Mamaja e djalit është shumë e lumtur. Në të vërtetë e gjithë familja është e gëzuar këto ditë. Arsyeja e gëzimit është djali i saj 15 vjeçar, i cili arriti që të merrte notat më të larta në provimet e minimaturës. Por jo shumë kohë më parë, Kristi ishte i shpërqëndruar, shkëputej nga mësimet, i pamotivuar, mëndja e tij e shtynte që të bënte shumë gjëra në të njëjtën kohë, përveç të mësuarit.

 “Matematika ishte ndëshkimi i tij,” thotë mamaja e Kristit. Kristi ishte tetë vjeç kur familja e tij zbuloi se ai vuante nga çrregullimi i hiperaktivitetit dhe vëmendjes së pamjaftueshme (ADHD). “Përpara se të diagnostikohej, ai dukej të ishte gjatë gjithë kohës i shqetësuar. Fletët e provimeve i dorëzonte bosh dhe kishte vështirësi që të përqendrohej. Ne vazhdimisht merrnim ankesa nga shkolla sepse ai nuk bënte detyrat, nuk shkruante asgjë në klasë”, thotë ajo.

Si nënë, zemra e saj vajtonte çdo ditë. Djalin e saj e kishin ulur veçmas të tjerëve në klasë. Shokët e tij të klasës e tallnin dhe e vinin shpesh në lojë, nuk e përfshinin në veprimtari të përbashkëta për shkak të pamundësisë së tij për të qëndruar në një vend. Prindërit e tyre e merrnin vazhdimisht në telefon duke e pyetur nëse djali i saj kishte ndonjë problem. Mësuesit humbisnin durimin dhe hiqnin dorë prej tij duke thënë se të mësonin atë ishte përtej aftësive dhe detyrave të tyre.

“Ai mësonte ngadalë; i duhej të merrte kohën e tij që të kuptonte konceptet. Ai kishte nevojë për praninë e dikujt që ta udhëzonte me shumë durim dhe jo shumë mësues e zotërojnë këtë aftësi. Ai u ndesh edhe me mësues që e nënvlerësonin dhe e tallnin atë. Lëndohej, natyrisht. Ndaj edhe vendosa që ta mësoja vetë në shtëpi dhe të qëndroja në anën e tij. E kam vazhduar këtë gjë deri tani”
, thotë ajo. Ajo përshkruan se si në një çast, Kristi kishte reaguar me dhunë fizike kundrejt bashkëmoshatarëve të tij sepse ata po talleshin me të, për shkak se ai nuk dinte ndonjë mënyrë tjetër se si t’i kundërshtonte ata.

Terapia dhe shërimi


Fatmirësisht për Kristin, prindërit e tij nuk i vunë asnjëherë në dyshim aftësitë e tij. Duke luftuar ndaj çdo stigme, ata e gjetën veten në zyrën e një terapisti dhe psikologu me përvojë për fëmijët. “Vetë psikologia e shkollës na kishte referuar për te psikologu që prej kohës që Kristi ishte në klasë të tretë. Unë e çova Kristin aty për rreth gjashtë deri në tetë muaj, por më pas na u desh që ta ndërprisnim sepse sapo kisha lindur vajzën tonë. Provuam më pas vende të tjera, por nuk po shikonim ndonjë përfitim, ndaj edhe u kthyem përsëri te psikologu i mëparshëm, kur Kristi ishte 10 vjeç. Për rreth dy vjet e gjysmë shkuam te psikologu tre herë në javë për terapi okupacionale*”, thotë mamaja e Kristit, duke shtuar se Kristi është sikurse çdo fëmijë tjetër, i dhënë gjithashtu pas sportit, muzikës dhe kërcimit.

“Ai përqafoi sfidat dhe u përball sipas rastit me to. Kur shikonte që shokët e tij të klasës merrnin nota të mira në shkollë, përpiqej akoma më shumë. Na u desh që ta ndërprisnim terapinë për shkak të orarit shumë të ngjeshur, por në atë periudhë Kristi ishte përmirësuar shumë. Unë do të thoja që këmbëngulja e tij e ka ndihmuar shumë. Ai madje hoqi dorë edhe nga ushqimet e gatshme (fast food-et dhe ushqimet e tjera të përpunuara), të cilat shërbejnë edhe si nxitës për përkeqësimin e simptomatikës te fëmijët me ADHD”,
shpjegon ajo.

ADHD dhe trajtimi


ADHD-ja është një çrregullim i neurozhvillimit, në të cilin mbizotërojnë tre simptoma madhore: mungesa e vëmendjes, prania e hiperaktivitetit dhe impulsiviteti. Zakonisht, fillojmë të kuptojmë që një fëmijë mund të ketë ADHD kur ata janë dy ose dy vjeç e gjysmë dhe shfaqin disa reflekse dhe disa sjellje, të cilat mund t’i dallojmë që po na çojnë drejt ADHD-së. Por më së shumti, ajo shfaqet gjatë periudhës kur fëmija shkon në shkollë dhe i duhet që të qëndrojë ulur në bankë, ose fillon shtyn fëmijët e tjerë, thyen sende ose shfaq sjellje posesive.

Megjithatë, lajmi i mirë është se me disa qasje të duhura profesionale, ADHD-ja mund të trajtohet. Zakonisht kur një fëmijë ka ADHD ai mund të ulet në bankë dhe ndërkohë që mësuesja shpjegon mësimin ai shpërqendrohet nga zhurma e ndryshme, ose qoftë edhe nga frymëmarrja e fëmijëve të tjerë, nga makinat që lëvizin jashtë dhe kështu ndodh edhe me shumë stimuj të tjerë.

Në kundërshtim me fëmijët e tjerë, që arrijnë të bëjnë filtrimin e informacionit dhe të përdorin “vëmendjen përzgjedhëse”, një fëmijë më ADHD nuk është në gjendje që të filtrojë asgjë.

Ndonjëherë edhe vetë prindërit shfaqin mekanizma të gabuar të përballjes me stresin dhe vështirësitë. Ndaj na duhet që të punojmë edhe me mënyrën e prindërimit dhe ndoshta mund të duhet rreth një ose një vit e gjysmë që të tejkalohet kjo vështirësi tërësisht. Nëse lihet pa trajtuar, ADHD-ja mund të shkaktojë probleme të personalitetit në vitet në vijim. ADHD-ja duhet që të identifikohet herët në mënyrë që të trajtohet më lehtësisht.

* Lloj terapie që ndihmon në tejkalimin e vështirësive në aspektin social, emocional dhe fizik.


Si ndryshon ADHD te të rriturit dhe te fëmijët?


Të jetosh me ADHD-në: si mësova të përdor shpërqëndrimin në të mirën time


10 trajtime natyrale për të rritur përqëndrimin në ADHD