A i organizoni me kujdes rrobat tuaja në dollap, ndoshta duke i ndarë sipas ngjyrave? Apo ndoshta mbani një kalendar të detajuar ku planifikoni çdo detaj të ditës tuaj?

Termi "obsesiv", ose "ai/ajo ka obsesione", ose "ka ca fiksime" shpesh përmendet nëpër biseda, ndonjëherë duke iu referuar disa zakoneve të vecanta, që mund të jenë edhe të çuditshme, që shumë prej nesh mund t`i kenë. Por këto gjera në fakt, nuk e bëjnë një person të vuajë nga çrregullimet obsesive-kompulsive (OCD). Crregullimi obsesivo-kompulsiv mund të jetë i nxitur  nga nevoja për përsosmëri e personit, por përsosmëria dhe OCD-ja nuk janë aspak njësoj.

Dr. Sonila Tomori shpjegon më gjatë se nga ndryshojnë dhe ku ngjasojnë çrregullimet obsesive-kompulsive me perfeksionizmin.

“Ndryshimi ndërmjet personave me çrregullime obsesivo-kompulsive dhe perfeksionistëve është se personat me OCD e dinë që sjelljet e tyre janë të ekzagjeruara dhe jo normale por ata nuk janë të aftë t`i ndërpresin ato. Ndërkohë perfeksionistët i bëjnë sjelljet për kënaqësi dhe se pëlqejnë që jeta e tyre të jetë e rregullt.”


Çfarë janë çrregullimet obsesive-kompulsive (OCD)?


OCD janë çrregullime të shëndetit mendor që përfshijnë mendime të padëshiruara dhe te përsëritura të cilat i shkaktojnë ankth individit që i përjeton ato. OCD janë të klasifikuara në grupin e crregullimeve të ankthit. Në mënyrë që të reduktojnë ankthin, këta individë kryejnë veprime kompulsive ose rituale, pra veprime të përsëritura që mund të kenë tematika të ndryshme psh., të lidhura me pastërtinë, kontrollin, sistemimin etj. Kryerja e ritualeve bën që të lehtësohet ankthi, madje prania e tyre është kusht për vendosjen e diagnozës së OCD.

 “Ndonjëherë personat janë të frikësuar nga mikrobet; ndonjëherë është thjeshtë një mendim që nuk munden ta largojnë nga mendja.” shprehet Dr. Sonila Tomori.

“Psh. nëse dikush ka frikë për sigurinë e vet apo të të afërmëve të tij, mund të ndjejë nevojën të hap dhe të mbyll derën disa herë para se të largohet nga shtëpia, pra të sigurojë që u mbyll mirë.”

Dr. Sonila shton se “Ata e dinë që nuk duhet ta bëjnë atë gjë, por nëse nuk e bëjnë kjo mund t`i çojë në një mendim të përsëritur në mendje që shkakton frikë dhe ankth, e shpesh ankthi është i pa përballueshëm.”

Ndër mendimet obsesive mund të jenë:

  • - Frika nga mikrobet ose papastërtia
  • - Frika nga dëmtimi ose nga dëmtimi i personave të afërm
  • - Bindja se disa numra ose disa ngjyra mund të jenë “të mira” ose “të këqija”
  • - Dyshime të vazhdueshme mbi njerëzit përreth
Ndër veprimet kompulsive mund të jenë:

  • - Larja e duarve disa herë rrjesht
  • - Kryerja e veprimeve të përsëritura sipas një numri “të mirë”
  • - Nevoja për të numëruar shkallët, hapat etj.
  • - Frika nga prekja e dorezave, përdorimi i tualeteve publike, shtrëngimi i duarve me të tjerët.



Si lidhet OCD me perfeksionizmin?


Dikush që ka tiparet e një perfeksionisti, pra tipare të personalitet obsesiv mund të ketë rituale të cilat i ndjek në mënyrë rigoroze, si p.sh., një rutinë mëngjesi apo një mënyrë të caktuar të organizmit të tavolinës së punës. Por ata nuk e bëjnë këtë për shkak të ankthit.

“Ata i kryejnë këto sjellje sepse ndihen më mirë dhe funksionojnë shumë mirë, pavarësisht se mund të jenë të çuditshme për njerëzit përreth” thote Dr. Sonila.

Dikush që është perfesionist ka pritshmëri shumë të larta për veten apo edhe për të tjerët. Ky lloj personaliteti është shpesh i lidhur me organzimin e mirë dhe me sjellje të orientuara drejt një qëllimi. Madje, një perfeksionizëm i shëndetshëm mund të ndihmojë këta persona të arrijnë ekselencën.

Por në anën tjetër, këto tipare mund t`i bëjnë këta persona të jenë shumë kritikë ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve.

“Kur perfeksionizmi kthehet në një problem, shpesh këta individë janë të fundit që e kuptojnë.” shprehet Dr. Sonila.


A duhet të trajtohen?


Crregullimet obsesivo-kompulsive trajtohen me një kombinim të medikamenteve dhe të psikoterapisë.

Terapia me barna në diagnozën e crregullimit obsesivo-kompulsiv është zgjedhja e parë në shumicën e rasteve. Pas qetësimit të parë shihet mundësia e fillimit edhe të psikoterapisë. Psikoterapia fokusohet kryesisht në qasje të cilat i ndihmojnë personat me OCD të mos luftojnë me realitetin dhe të pranojnë gjërat të cilat nuk mund t`i ndryshojnë.

Në rastet më të lehta, psikoterapia është e mjaftueshme për rezultate të mira, ndërkohë që personat perfeksionistë mund të përfitojnë shumë nga psikoterapia.

 “Por në përgjithësi këta persona nuk kërkojnë ndihmë sepse nuk mendojnë se diçka nuk shkon.” shton Dr. Sonila.

Për të gjithë ata që kanë ankth, mendime apo sjellje obsesive, ka trajtime të mundshme të cilat përmirësojnë cilësinë e jetës.


Lexo më shumë:

Nga ndryshojnë ankthi, frika dhe stresi?