Çrregullimi bipolar
karakterizohet nga luhatjet e fuqishme të humorit prej depresionit në mani.

Kur mund të dyshojmë për praninë e çrregullimit bipolar?


Nëse përjetoni periudha të fuqishme depresioni të pasuara këto nga periudha ngazëllimi dhe energjie të shtuar apo ndryshe e quajtur mani.

Nëse dikush tjetër në familjen tuaj vuan nga çrregullimi bipolar do të keni më shumë gjasa për ta patur edhe ju.

Nëse keni patur të tjera gjendje mendore si psikoza dhe çrregullimi i stresit pas traumës të cilat janë të lidhura me çrregullimin bipolar.  

Çfarë është çrregullimi bipolar?


Çrregullimi bipolar është një gjëndje e shëndetit mendor që karakterizohet nga periudha të manisë dhe depresionit. Mania karakterizohet nga ndjenja të euforisë, irritueshmërisë, ose energjisë ndërkohë që simptomat e depresionit përfshijnë trishtimin, vetëvlerësimin e ulët dhe ndjenja pavlefshmërie.

Psikiatrit thonë se çrregullimi bipolar është një sëmundje kronike dhe munduese, ajo mund të menaxhohet me suksese me ndihmën e barnave dhe mbështetjes psikologjike. Më poshtë do të gjeni se si mund të dalloni një të afërmin tuaj nëse ka çrregullim bipolar dhe se si mund ta trajtoni atë.



Çrregullimit bipolar ka tre forma:


Bipolar I: Njerëzit me çrregullim bipolar I ose ÇBI përjetojnë një trajtë të episodeve depresive dhe episodeve maniakale. Episodet e tyre maniakale zgjasin për të paktën 7 ditë dhe janë më të rënda se format e tjera. Ato madje mund të kërkojnë edhe shtrim në spital.

Bipolar II: Ata me çrregullim bipolar II ose ÇBII gjithashtu përjetojnë disa trajta të manisë ose depresionit, por episode e tyre maniakale janë më pak të rënda se sa ata me Bipolar I.

Çrregullimi ciklotimik: është një çrregullim humori, në të cilin luhatjet e humorit nuk janë aq të rënda sa ato që vihen re te njerëzit me çrregullim bipolar.

Mosha mesatare e fillimit të çrregullimit bipolar është 25 vjeç dhe është pothuajse e njëjtë në të dyja gjinitë. Ndërkohë që simptomat mund të jenë të larmishme, më poshtë gjeni disa nga simptomat më të zakonshme:

- Mund të përjetoni simptoma depressive, të ndërthurura me periudha plot ngazëllim dhe energji.

- Si episodet manjakale edhe ato depresive mund të zgjasin nga disa orë deri në disa javë. Për më tepër, njerëzit me çrregullim bipolar mund të përjetojnë përvoja me pak ose aspak simptoma midis këtyre episodeve të humorit.

Kujdes! Simptomat manjakale nuk janë gjithmonë aq të qarta për t’u dalluar ose aq të rënda, ndaj njerëzit shpesh keqdiagnostikohen për vite të tëra para se të marrin një vlerësim dhe trajtim të duhur.

Dikush në familjen tuaj vuan gjithashtu nga çrregullimi bipolar?


Besohet që ka një prirje gjenetike për t’u sëmurur me çrregullimin bipolar. Ndërkohë që shkencëtarët ende nuk kanë gjetur gjenet e sakta, përgjegjëse për kalimin e çrregullimit bipolar te fëmijët, gjenetika mendohet të jetë një faktor i rëndësishëm në lidhje me rrezikun për ta zhvilluar atë.

Një studim i botuar në vitin 2012 në Revistën e Psikiatrisë dhe Neuroshkencës gjeti se njerëzit që kanë një të afërm të shkallës së parë (prind, motër/vëlla, ose fëmijë) me çrregullim bipolar kanë rreth 15-35% më shumë rrezik për ta patur edhe ata vetë çrregullimin. Gjasat shkojnë deri 75% nëse një njeri ka dy të afërm të shkallës së parë me çrregullim bipolar.


Vuani nga një tjetër çrregullim mendor?


Çrregullimi bipolar mund të jetë gjithashtu i lidhur me një tjetër problem të shëndetit mendor. Si p.sh, me çrregullimin e ankthit, çrregullimet e të ngrënit, ADHD-në dhe abuzimin me substancat.

Duke qënë se marrëdhënia e saktë midis çrregullimit bipolar dhe problemeve të tjera të shëndetit mendor ende nuk është e qartë, vështirë të thuhet se sa gjasa kanë njerëzit me një problem të caktuar të shëndetit mendor për të zhvilluar çrregullimin bipolar dhe anasjelltas. Megjithatë studimet tregojnë se disa probleme të shëndetit mendor mund të bashkëndodhin me çrregullimin bipolar. Nëse ju jeni duke përjetuar një nga gjendjet e mëposhtme, do të ishte e udhës që të jini të vëmëndshëm ndaj simptomave të çrregullimit bipolar:

Abuzimi me substancat. Një studim i vitit 2004, i botuar në revistën Çrregullimi Bipolar vlerësoi 4310 njerëz që po trajtoheshin për çrregullimin bipolar në qendrën e Kujdesit ndaj Veteranëve në SHBA. Studiuesit gjetën se 25% e këtyre pacientëve kishin çrregullimin e abuzimit me alkolin, 10.4% abuzonin me kokainën dhe 4.4% abuzonin me opioidët.

