Çrregullimi i pamjaftueshmërisë së vëmendjes me hiperaktivitet (ADHD) karakterizohet nga prania e mungesës së vëmendjes, aktivitetit të tepruar dhe impulsivitetit.

Pavëmendja i referohet stilit të sjelljes, përfshirë çorganizimin dhe mungesën e vazhdimësisë së më tepër sesa një procesi psikologjik, që del në pah prej testeve të vëmendjes. Paraqitja e saj, merr forma të ndryshme në mosha të ndryshme dhe ndikimi i saj ndryshon sipas kërkesës që bën ambienti për vëmendje.

Aktiviteti i tepruar i referohet thjesht një shtimi të lëvizjeve. Shpesh është problemi më madhor në fëmijërinë e hershme, por më i parëndësishmi në jetën si i rritur. Tiparet e tij janë statistikisht të lidhura ngushtë me impulsivitetin dhe shpesh futen brenda një termi, atij të “hiperaktivitetit”.

Impulsiviteti nënkupton të vepruarit pa u menduar. Ky është shpesh një aspekt që i fut të rinjtë në telashe, ose që i irriton njerëzit e tjerë. Sidoqoftë, në fëmijërinë e hershme dhe ndoshta pak më vonë, këto tipare të impulsivitetit mund të jetë e vështirë të ndahen nga tipet e tjera të sjelljes opozicionale. Mungesa e qartësisë mbi rregullat sociale, ose rezistenca me inat ndaj të rriturve, mund të jenë të tjera shkaqe për thyerjen e rregullave.

Sa e përhapur është ADHD?


Studime të ndryshme të prevalencës për ADHD-në në popullatën e moshës së fillores tregojnë se ajo është rreth 5% (Swanson et al., 1998). Pamjaftueshmëria e vëmendjes pa hiperaktivitet ka tërhequr më pak vëmendjen e kërkuesve, por është mjaft shqetësuese dhe prek rreth 1% të popullatës shkollore. ADHD-ja është një çrregullim i zakonshëm, veçanërisht tek djemtë.

Raporti djem/vajza varion prej 3:1 në popullatën joklinike dhe 9:1 në atë klinike (McCracken, 2000). Për të shmangur diagnostikimin e tepërt të ADHD-së, vlerësimi për këtë çrregullim duhet bërë nga specialistët, si psikiatër për fëmijë apo dhe profesionistë të tjerë të shëndetit mendor.

A mund të themi se çdo fëmijë i lëvizshëm është hiperaktiv?

 
Sigurisht që jo!
Fëmijët që janë mjaft aktivë dhe të vështirë për t’u përballuar në klasë, mund të diagnostikohen dhe të trajtohen gabimisht për ADHD. Disa prej këtyre fëmijëve aktivë mund të jenë nën ndikimin e stresorëve psikosocialë në shtëpi, të vuajnë prindërimin e papërshtatshëm, apo ndonjë sëmundje tjetër psikiatrike.

Cfarë e shkakton hiperaktivitetin apo ADHD?


Ndonëse ka mjaft studime kërkimore, shkaqet përfundimtare të ADHD-së mbeten të panjohura. Ka shumë mundësi të jetë një kombinim faktorësh, të tillë si: toksinat ambientale, ndikimet prenatale, trashëgimia, si dhe dëmtimi i strukturës trunore dhe funksionit të tij (McCracken, 2000).

A ka faktorë predispozues që mund të ndikojnë kur fëmija është në barkun e nënës?


Ekspozimi prenatal ndaj alkoolit e duhanit pra një nënë që konsumon alkool apo duhan gjatë shtatzënisë, ekspozimi ndaj ndotjes ambjentale si plumbi, mendohet se rrisin gjasat për shfaqjen e ADHD.
Po ashtu edhe kequshqyerja e rëndë në fëmijërinë e hershme, rrit gjasat për shfaqjen e ADHD-së.

Faktorët e riskut për ADHD-në përfshijnë:

 
- Praninë  e ADHD-së në familje, pra të tjerë anëtarë të familjes janë diagnostikuar me ADHD
- Nëse ka të afërm meshkuj me çrregullim të personalitetit antisocial;
- Nëse ka të afërm femra me çrregullim somatizimi;
- Nëse jeton në një familje me status social ekonomik të ulët;
- Të qënit mashkull,
- Prania e konflikteve martesore apo familjare si divorci, neglizhimi, abuzimi apo mungesa e   
  prindërve;
- Pesha e ulët në lindje dhe lloje të ndryshme të insulteve trunore


Si kryhet vlerësimi i fëmijës me ADHD?


Vlerësimi i një fëmije që ka simptoma hiperaktiviteti dhe që mendohet se mund të ketë ADHD do duhet të kryhet në ambjente të ndryshme që frekuenton fëmija gjatë jetës së përditshme.

Vlerësimi i fëmijës kur është mes moshatarëve jep të dhëna mjaft të dobishme, për arsye se sjellja e fëmijës mund të jetë e ndrydhur, ose e ndryshme gjatë ndërveprimit vetëm me psikiatrin apo mjekun që po e vlerëson.

Intervista me prindërit është një element thelbësor dhe vetë prindërit mund të raportojnë se fëmija i tyre ka qenë gërnjar dhe ka patur probleme, që kur ishte bebe. Ose ata mund të mos kenë vënë re ndonjë sjellje hiperaktive, derisa fëmija arriti moshën e kopshtit ose të shkollës.

