Depresioni është shkaku më i zakonshëm i invaliditetit në botë. Mundësitë janë të larta, që ju ose dikush që ju njihni të përjetojë për një periudhë kohore gjëndje depresive, që ndikon në punën tuaj apo në jetën tuaj shoqërore dhe familjare. Përafërsisht 2 në 3 njerëz me depresion do të përjetojnë simptoma të rënda të tij.

Në ditët e sotme ka disa zhvillime vërtet shpresëdhënëse për trajtimin e depresionit, ku veçanërisht bëhet fjalë për antidepresivët e rinj me veprim të shpejtë. Por është e rëndësishme të kuptojmë që këto mjekime nuk trajtojnë çdo gjë.

Trajtimet e reja për depresionin premtojnë të lehtësojnë simptomat, duke përfshirë edhe mendimet vetëvrasëse, më shpejt se trajtimet e mëparshme.

Këto mjekime përfshijnë ketaminën, një anestetik me të cilin edhe abuzohet si një drogë që shitet rrugëve si dhe një derivat i ketaminës, i quajtur esketaminë. Këto barna kanë treguar se ndihmojnë në lehtësimin e simptomave të depresionit brenda disa orëve, por secila dozë vepron vetëm për disa ditë. Ato gjithashtu mbartin rreziqe, duke përfshirë edhe mundësinë për të abuzuar me këto substanca.

Me pandeminë e koronavirusit, që po merr të tatëpjetën mbi shëndetin mendor, pacientët po kërkojnë gjithmonë e më shumë për lehtësim të shpejtë. Mjekimet mund të ndihmojnë, por që të trajtojmë siç duhet depresionin në afatgjatë, duke patur parasysh përzierjen e përbëresve të tij biologjik, psikologjik, social dhe kulturor, atëherë është e nevojshme ndërhyrja në shumë plane, jo thjesht me barna.

Mjekimet për depresionin kanë evoluar


Historiku i hershëm i trajtimeve për depresionin përqendrohej në përbërësin psikologjik të sëmundjes. Qëllimi në vitet e para të shekullit të 20-të ishte që pacienti të kuptonte shqetësimet e pandërgjegjshme të vendosura përgjatë fëmijërisë. Trajtimet biologjike të asaj kohe duken të frikshme në ditët e sotme. Ato përfshinin terapinë me komën insulinike dhe versionin primitiv, të keqpërdorur të proçedurës së sotme moderne, jetëshpëtuese – terapisë elektrokonvulsive.

Në mesin e shekullit të 20-të, u zbuluan mjekimet që ndikonin në sjelljen e njerëzve. Mjekimet e para ishin sedativët dhe barnat antipsikotike. Klorpromazina, e shitur nën emrin “Thorazinë” udhëhoqi në vitet 1950-të. Në 1951, u zbulua imipramina dhe ky do të ishte edhe ndër të parët antidepresivë. Prozaku, një antidepresiv frenues selektiv i rikapjes së serotoninës, SSRI, u aprovua në vitin 1987-të.

U bënë më tepër se 30 vite që nga hera e fundit kur është zbuluar një gjeneratë e re antidepresivësh. Kjo është edhe një tjetër arsye se pse antidepresivët me veprim të shpejtë janë kaq shumë të dëshiruar.


Si duket depresioni në brendësi të trurit?


Trajtimet mjekësore për depresionin ndikojnë në disa qeliza të caktuara të trurit, që përpunojnë informacionin, të ndodhura në një zonë mbi sy. Kjo zonë, e quajtur ndryshe korteksi prefrontal, përpunon informacionin kompleks, të tilla si shprehjen emocionale dhe sjelljet sociale.

Qelizat nervore, të quajtura neurone, kontrollohen kimikisht nga dy molekula mesazhere të kundërta, glutamate dhe acidi gama-aminobutirik (GABA). Glutamate punon si pedali i gazit dhe GABA janë frenat. Këto iu thonë neuroneve që të shpejtojnë ose të ngadalësojnë veprimtarinë e tyre.

Mjekimet me veprim të shpejtë për depresionin ulin veprimin e glutamatit, “pedalin e gazit”. Trajtime të tjera janë zhvilluar për të riekulibruar veprimin e GABA-s. një neurosteroid, i quajtur allopregnanolone, ndikon mbi GABA-n dhe vepron mbi “frenat”. Të dyja, allopregnanolone dhe esketamina, kanë marrë miratimin e FDA-së për trajtimin e depresionit, allopregnanolone për depresionin postpartum dhe esketamina për çrregullimin depresiv madhor dhe mendimet vetëvrasëse.

Mos u nxitoni


Rreth 2016-2017-ës, pati qëndrime të polarizuara ndërmejt psikiatërve ku të rinjtë nxitonin që të përdornin trajtimet me antidepresivët e rinj ndërsa psikiatrit më me përvojë ishin të mendimit, “Jo kaq shpejt”. Këta të fundit shpjegonin së duhej pritur më shumë rezultate të studimeve kërkimore mbi këto barna.


Rreziqet


Në depresion, sa më shumë mjekime që nuk kanë ndikim, të provojë një person, aq më pak gjasa ka ai që të ketë sukses me mjekimin e radhës. Ky ishte mesazhi kryesor i një prej studimeve klinike më të mëdha mbi barnat antidepresive, të kryera nga Instituti Kombëtar i Shëndetit (NIH) në vitin 2006-të.

Megjithatë, kur përballesh me një sëmundje, e cila ndikohet nga faktorë të jashtëm stresantë, si trauma apo humbja e një njeriu të dashur, trajtimi ka më shumë gjasa që të ketë sukses nëse ndërthuret mjekimi me barna me mbështetjen psikologjike.

Një qasje më afër botës së vërtetë është i ashtëquajturi “Paradigma biopsikosociale”, e cila vlerëson një gamë të gjerë të faktorëve biologjikë, psikologjikë dhe social të sëmundjeve mendore. Pacienti dhe mjeku punojnë së bashku për të proçesuar përvojat problematike, mendimet dhe ndjenjat e pacientit.

Një përqendrim i tepruar mbi barnat e reja mund të heqë vëmëndjen ndaj rëndësisë së adresimit dhe monitorimit të gjithë këtyre faktorëve, gjë që mund të nënkuptojë probleme në të ardhmen. Mjekimet, si opiate dhe substancat e tjera, që sigurojnë një lehtësim të shpejtë fizik ose psikologjik të dhimbjes, mundet që të krijojnë varësinë fizike dhe psikologjike prej tyre dhe një antidepresiv i ri me veprim të shpejtë mbart të njëjtin rrezik.

Antidepresivët me veprim të shpejtë mund të jenë një mjet i fuqishëm për të trajtuar depresionin madhor, kur përdoren me një nga format e tjera të terapisë, por a janë ata zgjidhja për çdo gjë? Koha shpejt do ta tregojë.
7 simptoma fizike që vërtetojnë se depresioni nuk është thjesht ‘në kokën tuaj’