Disa dëshmi të njerëzve që kanë patur përvojë me përdorimin e zgjatur të benzodiazepinave si dhe fakte të tjera në lidhje me keq përdorimin e këtyre barnave.

U shkëputa në mënyrë të menjëhershme nga mjekimet për ankthin përgjatë qëndrimit e vetme në shtëpi gjatë pandemisë. 

Mbaj mend shumë pak rreth nëntë viteve të kaluara. Ajo që mbaj mend është e turbullt, gati-gati më duket sikur kujtimet e mia nuk janë të miat. Gjithçka para kësaj periudhe mbetet tërësisht e paprekur. Unë mund të mbaj mend detaje të jetës time rreth 10 vite më parë, por pesë vitet e fundit janë pa asnjë domethënie. Vetëm këto muajt e fundit, përgjatë pandemisë, nisa që të rifitoja disi qartësinë dhe dëshirën.

Pasi fola me mjekun psikiatër kuptova se fajtorë për këtë janë benzodiazepinat ose “benzot”, barnat më të zakonshme që jepen për trajtimin e ankthit. Unë përdorja benzodiazepina çdo natë, për nëntë vjet rresht dhe në periudhën e fundit kisha filluar të pija edhe alkol. Benzodiazepinat, si klonazepami, diazepami dhe alprazolami (Xanax) kanë famën e keqe si barnat më të këqija në botë kur vjen puna për t’u shkëputur prej tyre, duke shfaqur simptoma të rënda të shkëputjes qoftë edhe pas një muaj përdorimi. Përdorimi afatgjatë i benzodiazepinave, duke nënkuptuar këtu përdorimin për më shumë se gjashtë muaj, çon në dëmtim të aftësive njohëse dhe mund të shkaktojnë amnezi anterograde, që do të thotë humbje të aftësinë për të krijuar kujtime të reja.

Më shqetësuese është se këto ndikime të përcaktuara qartësisht mbi kujtesën, ashtu sikurse edhe dëmtimi i aftësive konjitive në fusha të tjera, nuk përmirësohen kur një pacient ndalon së marri këto barna. Edhe pas një viti shkëputjeje nga benzodiazepinat, ata që i kanë përdorur ato për një kohë të gjatë, vazhdojnë të shfaqin “dëmtime të rëndësishme në shumë fusha konjitive, si kujtesën verbale, shpejtësinë psikomotore, proçesimin visuospacial, inteligjencën në tërësi, vëmëndjen/përqëndrimin dhe kujtesën jo verbale”. Benzodiazepinat nuk shkaktojnë eufori, por të bëjnë indiferent ndaj botës. 



Që prej fillimit të pandemisë, ankthi dhe përdorimi i barnave anksiolitike kanë pësuar rritje. P.sh., në Britaninë e Madhe, zyra për statistikat kombëtare gjeti se midis 20 dhe 30 Marsit 2020 “pothuajse gjysma e njerëzve (49.6%) raportuan nivele të larta të ankthit”. Në Nëntor 2020, përqindja e të rriturve që kishin përjetuar ankth ishte 17%, ende e lartë krahasuar me nivelet para pandemisë. Në SHBA, një raport i botuar në Express Scripts, një kompani shëndetsore, raportoi se numri i përshkrimeve për barna kundër ankthit kishte pësuar rritje me 34% gjatë periudhës Shkurt deri në mes të Marsit. Sondazhi Botëror i Barnave (Global Drug Survey), sondazhi më i madh vjetor botëror i barnave në SHBA raportoi shifra të ngjashme, me 34% të pjesëmarrësve në gjithë botën që treguan se përdorimi i benzodiazepinave përgjatë pandemisë ishte rritur.

Njerëz të tjerë e kanë parë pandeminë si një periudhë të artë, një mundësi për ndryshim që të vjen një herë në jetë. Në një farë mënyre unë jam një prej tyre. Një ditë shtatori, unë hoqa dorë nga alkoli, cigarja dhe prodhimet shtazore dhe fillova të ulja dozën e benzodiazepinave, të gjitha këto njëherësh. Iu këshilloj që të flisni me mjekun tuaj përpara se të mendoni që të ndërprisni mjekimet. Kriza e jashtme e covid-it bëri të mundur luftimin e krizës sime të brendshme. E njëjta gjendje vetëdijeje ekstreme që më çoi në radhë të parë drejt barnave, e njëjta mundet që të më nxirrte përsëri prej tyre.

Situatat që na u caktuan me detyrim nga pandemia dukej të ishin ideale për shkëputjen nga barnat. Nuk kishte tundime, si darkat ose festat dhe për nënpunësit nuk kishte as mbledhje e zyra të zhurmshme. Ndoshta ka edhe një dëshirë të natyrshme për të kontrolluar atë pak që mund të kontrollohet në mes të kësaj situate rrëmuje. SHBA ratifikoi në Janar të 1919-ës amendamentin e 18-të që ndalonte përdorimin e alkolit, menjëherë pas valës vdekjeprurëse të pandemisë së gripit në 1918-ën.

Shkëputja nga benzodiazepinat është përshkruar si një përvojë e ngjashme me PTSD-në më vete. Simptomat e shkëputjes mund të zgjasin për muaj ose edhe për vite të tëra. Në Shtator 2020 ndërkohë që shumë lajme nga kompanitë farmaceutike ishin përqëndruar në gjetjen e një vaksine për Covid-19, agjensia për Administrimin e Ushqimit dhe Barnave në SHBA shpalli se për të gjitha benzodiazepinat duhej të shtohej “kutia e zezë e kujdesit/paralajmërimeve”, duke theksuar se shkëputja prej tyre mund të jetë jetëkërcënuese.

Përgjatë periudhës një mujore të uljes së dozës, unë mendoj se ia dola që ta kaloja fazën akute të shkëputjes nga benzodiazepinat. Simptomat e mia tani përfshijnë një zhurmë shurdhuese në vesh, migrenë që zgjat deri në 72 orë dhe panik, të gjitha këto shenja shkojnë e vijnë. Ky model me simptoma që herë herë janë të pranishmne dhe herë herë nuk janë është një gjendje e zakonshme tashmë. E vetmja gjë e qëndrueshme që përjetoj janë problemet konjitive, veçanërisht të lidhura me kujtimet e pjesës më të mirë të dekadës së shkuar. Por çdo ditë sa vjen e më shumë po më rikthehet dëshira për të shkruar, për të parë e përjetuar gjëra të reja dhe ndoshta ne kemi shumë pak në dorë për të bërë për vitet e humbura, përveçse të shpëtojmë ç’të mundemi.


Antidepresivët e rinj: Efektet dhe rreziqet