Fëmija probabilisht ka vështirësi në të gjithë fushat madhore të jetës, si shkolla apo loja dhe shfaq sjellje tepër aktive deri të rrezikshme në shtëpi. Shpesh prindërit thonë se fëmija është “jashtë kontrollit” dhe ndihen të paaftë ta përballojnë këtë sjellje. Prindërit mund të tregojnë për përpjekjet e tyre të pasuksesshme për të disiplinuar fëmijën ose për t’i ndryshuar sjelljen atij.

 

Fillimi dhe ecuria klinike


ADHD-ja zakonisht identifikohet dhe diagnostikohet kur fëmija fillon parashkollorin ose shkollën, ndonëse mjaft prindër tregojnë se problemet kanë filluar në moshë më të hershme.

Në foshnjëri 

 
Fëmijët me ADHD shpesh janë të grindur dhe kanë modele të këqija gjumi.

Në moshën fëminore 

 
Ata përshkruhen si “gjithmonë në lëvizje” dhe “fusin hundët kudo”, ndonjëherë duke çmontuar e zbërthyer lodrat apo orenditë. Ata lëvizin para e prapa, hidhen dhe ngjiten mbi mobilje, vrapojnë nëpër shtëpi dhe nuk mund të kryejnë aktivitete të tjera, si të dëgjuarit e përrallave. Në këtë pikë te një fëmijë që po rritet, mund të jetë e vështirë për prindin të dallojë sjelljen normale dhe aktive nga sjellja e ekzagjeruar dhe hiperaktive.

Në moshën shkollore 

 
Simptomat e ADHD-së fillojnë të ndërhyjnë dukshëm në sjellje dhe në mbarëvajtjen shkollore. Fëmija vazhdimisht lëviz, zbret e ngjitet në karrige dhe bën zhurmë duke kërcitur stilolapsin, apo duke luajtur me objekte të tjera. Zhurmat ambientale normale si kolla e dikujt i tërheqin vëmendjen fëmijës. Ai nuk është në gjendje të dëgjojë porositë apo të përfundojë detyrat. Fëmija jep përgjigje përpara se të mbarojë pyetja. Mbarëvajtja shkollore është e mangët për shkak se fëmija bën gabime nga shpejtësia, shpesh humb ose harron të bëjë detyrat e shtëpisë dhe nuk arrin të ndjekë porositë që i jepen. 
Nga ana shoqërore, moshatarët mund ta izolojnë atë, d.m.th. të mos shoqërohen me të, apo mund të tallen me të. Formimi i marrëdhënieve shoqërore të mira është i vështirë, për shkak se fëmija nuk mund të zhvillojë lojë bashkëpunuese, ose nuk pret dot radhën dhe vazhdimisht i ndërpret të tjerët (APA 2000). Studimet tregojnë se si mësuesit edhe shokët i perceptojnë fëmijët me ADHD si më tepër agresivë, më arrogantë dhe më pak të pëlqyeshëm (McCracken, 2000a). Ky përcaktim rezulton nga impulsiviteti i fëmijës, paaftësia për të pritur radhën, ndërprerja dhe pamundësia për të dëgjuar e për të ndjekur porositë. Kështu moshatarët dhe mësuesit mund ta përjashtojnë fëmijën nga aktivitetet dhe loja, mund të refuzojnë të shoqërohen me fëmijën, ose mund t’i kthehen fëmijës me të egër, dënime ose duke e përjashtuar nga aktivitetet.

Në adoleshencë 


Afërsisht 2/3 e fëmijëve të diagnostikuar me ADHD, vazhdojnë të kenë probleme. Sjellje impulsive tipike përfshijnë dështim në ruajtjen e marrëdhënieve ndërpersonale, sjellje me rrezik, si përdorimi i drogës apo alkoolit, hyrja në marrëdhënie seksuale të shthurura, zënka dhe përdorim dhune. Shumë adoleshentë me ADHD kanë probleme aq të theksuara me disiplinën, sa mund të shkaktojnë përjashtim nga shkolla e mesme (McCracken, 2000a). Komplikimet sekondare të ADHD-së si vetëvlerësimi i ulët ose mospranimi nga bashkëmoshatarët, vazhdojnë të sjellin probleme serioze.

Në moshën adulte 


ADHD-ja mund të vazhdojë, madje vlerësimet tregojnë se 30%-50% e fëmijëve me ADHD kanë simptoma që vazhdojnë në moshën e rritur. Adultët te të cilët ADHD-ja ka qenë e diagnostikuar që në moshën fëminore, kanë një shkallë të lartë impulsiviteti, probleme me drogën, alkoolin, ligjin dhe çrregullime të personalitetit.



Rolet dhe marrëdhëniet me prindërit dhe mesuesit


Fëmija është zakonisht jo i suksesshëm në përparimin akademik dhe në marrëdhëniet me shoqërinë. Fëmija zakonisht është shkatërrimtar dhe i bezdisshëm në shtëpi, gjë që shkakton mosmarrëveshje me vëllezërit, motrat dhe prindërit.
Derisa fëmija të diagnostikohet dhe trajtohet, prindërit shpesh besojnë se fëmija është kokëfortë dhe sillet keq qëllimisht. Përgjithësisht masat e marra për të disiplinuar fëmijën nuk kanë sukses, në disa raste fëmija bëhet fizikisht i pakontrollueshëm, madje dhe duke i goditur prindërit ose duke shkatërruar orenditë e familjes. Prindërit shpesh ndihen të rraskapitur, nga ana mendore dhe fizike. Mësuesit ndiejnë të njëjtin zhgënjim si prindërit dhe edukatorët e kopshtit shpesh refuzojnë të kujdesen për fëmijët me ADHD, gjë që e shton refuzimin e fëmijës.


Për të kuptuar më shume mbi sjelljen e fëmijës suaj, plotësoni pyetësorin mbi ADHD-në: