Për më tepër se 50 vjet, klinicistët kanë përdorur termin çrregullim përshtatjeje për të përshkruar njerëzit, të cilët hasin vështirësi në përballjen me një situatë të caktuar stresuese ose një rrethanë që shkakton stres vazhdimisht.

Çrregullimet e përshtatjes janë diagnozat më të zakonshme në radhët e shëndetit mendor dhe mund të diagnostikohen te fëmijët, adoleshentët e të rriturit. Shumica e studimeve raportojnë se rreth 1% e popullatës mund të vuajë nga çrregullimi i përshtatjes në një çast të caktuar gjatë jetës.

Përkufizimi

Çrregullimi i përshtatjes përkufizohet si vështirësi për t’u përshtatur ndaj faktorëve stresorë në jetë. Shpërngulja në një qytet tjetër, ndryshimet në marrëdhënien dashurore ose ndërrimi i karrierës janë vetëm pak nga shembujt e stresorëve, që mund të shkakojnë që dikush të përjetojë luhajte të humorit e të sjelljes.

Simptomat e Çrregullimit të Përshtatjes

Sipas DSM-5, manuali më i ri diagnostik, i përdorur nga klinicistët për të diagnostikuar çrregullimet mendore, në kriteret për çrregullimin e përshtatjes përfshin:

Zhvillimi i simptomave emocionale ose të sjelljes si përgjigje ndaj një stresori të dallueshëm, të cilat janë shfaqur brenda tre muajve nga nisja e stresorit

Simptomat dhe sjellja duhet të jenë klinikisht domethënëse, të përcaktuara nga një ose më shumë prej të mëposhtmeve; stres i dukshëm, i cili nuk përputhet me rëndesën ose intensitetin e stresorit dhe/ose shkakton dëmtim të rëndësishëm social, në punë ose në fusha të tjera të funskionimit.

Simptomat nuk duhet të zgjasin më tepër se gjashtë muaj pas largimit të stresorit. Gjithashtu duhet të mos jenë në përputhje me normat dhe vlerat kulturore të individit dhe nuk përfaqësojnë një periudhë zije normale. Shqetësimet gjithashtu nuk duhet të përmbushin kriteret e një çrregullimi tjetër mendor (si psh. ankthi ose depresioni).

Klinicistët saktësojnë se si simptomat ndikojnë në funksionimin e individit duke treguar nëse çrregullimi i përshtatjes është:

Me humor depresiv– humori i rënë, qarje të shpeshta ose ndjenjat e të qenit i pashpresë mbizotërojnë

Me ankth – nervozizmi, shqetësimi i tepruar, dridhja ose ankthi i ndarjes janë mbizotërues

Me humor depresiv dhe ankth përzier– mbizotëron ndërthurja e depresionit me ankthin

Me shqetësime të sjelljes – Ndryshimet në sjellje mbizotërojnë

Me përzierje të shqetësimeve emocionale dhe të sjelljes–Mbizotërojnë si simptomat emocionale (depresioni, ankthi) ashtu edhe shqetësimet në sjellje

E paspecifikuar –Për reagime të papërshtatshme që nuk mund të klasifikohen në një nga nëntipet e çrregullimit të përshtatjes

Më poshtë jepen disa shembuj se kur mund të jetë e nevojshme vendosja e diagnozës së çrregullimit të përshtatjes:

- Një 6 vjeçar shpërngulet në një qytet tjetër dhe shkon në një shkollë të re. Ai nis të shfaqi sjellje agresive, fillon flet si foshnje dhe fillon bëhet sfidues.

- Një 10 vjeçare fillon që të bjerë nga mësimet pas divorcit të prindërve. Ajo ndihet e trishtuar pjesën më të madhe të kohës dhe nuk arrin të përqendrohet në detyrat e shtëpisë.

- Një 18 vjeçare shpërngulet në konvikt. Ajo ndihet ankthioze që ndodhet larg shtëpisë dhe familjarëve dhe ka vështirësi në krijimin e shoqërive të reja.

- Një burrë u pushua nga puna. Për muaj të tërë, ai nuk ka më motiv për të kërkuar një punë të re dhe ka vështirësi që ta çojë diçka deri në fund.

- Shtëpia e një gruaje u shkatërrua nga flakët. Ajo ka vështirësi të pranojë që ka humbur gjërat e saj dhe ndihet si e huaj në këtë situatë të re. Ajo ndihet shumë e mërzitur dhe ka shumë ankth që ia bën tepër të vështirë që të ketë një ecuri të mirë në punë.


Shkaqet

Çrregullimi i përshtatjes mund të burojë nga një sërë situatash dhe përvojash stresuese. Disa mund të jenë ngjarje të veçuara, si psh. katastrofat natyrore, ndërrimi i punës, shpërngulja në një qytet tjetër ose martesa. Në të tjera raste, çrregullimi i përshtatjes mund të burojë nga vështirësi të vazhdueshme, si psh. stresi i lidhur me hapjen e një biznesi ose fillimi i kolegjit.

Nuk është ende e qartë se pse disa njerëz përshtaten më lehtësisht ndaj disa rrethanave stresuese se sa të tjerët. Edhe kur një familje e tërë ose një grup fëmijësh ekspozohen ndaj së njëjtës situatë stresuese, disa mund të zhvillojnë çrregullimin e përshtatjes ndërkohë që të tjerë jo.

Ndërkohë që çdo situatë stresuese në jetë mund të të vendosë përballë rrezikut për të zhvilluar çrregullim përshtatjeje, mënyra se si ti përballesh me stresin luan rol nëse do të zhvillosh çrregullim përshtatjeje. Për më tepër, këta faktorë mund të ndikojnë përshtatjen tënde:

Përvojat e mëhershme në jetë – përballja me stresorë të vazhdueshëm në fëmijëri mund të rrisë rrezikun që të zhvilloni probleme të shëndetit mendor, duke përfshirë edhe çrregullimin e përshtatjes.

Çështje të tjera të shëndetit mendor – probleme të pranishme të shëndetit mendor, si depresioni dhe ankthi mund të rrisin rrezikun që të zhvilloni çrregullim përshtatjeje.

Rrethana të vështira jetësore – të paturit e më shumë streseve në jetë mund ta bëjë më të vështirë që të përballoni edhe një ndryshim tjetër në jetën tuaj.

Diagnoza

Nuk ka një testim të veçantë për të diagnostikuar çrregullimin e përshtatjes. Në vend të kësaj, një mjek ose psikiatër do të kryejë një intervistë me ju për të vlerësuar simptomat tuaja.

Mjeku i përgjithshëm mund të kërkojë disa analiza rutinë për t’u siguruar që simptomat nuk kanë si burim ndonjë çështje tjetër mjekësore. Sapo mjeku i përgjithshëm përjashton mundësinë e një sëmundjeje organike, ai mund t‘ju referojë te një psikiatër për vlerësim të mëtejshëm.

Psikiatri mund t’ju kërkojë që të plotësoni disa pyetësorë në mënyrë që të mbledhë të gjithë informacionin e nevojshëm. Gjithashtu do iu pyes edhe rreth simptomave tuaja si dhe ngjarjeve stresuese, me të cilat mund të jeni përballur kohët e fundit (ndoshta ju nuk mund ta keni dalluar një ngjarje stresuese që mund të ketë shkaktuar çrregullimin e përshtatjes).

Klinicisti do të përdori DSM-5 për të përcaktuar nëse ju i plotësoni kriteret për çrregullimin e përshtatjes bazuar në informacionin që ju i jepni.


Trajtimi i Çrregullimit të Përshtatjes

Shumë njerëz me çrregullim të përshtatjes pohojnë se trajtimi i ndihmon ata që të lehtësojnë stresin dhe po ashtu i mbështet ata që të ecin para në një mënyrë më të vlefshme dhe produktive, duke lënë pas ngjarjet stresuese. Shpesh trajtimi qëndron në terapinë e të folurit, përdorimin e barnave ose një ndërthurje e të dyjave.

Terapia e të folurit

Terapia e të folurit është zakonisht terapia e parapëlqyer për çrregullimin e përshtatjes. Lloji i terapisë së përdorur varet nga përvoja e terapistit dhe nevojat vetjake të pacientit. Në përgjithësi, terapia e të folurit mund të sigurojë mbështetje emocionale, të mbështesë në gjetjen e aftësive të shëndetshme për t’u përballur me stresin, në mësimin e strategjive të menaxhimit të stresit dhe në ndihmën për krijimin e zakoneve të shëndetshme.

