Dokudrama në Netflix The Social Dilemma na paraqet një pamje distopike të mediave sociale, duke treguar se teknologjia e Silicon Valley është tashmë një kërcënim ekzistencial për njerëzimin. Truri që qëndron pas Facebook, Instagram dhe TikTok e ka shpenzuar dekadën e fundit duke përmirësuar algoritmet, të cilat tashmë, duket sikur na kanë mbërthyer të gjithëve.

Mesatarisht, një adult shpenzon dy orë në ditë në rrjetet sociale, ndërkohë një adoleshent mund të shpenzojë mesatarisht nëntë orë në ditë. Studimet tregojnë se varësia nga rrjetet sociale tashme ka prekur rreth gjysmë milion njerëz globalisht.

Sa të dëmshme janë rrjetet sociale për shëndetin tonë mendor?


Filmi tregon se rrjetet sociale shkaktojnë varësi, janë të projektuara për të tërhequr vëmendjen dhe për të kontrolluar sjelljen duke na bërë të duam t`i përdorim ato çdo herë e më shumë. Duke bërë këtë gjë, ato shfrytëzojnë dëshirën njerëzore për lidhjen me persona të tjera dhe pëlqimin e tyre, duke na dhënë kështu një dozë dopamine sa herë marrim një like ose një koment, por pa përmbushur nevojat tona vërtet të rëndësishme. Sipas filmit, kjo mund të shkaktojë emocione negative, të cilat na bëjnë të rikthehemi në rrjete sociale për të përmirësuar humorin.

Kështu, duket sikur rrjetet sociale shërbejnë si një qetësues dixhital, një strategji që e përdorim sa herë ndihemi të vetmuar ose keq. Ashtu siç thotë edhe protagonisti i filmit Tristan Harris, ish punojës i Google dhe themelues i Centre for Humane Technology, përdorimi i rrjeteve sociale është një rrezik për shëndetin tonë mendor, i cili vetëm do të vazhdojë duke u rritur.

Frika nga e panjohura


Edhe pse përshkrimi që bën dokumentari duket bindës, nuk duhet të harrojmë të përmendim frikën nga e panjohura. Është më se e natyrshme të jemi të shqetësuar nga një teknologji e re, e cila fiton një lloj popullariteti në shoqëri, ndaj dhe shqetësimi për rrjetet sociale është i justifikuar.

Por a janë shqetësimet tona të gabuara?


Rastet me sëmundje të shëndetit mendor janë duke u rritur në vendet me të ardhura të larta. Ka një korrelacion ndërmjet përdorimit të rrjeteve sociale dhe rasteve të sëmundjeve të shëndetit mendor, por korrelacion nuk do të thotë shkakësi. Për këtë arsye, kuptimi i këtij korrelacioni ka nevojë për një interpretim më të hollësishëm. Disa studime të bëra në lidhje me këtë çështje kanë treguar rezultate kontradiktore. Disa prej tyre kanë treguar se rrjetet sociale kontribuojnë në përkeqësim të shëndetit mendor, disa të tjerë nuk kanë treguar ndikim në shëndetin mendor dhe të tjerë kanë treguar se rrjetet sociale mund të përmirësojnë shëndetin mendor.


Varësia dixhitale


Kritikat që sjellë “The Social Dilemma” vijnë në një moment shumë interesant, pasi shumica prej nesh janë më shumë të varur se kurrë nga mënyrat dixhitale të komunikimit. Në fakt, rrjetet sociale mund të dëmtojnë vetbesimin tonë, por në anën tjetër na bëjnë të ndihemi më pak të vetmuar dhe afrojnë lidhjen me të tjerët.

Në këtë kohë pandemie, kur jemi të detyruar të ruajmë distancën fizike, kemi gjetur një “zgjidhje” në aftësinë e rrjeteve sociale për të na mbajtur të lidhur me miqtë tanë. Në mungesë të ndërveprimit fizik, kemi mësuar një gjuhë të re komunikimi, duke bërë komente, krijuar meme dhe dërguar emoji me miqtë, familjen e të tjerë, që në një mënyrë ka shërbyer për të përmirësuar shëndetin tonë mendor.

Përtej COVID-19, rrjetet sociale kanë luajtur një rol kyç për të lidhur mendjet e njëjta në mbështetje të kauzave të përbashkëta, duke përmirësuar kështu aktivizmin për çështje të ndryshme sociale, që nismën e kanë patur pikërisht në Facebook, Instagram apo rrjete te tjera sociale.