Psikoza. Studimet tregojnë se disa lloje të psikozës (episode kur një njeri ka vështirësi për të bërë dallimin ndërmjet asaj që është e vërtetë dhe asaj që nuk është) mund të kenë një lidhje me zhvillimin e çrregullimit bipolar. Një studim i botuar në vitin 2018 në revistën Amerikane të Psikiatrisë vëzhgoi 6788 njerëz që kishin përjetuar psikozë të induktuar nga substancat, gjë që ndodh kur gjatë përdorimit të alkolit ose drogërave nxiten deluzionet ose haluçinacionet. Ata gjetën se 32.2% e pjesëmarrësve kishin zhvilluar ose çrregullimin bipolar ose skizofreninë pas episodit të psikozës, zakonisht pas një periudhe pas disa vjecare.

Si të vendosni diagnozën e çrregullimit bipolar?


Nëse dyshoni se mund të keni çrregullim bipolar, ose po shfaqni simptoma të ngjashme, këshillohet që të caktoni një takim me mjekun tuaj ose me një psikiatër sa më shpejt që të jetë e mundur.

Sepse mund të keni nevojë që të shkoni menjëherë në urgjencë nëse p.sh mendoni se mund të dëmtoni veten ose të tjerët dhe është psikiatri ai që duhet ta vlerësojë këtë gjendje.

Një mjek do të bëjë vlerësimin për çrregullimin bipolar duke rishikuar simptomat tuaja dhe duke iu bërë pyetje rreth historikut tuaj personal dhe familjar. Në spital mundet që edhe t’iu bëjnë edhe disa ekzaminime mjekësore për të përjashtuar ndonjë problem tjetër që mund të shkaktojë simptomat tuaja, përfshirë edhe ekzaminime laboratorike dhe ato imazherike, si gjak komplet, grafi, skaner, rezonancë magnetike.

Çrregullimet mendore që kanë simptoma të ngjashme me çrregullimin bipolar përfshijnë:


Çrregullimi i personalitetit kufitar.
Simptomat e çrregullimit të personalitetit kufitar përfshijnë luhatjet e humorit dhe sjelljen impulsive, të cilat të dyja vihen re edhe në çrregullimin bipolar.

ADHD.
Simptomat e ADHD-së përfshijnë periudha hiperaktiviteti, të cilat mund të ngatërrohen me maninë.

Si ta trajtojmë çrregullimin bipolar?

Trajtimi ideal për çrrgullimin bipolar ndryshon nga njëri njeri te tjetri. Një mundësi e zakonshme është mjekimi me barna.

Çrregullimi bipolar trajtohet shpesh me ndihmën e mjekimeve të quajtuara stabilizues humori si p.sh.,: Litium (Lithobid), Acidi valproik (Depakine)

Disa njerëz mundet gjithashtu që të përfitojnë nga barnat antipsikotike, si olanzapine ose risperidone, të dhëna veçmas ose bashkë me një stabilizues humori. Këto barna ndihmojnë në trajtimin e periudhave maniakale ose depresive, që përfshijnë edhe shfaqjen e psikozës ose haluçinacioneve.

Psikoterapitë mundet gjithashtu që të jenë të dobishme, veçanërisht si shtesë ndaj mjekimit me barna. Terapia konjitive-bihejviorale (CBT) mund t’i ndihmojë njerëzit që të dallojnë mendimet negative ose sjelljet që i shoqërojnë dhe ti zëvendësojnë me mendime pozitive. Një artikull i 2017-ës i botuar në revistën PLoS One vlerësoi 19 kërkime shkencore, që kishin përfshirë 1384 pacientë me çrregullim bipolar. Rishikimi arriti në përfundimin se CBT mund të zvogëlojë shkallën e relapseve, përmirësojë simptomat depresive, lehtësojë rëndesën e episodeve manjakale dhe përmirësojë funksionimin e përditshëm e ndërveprimin me njerëzit e tjerë.

Në varësi të rëndesës së çrregullimit bipolar, njerëzit mund të trajtohen ambulatorisht ose të shtrohen në një spital psikiatrik. Këshillohet gjithashtu që njerëzit me çrregullim bipolar të përpiqen që të shmangin streset e mëdha dhe mungesën e gjumit, të cilat mund të nxisin episode.

Monitorimi i rregullt nga një profesionist i shëndetit mendor mund të sigurojë qëndrueshëmri dhe kujdesin e duhur për këta njerëz.

depresioni
/ crregullim humori / psikiater