanë mësuar prej të tjerëve apo kur e kanë parë në televizor.

Ngjarjet që konsiderohen trauma mund të jenë:

dhunë fizike apo seksuale,

fatkeqësitë natyrore dhe aksidentet.

Le të ndalemi te fatkeqësitë natyrore.

Studimet tregojnë se: Tërmetet e rënda e shkatërruese kanë një ndikim të madh në shëndetin mendor të viktimave që e përjetojnë atë.

Pas një ngjarjeje të rëndë, jetë kërcënuese, si tërmeti, individët përjetojnë reagime emocionale të menjëhershme pra, akute menjëherë pas ngjarjes. Por mund të kenë dhe simptoma afatgjata, që zgjasin disa javë pasi ka kaluar ngjarja traumatike. Ndikimi i një ngjarjeje të tillë tek fëmijët ka një peshë shumë më të madhe krahasuar me të rriturit, kjo për dy arsye: së pari fëmijët janë më të brishtë në aftësitë kompensuese emocionale dhe intelektuale të lidhura me ngjarjen dhe së dyti mjaft e rëndësishme, ngjarje të tilla kanë potencial për të lënë pasoja negative në zhvillimin e fëmijës.

Shumë njerëz që pësojnë një ngjarje traumatike mund të përjetojnë simptoma ankthi dhe depresioni por edhe simptoma të një çrregullimi të stresit pas traumës. Dihet që pas një ngjarjeje traumatike vajzat kanë gjasa të kenë simptoma të stresit pas traumës nga 3%-15% pra mesatarisht 1 në 10 vajza ndërsa djemtë kanë një frekuencë 1%-6% ose mesatarisht 1 në 15 djem. Por pas një ngjarjeje si tërmeti prevalenca e çrregullimit të stresit pas traumës në fëmijë dhe adoleshentë mund të arrijë nga 13% deri në 30%-40% ose mesatarisht 1 në 3 fëmijë e adoleshentë pavarësisht gjinisë.

Nga atak paniku deri në çrregullim të stresit post-traumës

1.Shumë shpesh ndodh që atakun e parë të panikut në jetë, njerëzit ta përjetojnë pas një ngjarjeje traumatike të rëndë.

    Reagimi akut pas një tërmeti tek fëmijët por edhe në përgjithësi mund të jenë ato të një ataku paniku: rrahje të forta e të shpeshta të zemrës, djersitje, dridhje, pamundësi për tu mbushur me frymë, ndjesi mbytjeje, dhimbje gjoksi, të përziera, marramendje, ndjesi të fikti, ndjesi mornicash në trup, ndjesi paralize të gjymtyrëve, ndjesi derealizimi, frikë se mos vdesë. Ataku mund të zgjasë nga disa sekonda në orë, por zakonisht ka një kohëzgjatje prej 20-30 minutash e tipikisht arrin kulmin në 10 minutat e para. Fëmija, adoleshenti apo edhe i rrituri ka si reagim të parë në këtë situatë mekanizmin “lufto-fluturo”, pra trupi mobilizohet për të siguruar integritetin fizik.

    2. Më pas përgjatë ditëve të para deri në 4 javë, pra brenda 1 muaji fëmija mund të përjetojë simptoma të çrregullimit të stresit akut të cilat janë:

    - Ripërjetimi i traumës (trembje në gjumë, mendime që të vijnë në mendje pa dëshirën e fëmijës, rikujtesë e ngjarjeve apo ripërfytyrim i tyre “flashbacks”.
    - Mendime negative të gabuara mbi veten dhe botën që marrin fillesë nga ngjarja
    - Gjendje shpirtërore e keqe (negative) që nuk të ndahet tërë kohën, pamundësi të përjetosh emocione pozitive
    - Ndjesi i të qenit i shkëputur nga të tjerët
    - Humbje e interesit për çdo aktivitet
    - Pamundësi të kujtojë pjesë të ngjarjes traumatike
    - Probleme me gjumin
    - Sjellje e irrituar
    - Sjellje me vetë-dëmtim
    - Hipervigjilencë
    - Reagim i ekzagjeruar emocional ndaj stimujve të vegjël
    - Probleme/vështirësi me përqëndrimin

      3. Kur mund të themi se fëmija po vuan një çrregullim të stresit pas traumës?

        Nëse shenjat e simptomat e përshkruara për stresin akut vazhdojnë edhe pas 1 muaji, fëmija apo adoleshenti që i përjeton konsiderohet të ketë filluar të vuajë nga çrregullimi i stresit pas traumës. Së bashku me simptomat fëmija ka filluar në këtë fazë të ketë shqetësim dhe vështirësi edhe në aspekte të tjera të jetës si në marrëdhëniet me moshatarët, me prindërit, me shokët e tjerë, me familjarët e me mësuesit në shkollë.