Në të njëjtën mënyrë, krijimi i komuniteteve me interesa specifike të përbashkëta ndikon pozitivisht në mirëqenien mendore. Psh. studimet kanë treguar se adoleshentët e margjinalizuar si ata të komunitetit LGBTQ+ e të tjerë, rrjetet sociale i bëjnë të ndihen pjesë e një komuniteti global të cilin e kishin të pamundur ta krijonin në kohën para rrjeteve sociale.

Pa dyshim që më shumë studime janë të nevojshme në lidhje më këtë çështje, por konsensusi ndërmjet psikologëve është se nuk janë domosdoshmerish rrjetet sociale ato që po dëmtojnë shëndetin mendor, se sa përmbajtja që po konsumojmë. Duhet të jemi më të kujdesshëm kur përgjithësojmë përdorimin e rrjeteve sociale, pasi 20 minuta bisedë me një mik nuk është e njëjta gjë si 20 minuta të shpenzuara duke lexuar lajme negative dhe stresuese.

Perfeksionizmi


Një ndër efektet më shqetësuese, të cilit i kushtohet një vëmendje e veçantë në “The Social Dilemma” është ndikimi i rrjeteve sociale në përcaktimin e pamjes së bukur fizike. Studimet njëzëri tregojnë për lidhjen ndërmjet rrjeteve sociale dhe standardit të bukurisë.

Por duhet theksuar se edhe kjo lidhje varet nga përmbajtja që zgjedhim te ndjekim ne rrjetet sociale dhe mënyra se si ndihemi për pamjen tonë fizike. Çka do të thotë se, nëse je i/e predispozuar të shqetësohesh për pamjen fizike, si pasojë e gjenetikës apo te rrethit shoqëror që i përket, krahasimi i pamjes tuaj fizike me atë të imazheve (shpesh të modifikuara) të postuara nga influencers, mund të shkaktojë ankth dhe të përkeqësojë shëndetin tuaj mendor.

Gjithashtu, duke marrë parasysh mënyrën e funksionimit të algoritmeve, sa më shumë të vizitoni këto profile, aq më shumë platforma do të rekomandojë imazhe të ngjashme. Kjo na çon në krahasim të vazhdueshëm të pamjes tonë fizike me atë të imazheve me filtra dhe të modifikuara. Shfaqja vazhdimisht e këtyre imazheve, na bën të mendojmë se të gjithë njerëzit në botë duken kështu, por në fakt jemi pre e një algoritmi të projektuar për të na mbërthyer në botën e imazheve jo reale për të cilat kemi shfaqur sado pak interes.

Edhe pse rrjetet sociale nuk janë përgjegjësit e vetëm të përkeqësimit të shëndetit mendor, këto platforma kanë një ndikim negativ në personat vulnerabël dhe veçanërisht në ata që kanë nënvlerësim për pamjen e tyre fizike.

Si mund ta mbrojmë veten dhe personat më vulnerabël nga ndikimi negativ i këtyre platformave?


Kujtoni se jeni ju që i kontrolloni rrjetet sociale dhe jo rrjetet sociale juve. Sa kohë shpenzoni me to dhe çfarë përmbajtje përzgjidhni, është vendimi juaj. Përzgjedhja e përmbajtjeve pozitive dhe përdorimi i tyre kryesisht për biseda me miq është një nga strategjitë për të mbrojtur shëndetin tonë mendor.

Megjithatë, përveç përpjekjeve tona individuale për të kontrolluar algoritmin, nevojiten veprime të një niveli legjislativ për kontrollin e rrjeteve sociale. Dokumentari The Social Dilemma ka të drejtë kur kërkon një ndryshim mbi këtë çështje. Kompanitë që qëndrojnë pas rrjeteve sociale duhet t`i nënshtrohen disa rregullave të veçanta për mënyrën e përdorimit të teknologjisë, në mënyrë që përdorimi i saj të jetë më etik, me qëllim promovimin e sjelljeve pozitive dhe jo atyre negative.

Dhe deri sa të adresohen këto problematika, ajo çka duket deri me tani, është se rrjetet sociale janë si një pasqyrë ku reflektohet e mira dhe e keqja e një shoqërie, por le të mos ngatërrojmë refleksionin me shkakun.