Nëse jeni prindi ose partneri i dikujt me çrregullim përshtatjeje, mund të merrni pjesë në disa nga seancat e terapive. Terapia familjare mund t’ju ndihmojë në gjetjen e mënyrës më të mirë për të mbështetur një person i cili është duke përjetuar një çrregullim përshtatjeje.

Mjekimi

Mjekimi me barna mund të përdoret duke patur si synim depresionin ose ankthin që shoqëron çrregullimin e përshtatjes. Antidepresivët ose anksiolitikët mund të jenë të nevojshëm vetëm për një periudhë të shkurtër kohore, por duhet të flisni paraprakisht me psikiatrin tuaj para se të ulni dozën apo ndërprisni mjekimin.

Përballja

Nëse vini re se nuk po arrini t’i bëni ballë në mënyrën e duhur një ngjarjeje stresuese, mund të ndërmerrni disa hapa për të marrë veten më shpejt dhe për t’ju ndihmuar që të ndiheni më mirë. Këto strategji mund t’ju ndihmojnë që të përballeni më mirë me vështirësitë e përshtatjes me atë që jeni duke përjetuar:

Merrni pjesë në veprimtaritë e kohës së lirë. Bërja e gjërave argëtuese mund të lehtësojë nivelin e stresit. Gjeni veprimtari që janë të mira për mirëqenien tuaj dhe ndiqini ato.

Praktikoni kujdesin ndaj vetes. Flini gjumë mjaftueshëm, ushqehuni shëndetshëm dhe kryeni veprimtari fizike.

Rikthejuni aftësive të shëndetshme të përballjes me stresin.  Gjeni strategji që iu ndihmojnë të qetësoheni, të largoni mendjen dhe për të rritur humorin, qoftë kjo të dëgjuarit muzikën që iu pëlqen, të medituarit në mëngjes apo çfarëdo veprimtarie tjetër.

Shmangni aftësitë jo të shëndetshme të përballjes me stresin.  Nëse po mbështeteni te aftësitë që më tepër iu dëmtojnë se sa iu ndihmojnë – si psh. ngrënia më tepër seç duhet ose pirja e alkoolit – bëni një përpjekje që të largoheni prej tyre. Këto zakone të pashëndetshme mund t’ju shkaktojnë probleme afatgjatë.

Kërkoni mbështetje te shoqëria.  Kaloni kohë me miqtë dhe familjarët tuaj. Ata mund t’ju ndihmojnë, qoftë duke iu dhënë këshilla të vlefshme e të sinqerta, apo qoftë edhe thjesht duke dëgjuar shqetësimet tuaja. Ndjekja e një grupi mbështetës (online ose ballë për ballë) mund të bëjë që ju të mësoni nga përvoja e atyre që kanë kaluar shqetësime të ngjashme, si psh. divorci ose humbja e një njeriu të dashur.

Përfshihuni në veprimtari që kërkojnë zgjidhje të problemeve.  Mos iu shmangi gjërave që iu shkaktojnë stres, qofshin këto fatura për t’u paguar apo një telefonatë e vështirë që nuk do që ta bësh. Zgjidhini problemet tuaja një nga një dhe kështu do i shmangni vetes një mal me probleme e strese në të ardhmen.

Nëse keni vështirësi që ta përballoni gjithë këtë vetëm, atëherë kërkoni ndihmën e një profesionisti të shëndetit mendor, i cili do iu mbështesë në gjetjen e strategjive që të ndiheni më mirë.

Një këshillë e fundit

Me shumë gjasa, shumica e njerëzve mund të përjetojnë të paktën një herë në jetë çrregullim të përshtatjes. Nuk është shenjë dobësie. Nëse po hasni vështirësi, mos e lodhni veten me mendime që ndoshta do mund të bënit më mirë. Në vend të kësaj, filloni të kujdeseni më shumë për veten dhe kërkoni ndihmë profesionale për shqetësimet tuaja.

I inatosur gjatë gjithë kohës? Problemi yt mund të jetë depresioni.