        Cilët faktorë mund të ndikojnë në shfaqjen e simptomave të ankthit pas një ngjarjeje?

        Mosha, ngjarjet traumatike para e pas tërmetit apo ekspozimi i mëparshëm ndaj tërmetit, përjetimi i mëparshëm i frikës ekstreme, vdekja e një familjari apo shoku të ngushtë prej tërmetit, të gjitha këto janë të lidhura me mundësinë e shfaqjes së simptomave të çrregullimit të stresit pas traumës tek fëmijët dhe adoleshentët.

        Çfarë duhet të bëjnë prindërit?

        Së pari le të kemi në mendje se: në lidhje me ankthin tek fëmijët, në përgjithësi në familjet ku prindërit vuajnë nga ankthi fëmijët kanë risk më të lartë për të përjetuar ankth apo për të vuajtuar nga çrregullimet e ankthit.

        Prindërit me ankth mund të nxisin (sigurisht pa e ditur) ankthin tek fëmijët e tyre, nëpërmjet modeleve anksioze të sjelljes e reagimeve, përballimit jo të suksesshëm të situatave stresante që iu ndodhin vetë prindërve, stilit të temperamentit me shmangie të situatave stresante apo të ngarkuara.

        Si të sillemi në momentin e parë:

        Prindërit dhe të rriturit e tjerë duhet të sillen qetësisht, kështu mund të transmetojnë qetësi dhe mbështetje për fëmijën.

        Ndihmoni fëmijët, adoleshentët dhe të tjerët në familje duke i siguruar së pari nevojat bazë si një strehë të sigurt, ushqim dhe ngrohje; mbështetini ata fizikisht e emocionalisht duke i treguar se ju jeni aty për ta dhe me ta, se së bashku mund t’ia dilni mbanë; tregojini sjellje të përmbajtuara dhe ofrojini zgjidhje nga ato konkretet deri te planet më afat-gjata. Kur fëmijët ndjehen të sigurt dhe të qetë mund të flisni me ta për çfarë ndodhi dhe si ndikon kjo te familja apo te ata vetë, kjo mënyrë përgjithësisht ka cilësi terapeutike për ta.

        Ndihmojeni fëmijën tuaj të shprehë ndjenjat e dhimbshme, vuajtjen e tij dhe mos kini frikë ju vetë, prindër, që t`í dëgjoni ata çfarë përjetojnë!


        Prindërit duhet të dinë se është thelbësore që të lejojnë fëmijët të shprehin emocionet e tyre negative duke mbajtur qëndrim pranues për këto emocione, pasi është normale të jenë këto përjetime negative pas një traume.

        Kujdes, mos e vendosni fëmijën nën presion që të flasë me domosdo mbi ndjesitë e tij të dhimbshme e të shëmtuara. Prisni, mbështeteni dhe tregojini se jeni gati ta bëni kur të ndjehet ai/ajo rehat për të bërë këtë bisedë. Mos e minimizoni dhimbjen e fëmijëve dhe mos jepni zgjidhje të pa logjikshme, në përpjekje për ta ngushëlluar.

        Nga ana tjetër prindërit duhet të mos e ngarkojnë fëmijën me ndjenjat e tyre të dhimbshme e negative për ngjarjen si dhe në asnjë rast nuk duhet të shprehin frikën e tyre se mos fëmija mbetet me pasoja për tërë jetën.

        Ndoshta konsultohuni si ta bëni këtë!


        Nëse vëreni se fëmija shpreh vetë-fajësim dhe nuk dini si të reagoni kërkoni ndihmën e një  specialisti të shëndetit mendor pasi kjo mund të jetë një nga simptomat e para të depresionit.

        Mbani në mendje se fëmijët e adoleshentët që diagnostikohen me crregullimin e stresit pas traumës kanë risk më të lartë për të dëmtuar vetën qoftë edhe në formën e vetë-vrasjes. Prandaj, nëse pas një ngarjeje traumatike verëni tëk fëmija juaj shenjat e simptomat e mësipërme drejtohuni te specialistët.

        Një problem madhor i lidhur me çrregullimin e stresit pas traumës është se ankthi dhe problemet shoqëruese ndikojnë në aftësinë e fëmijës të jetë pjesë e eksperiencave normale të zhvillimit përgjatë fëmijërisë. Fëmija fillon të ketë vështirësi në bërjen e mësimeve, në shoqërizimin me moshatarët. Për pasojë mund të zhvillohen probleme të tjera serioze për fëmijën. Terapitë me specialistë të shëndetit mendor janë ato çfarë duhen dhe ndihmojnë në këto rrethana.